×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Mustafa thumbon PDK-në: S’do ta luftojmë krimin dhe korrupsionin me njerëz që në vendet e tyre ndiqen për krim dhe korrupsion

    Reporteri
    04 Tetor 2019 | 19:40

    Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, e ka nisur fjalimin e tij në tubimin përmbyllës të kësaj fushate elektorale në Gjilan duke e lavdëruar kryetarin e kësaj komune Lutfi Hazirin – që është edhe shef i Shtabit Zgjedhor – për punën që e ka bërë.


    Ai, më pas, ka zgjedhur të flasë fjalë të mira dhe ta lavdërojë edhe kandidaten e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmanin.

    “Vjosa Osmani, ju jeni kandidate me përkrahje të plotë të LDK-së për kryeministren e parë të Republikës së Kosovës”.

    “Këtë përkrahje e ke sepse të gjithë ne jemi të bindur dhe kjo bindje po na rritet çdo ditë se do ta qeverisësh Kosovën me ndërgjegje, vullnet të madh, përkushtim, eksperiencë që e ke të mrekullueshme dhe me dijen që e ke për të përballë një punë dhe përgjegjësi të tillë”.

    “Të përgëzoj për një prezantim shumë të fortë të programit qeverisës të LDK-së anë e mbanë Kosovës. Të gjithë e kanë marrë vesh se çfarë synon dhe çfarë do të bëjë LDK-ja në qeverisjen e re”.

    Mustafa ka falënderuar edhe të gjithë kryetarët e komunave për punën e bërë dhe organizimin e tubimeve elektorale në qytetet e tyre.

    “Para dy ditësh e patëm një tubim të mrekullueshëm në Podujeve, patëm tubim të mrekullueshëm edhe në Prishtinë, Lipjan, Prizren, Pejë, Ferizaj dhe kjo është një mrekulli që po e përjetojmë tani”.

    “Është një përkrahje e madhe dhe një zgjim që Kosovës i nevojitet LDK-ja, prandaj në Kosovë qytetarët duhet me meritë ta votojnë LDK-në”.

    I pari i LDK-së nga Gjilani i është drejtuar qytetarëve të Kosovës duke kërkuar që ata ta votojnë partinë që ai udhëheq dhe kandidaten e kësaj partie për kryeministre.

    “Unë do ta shfrytëzoj këtë rast që së bashku me ju që jeni prezantuar këtu dhe me mijëra të tjerë që janë jashtë kësaj salle, si kryetar i LDK-së t’ju drejtohem qytetarëve të Kosovës dhe të kërkoj nga ata që votojnë për herë të parë, nxënësit, studentët, mësuesit, arsimtarët, punëtorët, punonjësit publikë, punonjësit shtetërorë, mjekët, policët, punonjësit e drejtësisë, pensionistët, familjarët, nga nënat që kujdesen për fëmijët e tyre – që të gjithë ta ja japin besimin LDK-së sepse këtë besim e meriton LDK-ja”.

    Ai ka garantuar qytetarët se LDK-ja do të luftojë për forcimin e shtetit.

    “Ne shtetin nuk do ta forcojmë përmes barrikadimit, as me taksa dhe as me tarifa. Por, ne shtetin do ta forcojmë përmes hapjes tonë ndaj BE-së, hapjes dhe bashkëpunimit me SHBA-të, përmes angazhimit tonë që të bëhemi pjesë e familjes europiane, të bëhemi anëtar i NATO-s, të bëhemi pjesë aktive e institucioneve financiare ndërkombëtare dhe shfrytëzimit të fondeve për të mirën e Kosovës dhe jo të izolohemi sepse përmes izolimit nuk e forcojmë, por e dobësojmë shtetin tonë”.

    Mustafa ka thumbuar edhe PDK-në e Kadri Veselit, por duke e mos e specifikuar tamam se për kë po flet.

    “Ne do të punojmë ta luftojmë krimin dhe korrupsionin . Por, ne do ta luftojmë krimin dhe korrupsionit me njerëzit tanë dhe në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare”.

    “Ne kemi dhe duhet të kemi besim në policët, gjyqtarët, prokurorët, mësuesit, arsimtarët tanë – njerëzit tanë. Ne nuk dyshojmë dhe nuk duhet të dyshojmë dhe nënvlerësojmë njeriun e Kosovës sepse ai do të luftojë për këtë shtet dhe besojmë se do ta kemi përkrahjen e tyre në mënyrë që të ndërtojmë shtet të zhvilluar”.

    “Ne nuk do ta luftojmë krimin dhe korrupsionin me njerëz nga jashtë që në vendet e tyre ndiqen për krim dhe korrupsion dhe ndiqen për evazion fiskal. Njerëzit e tillë nuk i ndihmojnë Kosovës, ata e zhvatin Kosovën”.

    “Do ta luftojmë këtë të zezë të Kosovës me besim në njerëzit tanë, me ‘ushtarë’ të këtij vendi që luftojnë për Kosovën, dhe jo me mercenarë që paguhen dhe vijnë vetëm sa për të marrë pagesa në Kosovë”.

    “Ne do të luftojmë, si LDK, në krye me kryeministren tonë të ardhshme, që ata që kanë punuar keq t’i çojmë në opozitë, ata e meritojnë opozitën. Ata që kanë premtuar premtime të mëdha duhet t’i kërkojnë falje të madhe Kosovës që nuk i kanë realizuar ato vendime të mëdha”.

    Ai e ka përmendur edhe dialogun me Serbinë duke premtuar se Kosova nuk jep tokë dhe territor.

    “Ne premtojmë se kryeministrja jonë do të jetë në krye të dialogut. Ne premtojmë se nuk do të japim tokë, territor dhe as nuk do ta ndryshojmë Kushtetutën për punë të dialogut”.

    Kryetari i LDK-së, në fund të fjalimit të tij, e ka kërkuar edhe njëherë votën për LDK-në dhe Vjosa Osmanin.

    “Me këto qëndrime dhe me një prezantim të shkëlqyeshëm të programit qeverisës, unë kërkoj votën tuaj për të gjithë kandidatët tanë për deputetë të Kuvendit të Kosovës. Janë njerëz të pastër para ligjit, janë njerëz me profesion dhe autoritet”.

    “Me të dhe me ta do të arrijmë që t’i bëjmë mirë Kosovës dhe ta vëmë në binarë të mirë”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!