Policia e Kosovës mbrëmë ka realizuar një aksion afër katër orësh në dalje të Pejës, më saktësisht në fshatin Vitomiricë.
Gjatë planit me kodin “Kontrollimi i lokaleve 2019”, është arrestuar D.S, 50 vjeçar i cili ishte në kërkim nga Gjykata Themelore në Mitrovicë si dhe janë mbyllur katër lokale nate.
Gjatë këtij aksioni është bastisur një lokal dhe një shtëpi e dyshimtë në fshatin Vitomiricë.
Në njoftimin e Policisë së Pejës thuhet se për në lokal është dyshuar se zhvillohen veprimtari në kundërshtim me ligjin.
Po ashtu policia gjatë kontrollit të mjetit tip ‘Hyunday’ tek pronari i cili nuk ka pasur dokumente të veturës, andaj mjetin e ka dërguar ne terminal doganor.
Njoftimi i plotë i Policisë së Kosovës:
Me datën 11 maj 2019, duke filluar nga ora 23:30, në zonën e Pejës, Policia ka zbatuar planin operativ të koduar ‘Kontrollimi i lokaleve 2019’.
Policia e Kosovës ka pranuar disa informacione se fillimisht në një lokal nate në dalje të qytetit, dyshohet se zhvilloheshin veprimtari të kundërligjshme, prostitucion, persona të kërkuar nga gjykatat dhe armëmbajtje pa leje.
Njësia e Hetimeve, Stacioni Policor në Pejë, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Pejë, kanë marrë urdhrin nga Gjykata Themelore në Pejë, për kontroll-bastisje të lokalit dhe shtëpisë së dyshimtë, në fsh. Vitomiricë.
Gjatë bastisjes Policia ka hasur personin D.S. m/k/sh, i (lindur) 1969, i cili ishte në kërkim nga Gjykata themelore ne Mitrovicë, i njëjti është arrestuar për të vazhduar me procedura te mëtutjeshme. Në këtë lokal janë bastisur të gjithë të pranishmit dhe veturat ne parkingun e këtij lokali, me ç’rast nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
Vlen të ceket se gjatë kontrollit të mjetit tip ‘Hyunday’ tek pronari i cili nuk ka pasur dokumente të veturës, andaj Njësiti i komunikacionit rrugor ka ndërmarrë masat e nevojshme dhe mjetin e ka dërguar ne terminal doganor.
Në këtë plan kanë qenë të përfshirë Stacioni Policor në Pejë, Njësiti i reagimit të shpejtë, Njësiti i komunikacionit rrugor, Njësiti për hetimin e trafikimit të qenieve njerëzore. Gjatë këtij kontrolli deri në ora 03:00 të datës 12.05.2019 janë mbyllur 4- (katër) lokale të natës në zonën e Pejës.