Ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi, është takuar me kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezi.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Selimi ka thënë se Lumezi bashkë me institucionin të cilin ai e drejton, do të jenë llupa e çdo parregullsie eventuale, shkruan Reporteri.net.
Ai ka theksuar se komisonerët dhe vëzhguesit duhet t’iu përmbahen principeve të administrimit të procesit të votimit dhe numërimit, në mënyrë që të sigurojnë integritet të kutisë së votimit.
Selimi gjithashtu ka bërë thirrje që të njëjtët të mos bëhen pre e kryerjes së veprës penale të mashtrimit në votime, vepër e dënueshme deri në pesë vjet burgim.
Subjektet politike do të përmbyllin fushatën zgjedhore të premten në mesnatë, ndërsa dita e shtune do të jetë heshtje zgjedhore.
Të dielën, qytetarët e Kosovës iu drejtohen kutive të votimit.
Ky është postimi i plotë i Selimit:
Pak para ditës finale të zgjedhjeve takova Kryeprokurorin e shtetit, z. Aleksandër Lumezi, i cili bashkë me institucionin që drejton do jenë llupa e çdo parregullsie eventuale. Komisionerët dhe vëzhguesit t’iu përmbahen principeve të administrimit të procesit të votimit dhe numërimit në mënyrë që të sigurojnë integritet të kutisë së votimit, duke garantuar proces transparent e kredibil, por poashtu që të mos bëhen pre e kryerjes së veprës penale të mashtrimit në votime, vepër kjo që është e dënueshme deri në pesë vjet burgim.
/Reporteri.net