Kandidati i PDK-së për kryeministër, Kadri Veseli, gjatë një takimi me ndërmarrës në Ferizaj ju ka premtuar atyre lehtësira sapo të vije në krye të qeverisë.
Veseli përmes një shkrimi në Facebook thotë se PDK-ja nuk do t’i ngarkojë bizneset me asnjë tatim të ri dhe nuk do t’i rrisë as tatimet ekzistuese, por se do të ndodhë e kundërta, ne do të ofrojmë lirime, incentiva dhe do ta eliminojmë burokracinë, shkruan Reporteri.net.
Postimi i tij:
Me vetiniciativën e tyre, me guximin, punën dhe talentin, ndërmarrësit kudo në Kosovë janë motorë të rritjes ekonomike.
Në një takim me qindra ndërmarrës në Ferizaj theksova rolin e pazëvendësueshëm të tyre në krijimin e vendeve të reja të punës.
PDK-ja nuk do t’i ngarkojë bizneset me asnjë tatim të ri dhe nuk do t’i rrisë as tatimet ekzistuese. Do të ndodhë e kundërta, ne do të ofrojmë lirime, incentiva dhe do ta eliminojmë burokracinë.
Ne do ta bëjmë zhvendosjen e pagesës së TVSH-së nga kufiri në brendësi të vendit, në mënyrë që bizneset ta paguajnë TVSH-në vetëm kur malli të jetë në duar të konsumatorëve.
Malli i importuar mund të qëndrojë pa u shitur edhe me vite, kështu që duke mos paguar më TVSH-në në kufi, bizneset mund të kursejnë dhe të investojnë më shumë në zgjerimin e veprimtarive të tyre.
Asnjë biznes më nuk do të ketë nevojë të marrë kredi për të paguar TVSH-në, duke minimizuar kështu edhe koston e interesave. #PDK112