Serbët nesër do të sillen si në një ditë të zakonshme pune, ka thënë Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviç, në një prononcim për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”, përcjell gazeta online Reporteri.net.
Radojeviç ka thënë se në rast ndëshkimi për moskonvertim të targave ilegale “KM, etj” në RKS, “është e qartë se serbët të reagojnë”, deri shtoi edhe se “nuk do të lejojmë konfiskimin e veturave”.
“Nëse vazhdojnë me lëvizje të njëanshme që do të rezultojë në presion edhe më të madh dhe vendosje të ndëshkimeve, është e qartë se do të ketë reagime. Nuk do të lejojmë konfiskimin e automjeteve. Ne qëndrojmë në vend dhe duam të jetojmë denjësisht si qenie njerëzore, kështu që serbët nesër do të sillen sikur të ishte një ditë e zakonshme pune”, ka thënë ai.
Kryetari i Mitrovicës së Veriut tha se serbët nuk do të ndryshojnë qëndrim në lidhje me targat e lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.
Përveç kësaj ai tha se “në ndëshkimin e parë” për konvertim të targave “reagimi i serbëve do të vjen”.
Policia e Kosovës ka lajmëruar se i ka bërë të gjitha përgatitjet
Policia e Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet në planifiket e saj për zbatimin e vendimit qeveritar e cila ka të bëjë me masat e riregjistrimit të targave ilegale serbe “KM, etj” në RKS, raporton gazeta online Reporteri.net.
Sipas vendimit zyrtar nga data një (1) nëntor 2022, të gjithë pronarëve të mjeteve që qarkullojnë me targa të tilla ilegale në Kosovë, nga Policia e Kosovës do t’iu shqiptohet masa e qortimit, me kërkesën që të njëjtit të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS, thuhet në komunikatë për shtyp.
Ndërsa nga data njëzet e një (21) nëntor deri me datë njëzet e një (21) janar, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës me targa të tilla ilegale, do të shqiptohet gjobë sipas legjislacionit në fuqi.
Bashkangjitur këtij njoftimi keni formën e fletëqortimit zyrtar “Qortim”, të Policisë së Kosovës e cila do të aplikohet nga zyrtarët policorë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe në pikat e kalimit kufitar, përfundon njoftimi./Reporteri.net/