×
  • Lajme
  • Pa kategori

    EULEX: Situata në veri është e paqëndrueshme, kemi shtuar praninë në terren

    Reporteri
    22 Dhjetor 2022 | 10:11

    EULEX po monitoron nga afër situatën e sigurisë në veriun e Kosovës përmes pranisë së shtuar të pjesëtarëve në terren.

    Kështu ka bërë të ditur EULEX përmes një komunikate ku ka theksuar se duke pasur parasysh situatën e paqëndrueshme të sigurisë në veriun e Mitrovicës, EULEX po e përshtatë praninë e tij.

    “Jemi duke monitoruar nga afër situatën e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës përmes pranisë sonë të shtuar në terren. Pjesëtarët e Polonisë e Njësisë Policore të Specializuar tonë dhe pjesëtarët e Italisë dhe Lituanisë nga Njësia e jonë Policore e Specializuar Rezervë nga Forca Evropiane e Xhandarmërisë janë duke kryer patrullime vëzhguese, përfshirë patrullimet në këmbë në Mitrovicën Veriore dhe Zveçan”.

    “Duke e pasur parasysh situatën e paqëndrueshme të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës dhe vendosjen e barrikadave shtesë, EULEX-i rregullisht e përshtatë praninë e tij për ta pasqyruar situatën në terren, si dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in”, thuhet në njoftim.

    Ndryshe, ndonëse situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë e tensionuar, Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO gjatë ditëve të fundit ka kryer disa ushtrime atje.

    Në një postim në Facebook, KFOR-i ka publikuar disa pamje gjatë patrullimit në veri, ku thuhet se kjo është bërë për të testuar aftësitë e tyre për të vazhduar sigurimin e një mjedisi të sigurt.

    “Gjatë ditëve të fundit, misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO ka kryer një sërë ushtrimesh në veri të Kosovës për të testuar aftësitë e tij për të vazhduar sigurimin e një mjedisi të sigurt dhe të lirë të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhet në postimin e tyre.

    Sipas KFOR-it, stërvitja më e fundit e mbajtur më 19 dhjetor 2022 filloi në kampin e Novo Sellës u krye për të trajnuar dhe testuar aftësitë e njësive të KFOR-it për të garantuar lirinë e lëvizjes duke përdorur mjetet në dispozicion.

    “Për shkak të kompleksitetit të mjedisit aktual operativ, është thelbësore që këto sisteme dhe aftësi të testohen pasi ato zbusin rrezikun kolektiv nëse marrëveshjet e ardhshme politike nuk mund të përmbushen. Ka shumë aktorë në terren të përkushtuar për të bërë përparim, por KFOR-i mbetet vigjilent dhe i gatshëm për të reaguar. Ne jemi të përgatitur të ndërhyjmë, nëse është e nevojshme, por ne parandalojmë përshkallëzimin, në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”.

    Këto aktivitete, sipas KFOR-it, janë kryer në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me aktorët kryesorë në zonë dhe në përputhje me mandatin e KFOR-it të OKB-së bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999.

    Komanda Rajonale e KFOR-it-Lindje ka shtuar praninë e tyre në portën e kalimit në Jarinjë për arsye parandaluese pas koordinimit të suksesshëm dhe aktiv me të gjitha palët e interesuara.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!