×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Qytetarët e quajnë pafytyrësi kandidimin e Shpend Ahmetit për deputet

    Reporteri
    06 Shtator 2019 | 19:57

    Shpend Ahmeti është në mesin e disa kryetarëve të komunave që po akuzohen për mashtrim e pafytyrësi nga qytetarët në prag të zgjedhjeve nacionale.


    Ai u kritikua shumë, kur, si Kryetar i Prishtinës, mori përgjegjësinë për udhëheqjen e delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë.

    Ndonëse Gjykata Kushtetuese ia ndërpreu ushtrimin e kësaj detyre, tani Shpend Ahmeti pritet t’i hyjë garës për një tjetër pozitë.

    Ahmeti do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të AAK-së dhe PSD-së në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.

    Kreu i kryeqytetit pritet të jetë i dyti në këtë listë, pas Ramush Haradinajt, kandidatit për kryeministër nga ky koalicion, raporton KTV.

    Ngjashëm, Ahmeti veproi edhe sa ishte pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e vitit 2017, së cilës ia siguroi 76 mijë vota shtesë, mirëpo nuk pranoi ta mbajë pozitën e deputetit.

    Derisa, Xhafer Gashi, i Obiliqit, është një tjetër kryetar komune që pritet t’i bashkohet garës për t’u bërë pjesë e Parlamentit.

    Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili së fundmi u largua nga AKR-ja për t’iu bashkuar Vetëvendosjes, ka thënë se nuk do të kandidojë për deputet, pasi nuk dëshiron që t’i tradhtojë qytetarët.

    LDK-ja, e cila udhëheq me një numër të madh komunash, ende nuk ka vendosur nëse do të kandidojë ndonjë kryetar i tyre për deputet.

    Listën përfundimtare të kandidatëve nuk e ka përfunduar ende as PDK-ja. Zyrtarë të kësaj partie kanë thënë për KTV-në se nuk besojnë që në listë do të përfshijnë ndonjë kryetar komune.

    Në anën tjetër, kandidimi i kryetarëve të komunave për deputetë nuk po u pëlqen qytetarëve. Ata e quajnë këtë si pafytyrësi ndaj tyre.

    Pjesëtarë të shoqërisë civile thonë se angazhimi i kryetarëve për t’i bërë fushatë vetes, do të ndikojë që punët e komunës të mbesin anash.

    Arifi kërkon që përmes ligjit t’u ndalohet pjesëmarrja në zgjedhje përfaqësuesve të nivelit lokal, duke përfshirë edhe këshilltarët komunalë.

    Edhe në zgjedhjet e kaluara parlamentare, shumë kryetarë komunash fituan ulëse në Parlament, sa për t’u ndihmuar partive të tyre në grumbullimin e sa më shumë votave.
    Të njëjtit, më pas, dorëzuan mandatet.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!