×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Vijat e kuqe të partive

    Reporteri
    28 Shtator 2019 | 10:05

    Ekzistojnë dy mundësi koalicionesh mes partive politike, që do ta përbëjnë qeverinë e ardhshme. Sipas njohësve të çështjeve politike, ekzekutivi i ardhshëm do të jetë në duar të koalicionit LDK – LVV e Nisma ose LDK – AAK – PSD e Nisma.


    Nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri ka deklaruar se nuk është i mundur një koalicion me PDK-në, pasi që kjo e fundit sipas tij ka rrënuar urat e bashkëpunimit.

    “PDK-ja i ka rrënuar urat e bashkëpunimit, sepse ata e kanë larguar LDK-në, kanë rishikuar partneritetin dhe kanë vendosur partnerë të tyre, por u binden të gjithë që problem është të bashkëpunojnë me ta. Me partitë tjera natyrisht do të koordinohemi në nivel agjendash politike”, ka thënë Haziri.

    Ndonëse nuk është arritur koalicion paszgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje, Haziri thotë se ekziston një derë e hapur që këtë ta bëjnë pas zgjedhjeve.

    Edhe nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollqaku, ka deklaruar se LVV-ja përfundimisht ka vija të kuqe për PDK-në.

    “Vija e kuqe për PDK-në vazhdon edhe pas 6 tetorit. PDK-ja patjetër duhet të shkojë në opozitë që të reflektojë dhe të ndërrojë mentalitetin qeverisës, që e kanë pasur korruptiv. Vija e kuqe do të mbetet për një kohë të gjatë. Ndryshimi vjen me LVV-në”, ka thënë ajo për gazetën “Zëri”.

    Kollqaku tha se LVV-ja synon që pas zgjedhjeve të lidhë koalicion me LDK-në, duke u munduar që të evitojnë të gjitha partitë që ishin pjesë e qeverisë që shkoi. “Nuk do të preferonim, po ashtu, të qeverisim me të gjithë ata që nuk kanë qeverisur në këtë mandat, por duhet t’i presim rezultatet. Kjo nënkupton me LDK-në, duke pas parasysh që kemi pasur një bashkëpunim të mirë gjatë kësaj legjislature”, ka thënë ajo.

    Vija të kuqe për PDK-në ka edhe koalicioni AAK – PSD. Nënkryetarja e PSD-së, Shqipe Pantina, ka deklaruar se do të jenë të hapura për partitë tjera, duke përjashtuar PDK-në.

    “Nuk do të parapëlqenim një koalicion me PDK-në, përderisa me subjektet tjera mbetemi të hapura. Natyrisht varet edhe nga rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit”, ka thënë Pantina.

    Ajo ka thënë se nuk e përjashtojnë LVV-në, por do të preferonin koalicion me LDK-në dhe me Nismën. “Nuk e kemi përjashtuar LVV-në. Megjithatë subjektet e parapëlqyera do të mbeteshin LDK-ja dhe Nisma”, ka thënë Pantina.

    Mirëpo pavarësisht deklarimeve të partive të lartpërmendura, ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, ka thënë për gazetën se pavarësisht deklaratave të partive për vija të kuqe ato kanë filluar t’i afrohen PDK-së për koalicion paszgjedhor.

    “Shumica e subjekteve që janë në garë kanë filluar vetëm t’i afrohen Partisë Demokratike për koalicion paszgjedhor”, ka deklaruar ai, përderisa ka thënë se PDK-ja ka vija të kuqe për partitë që kanë në listat e tyre kandidatë me të kaluar korruptive.

    “Qeveria e ardhshme ‘Veseli’ ka vija të kuqe me të gjitha ato subjekte politike që nuk kanë parime qeverisëse me duar të pastra, për ata që kanë të kaluar kriminale dhe aktakuza”, tha ai.

    Ndërkaq Valdrin Lluka, nga Aleanca Kosova e Re, ka thënë se koalicioni Nisma – AKR – PD do të jetë përcaktues për formimin e qeverisë së ardhshme.

    “Po, në këtë rast ne jemi në koalicion me Nismën dhe PD-në, që mendoj se është një koalicion i tri partive të vogla, të cilat së bashku do ta bëjnë një fuqi vendimmarrëse për Qeverinë e ardhshme”, ka thënë ai.

    Ndërsa ka deklaruar se AKR-ja nuk ka vija të kuqe për asnjë parti.

    “Ne nuk kemi vija të kuqe. AKR-ja është parti liberale dhe ka qenë gjithmonë parti shtetndërtuese. AKR-ja luan rol proaktiv dhe nuk ka vija të kuqe me asnjë parti. Mund të kemi diferenca në programe me disa parti, kush është më i majtë karshi atyre tonave, por në përgjithësi gjejmë zbatim të programeve tona dhe një bashkëpunim të mirë”, ka thënë ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!