×
  • Lajme
  • Pa kategori

    PDK: Për një vit qeverisje, Kurti krijoi listë të gjatë dështimesh

    Reporteri
    23 Mars 2022 | 12:49

    Partia Demokratike e Kosovës ka ndërmarrë të mërkurën një aksion para Qeverisë, në njëvjetorin e ekzekutivit të udhëhequr nga Albin Kurti. PDK-ja e ka akuzuar Kurtin për një listë të gjatë dështimesh gjatë kësaj periudhe.

    Sipas Donjet Bislimit të PDK-së, Qeveria Kurti nuk ka shënuar asnjë progres, madje ka zhgënjyer edhe rininë e Kosovës, që siç thotë ai, i besoi më së shumti Kurtit në zgjedhjet e fundit.

    “Fatkeqësisht, ky është një vit i praktikantëve që nuk shënuan asnjë progres. Gjatë këtyre 365 ditëve kemi parë gjithçka, por vetëm qeverisje jo. Qytetarët për një vit rresht kanë parë paaftësi të Albin Kurtit për të qeverisur. Gjatë kësaj periudhe, Qeveria Kurti me paaftësinë e saj ka krijuar një listë të gjatë të dështimeve dhe keqmenaxhimeve, duke shpërfaqur paaftësi të madhe në qeverisje e cila vjen ekskluzivisht nga mungesa e kompetencës, dijes, vizionit dhe vullnetit për punë. Rinia e Kosovës që në masë të madhe i ka besuar Albin Kurtit në zgjedhjet e fundit dhe në fillim të vitit të kaluar, por në fund të vitit mbi 100 mijë prej tyre ia mësynë dyert e ambasadave për të kërkuar viza dhe për t’u larguar nga Kosova”, ka thënë Bislimi.

    PDK-ja thotë se “diplomacia kosovare lëre që nuk ka ekzistuar, por ka shënuar regres aq të madh saqë ka përfunduar në skandale e paaftësi elementare me gabime të flamujve të shteteve dhe me gënjeshtra të deklaratave të zyrtarëve perëndimorë”.

    “Qytetarët e Kosovës janë varfëruar më së shumti nga paslufta. Shporta ushqimore e qytetarit është shtrenjtuar aq shumë, saqë qytetarët mezi po ia dalin ta mbyllin muaj”, shtoi Bislimi.

    Madje, Kurti u akuzua nga partia kryesore opozitare në vend për punësime familjare.

    “Ka arritur të krijojë disa qindra vende pune vetëm për nipërit, dajallarët dhe familjarët e ministrave dhe deputetëve të Vetëvendosjes. Kurti do të mbahet mend për rekordin e tenderëve joburimor. Para se të bëhej kryeministër, premtoi banesa me çmime të përballueshme të lira për çiftet e reja por ky premtim u harrua tërësisht gjatë këtij viti. Kishte premtuar ndërtimin e 160 çerdheve, por ende nuk e ka nisur asnjë. Kjo është lista e shkurtër, pasi për t’i numëruar të gjitha do të na duhej më shumë kohë”, përfundoi Bislimi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!