Sot edhe zyrtarisht ka nisur fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 6 tetor.
Partitë politike sot do të “marshojnë” në qytete të ndryshme për të bërë hapjen zyrtare të fushatës ku do të mundohen të grumbullojnë sa më tepër përkrahës që të duket tubimi i tyre sa më madhështorë.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka zgjedhur Prishtinën për ta hapur fushatën e saj, konkretisht sheshin “Ibrahim Rugova”.
Partia e Isa Mustafës hapjen e fushatës e bën në ora 19:00.
Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka zgjedhur qytetin e Mitrovicës për hapjen e fushatës e jo Prizrenin edhe pse udhëheq këtë komunë komunë. Tubimin do ta mbajë në ambient të mbyllur, në sallën e sporteve “Minatori” duke filluar nga ora 16:00, shkruan Reporteri.net.
Edhe PDK-ja e Kadri Veselit fushatën do ta nis në Mitrovicë, konkretisht në sheshin “Mehë Uka”, duke filluar nga ora 17:00.
Koalicioni AAK-PSD ka zgjedhur qytetin e Suharekës për ta nisur fushatën, të cilën komunë e qeverisë.
Kjo parti tubimin do ta mbajë duke filluar nga ora 18:00 në palestrën “13 Qershori”.
Koalicioni Nisma-AKR-PD tubimin e hapjes së fushatës do ta mbajë në Prishtinë në sallën “1 Tetori” nga ora 18:00.
Partia Euroatlantike e Kosovës (PEK) hap zyrtarisht fushatën zgjedhore poashtu në Prishtinë, konkretisht në Hotel Grand nga ora 15:00.
Kujtojmë se kandidatë për kryeministër të Kosovës janë: Kadri Veseli nga PDK, Vjosa Osmani nga LDK, Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, Ramush Haradinaj nga koalicioni AAK-PSD, Fatmir Limaj nga koalicioni Nisma Socialdemokrate, AKR dhe PD sidhe Nenaq Rashiq nga koalicioni “Sloboda”.
Më 6 tetor garojnë 20 janë parti politike dhe iniciativa qytetare, derisa në garë për 120 ulëset në Kuvendin e Kosovës janë gjithsej 1070 kandidatë.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare pasuan dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës në korrik të këtij viti. .
Dorëheqja e tij kishte pasuar ftesën nga Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë, ku Haradinaj ishte ftuar për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.
Më pas, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar mocionin e shpërndarjes, duke i dhënë kështu mundësinë ligjore presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi që t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, për datën 6 tetor. /Reporteri.net/