×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Mot dimëror në Kosovë, disa rrugë vështirë të kalueshme – Policia bën apel për kujdes

    Reporteri
    04 Prill 2023 | 7:37

    Ashtu siç është parashikuar, mot dimëror po ndodh në javën e parë të prillit, me ç’rast është formuar edhe shtresa e dëborës.

    Reshje të dendura bore ka pasur në Kosovë që nga mbrëmë, kjo ka bërë që rrugët të jenë vështirë të qarkullueshme.

    Në Prishtinë gjendja e rrugëve është me borë, kjo është vënë re sidomos në lagjen “Kodra e Trimave”, te Xhamia e Llapit etj.

    Në fshatin Besi të Prishtinës, në rrugën Prishtinë-Podujevë, ka ndodhur një aksident trafiku mes dy automjeteve, policia dhe autoambulanca janë parë në vendin e ngjarjes para orës 07. Edhe në këtë magjistrale njoftohet se gjendja e rrugëve ka qenë vështirë e kalueshme për shkak të borës.

    Pamje nga rrugët në lagjen “Kodra e Trimave”:

    Reshje të mëdha të borës mbrëmë kanë prekur edhe disa zona të komunës së Suharekës.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalur ekipet relevante të cilave u është bashkangjitur edhe i pari i komunës, Bali Muharremaj.

    “Jemi në përpjekje të vazhdueshme që bora të pastrohet nga rrugët në Budakovë dhe fshatrat tjera”, ka shkruar Muharremaj në Facebook.

    Ai ka postuar edhe një video nga këto reshje të borës.

    Ndërkohë, Policia e Kosovës bazuar në kushtet meteorologjike apelon për kujdes dhe jep këto këshilla:

    Përqendrohuni maksimalisht gjatë drejtimit të mjetit!
    Mbani distancën e sigurt në mes mjeteve!
    Përdorni rripin e sigurisë!
    Respektoni kufizimet e shpejtësisë konform kushteve atmosferike të krijuara!
    Mos përdorni telefoni mobil gjatë ngasjes!
    Mos kryeni parakalime të ndaluara apo mos bëni manovra me mjet në rrugë!.

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se sot do të mbajë mot i vranët dhe me reshje bore.

    IHK njofton se temperaturat do të shënojnë rënie në të dy vlerat ekstreme.

    Gjatë kësaj periudhe kohore do të ketë erëra mesatare deri të forta kryesisht nga drejtimi i verilindjes.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!