×
  • Lajme
  • Botë

    Pritet retorikë më e ashpër evropiane ndaj Serbisë, por jo ndërprerje fondesh

    Reporteri
    04 Tetor 2022 | 11:36
    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç

    Nuk ka gjasa që Serbisë t’i ndërprehen fondet evropiane për shkak të mospajtimit serb për t’u bashkërenduar me sanksionet ndaj Federatës Ruse, kanë thënë burime diplomatike për Radio Free Europe në gjuhën serbe, përcjell Reporteri.net.

    Megjithatë, ndonëse thonë se nuk do të ketë ndërprerje fondesh, për shkak të arsyetimit se kjo gjë do të rëndonte mbi qytetarët serbë, do të ketë retorikë më të ashpër ndaj autoriteteve të Beogradit, u shprehën këto burime.

    “Me vite, presidenti Vuçiç ka luajtur lojë të dyfishtë, por më 24 shkur loja ndërroi dhe s’mund të manovorjë më”, thotë një bashkëbisedues nga Brukseli për RFE-në, transmeton Reporteri.

    Pas agresionit rus kundër Ukrainës, i cili filloi më 24 shkurt, BE-ja prezantoi disa paketa sanksionesh kundër Moskës. Përveç Turqisë, Serbia është i vetmi vend kandidat për në BE që nuk i është bashkuar sanksioneve.

    Bashkëbiseduesi i RFE-së tha se marrëveshja e fundit “e panevojshme” Selakoviç-Lavrov e përkeqësoi situatën.

    “Që tani e tutje, ne gjithashtu do të forcojmë retorikën tonë dhe do t’i kërkojmë Serbisë të tregojë se cila është zgjedhja e saj strategjike. Zgjedhja strategjike e Serbisë ishte BE-ja, kështu që gjithçka që kërkojmë është që ta vërtetojnë atë në praktikë,” shtoi ai.

    Plani i konsultimit ndërmjet Serbisë dhe Rusisë, i cili u nënshkrua në New York më 23 shtator nga ministrat e Jashtëm Sergej Lavrov dhe Nikola Selakoviç, përfaqëson “kashtën e fundit” për zyrtarët evropianë.

    Disa bashkëbisedues të RFE-së nga Brukseli, të cilët dëshiruan të mbeten anonimë, e vlerësuan këtë veprim si një “shuplakë të drejtpërdrejtë në fytyrën e BE-së”.

    Treguesi i parë i fjalorit të ashpërsuar, siç është paralajmëruar, do të jetë paketa e ardhshme e zgjerimit, e cila do të publikohet nga Komisioni Evropian më 12 tetor.

    Në atë dokument, sipas njoftimeve, do të qartësohet fotografia e raportit të Beogradit zyrtar me vlerat e përbashkëta evropiane, përkatësisht çështja e marrëdhënieve të Serbisë me Rusinë.

    Në rrethana të ndryshme, Serbia në dhjetor duhet të hapë një kapitull në negociatat e anëtarësimit me BE-në. Megjithatë, disa burime në Bruksel kanë konfirmuar se kjo nuk do të ndodhë.

    Siç thanë ata, shumica e vendeve anëtare janë kundër përparimit të Serbisë në integrimet evropiane derisa të pajtohet me politikën e jashtme të BE-së në lidhje me sanksionet kundër Rusisë.

    Nëse Serbia nuk hap një kapitull në dhjetor dhe nëse nuk do të ketë konferencë ndërqeveritare, as politike ku nuk hapen kapitull, por diskutohen çështje të hapura, diplomatët evropianë paralajmërojnë se do të konsiderohet se negociatat për anëtarësim janë “ngrirë”.

    Grupi përfshin disa kapituj të ndërlidhur që hapen së bashku në negociatat me BE-në.

    Duhet pranuar se të gjithë zyrtarët e BE-së pajtohen se askush nuk do të deklarojë publikisht se negociatat janë pezulluar, por vetë fakti që nuk do të ketë përparim në atë drejtim do të jetë një tregues i qartë.

    Disponimi i qytetarëve ndaj BE-së

    Gjorgje Gjorgjeviç, mësues i gjuhës angleze nga Beogradi, thotë për Radio Free Europe në gjuhën serbe se ka frikë nga mundësia e ngecjes së negociatave.

    “Sepse do të ndikojë në stabilitetin ekonomik të vendit. Mendoj se do të ketë shumë më pak para për vendin, kam frikë se mos vendosin më viza”.

    Regjimi pa viza me Bashkimin Evropian, i cili hoqi vizat për udhëtim në vendet anëtare të BE-së që janë pjesë e zonës Shengen, hyri në fuqi në dhjetor 2009.

    Gjorgje Gjorgjeviç beson se Serbia duhet të harmonizojë politikën e saj të jashtme me BE-në, nëse tashmë është duke shkuar drejt anëtarësimit në BE.

    Serbia ka mbështetur integritetin territorial të Ukrainës, por deri më tani nuk ka mbështetur sanksionet kundër Rusisë.

    Filipi nga Beogradi thotë se nuk është e drejtë të shantazhohet Serbia në atë mënyrë.

    “Unë nuk shoh se çfarë mund të presim pas përvojave tona në 30 vitet e fundit përveç presioneve. Besoj se presionet do të ndalen.”

    Ai deklaron se nuk është adhurues i presidentit rus Vladimir Putin dhe nuk e mbështet luftën.

    Por ai shton se partneriteti i Serbisë me Rusinë nuk është vetëm në fushën e energjisë.

    “Bashkëpunimi ynë politik me Rusinë është shumë intensiv. Për sa i përket kulturës dhe botëkuptimit, ka më shumë mbivendosje me Rusinë sesa me BE”, thotë Filip.

    Partneri më i rëndësishëm tregtar i Serbisë është BE

    Bashkimi Evropian është partneri më i madh tregtar i Serbisë. Sipas të dhënave të Institutit Republikan të Statistikave, në vitin 2021, këmbimi arriti në 30,28 miliardë euro, raportoi në korrik Qendra Informative e BE-së.

    Sipas këtyre të dhënave, vlera e eksporteve serbe në BE është pothuajse katërfishuar nga 3.2 miliardë euro në 2009 në më shumë se 11 miliardë euro në 2021.

    Partnerët më të rëndësishëm tregtarë në fushën e mallrave janë Gjermania, Italia, Hungaria dhe Rumania.

    Në të njëjtën kohë, 3,9 për qind e eksporteve serbe kanë shkuar në Rusi, ndërsa 5,3 për qind e mallrave të importuara kanë ardhur nga ai vend.

    Serbia është pothuajse tërësisht e varur nga gazi rus. Por ajo po ndërmerr hapa drejt diversifikimit të burimeve të furnizimit me gaz, për ta marrë këtë burim energjie edhe nga burime të tjera.

    Çfarë thonë zyrtarët në Beograd?

    Ministrja për Integrime Evropiane e Serbisë Jadranka Joksimovç deklaroi se “kriteret për pezullimin e mundshëm të procesit të negociatave janë sundimi i ligjit dhe zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit”.

    Marrëveshja e Brukselit është nënshkruar në kuadër të dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve, i cili zhvillohet nën patronazhin e BE-së.

    Ministrja tha se harmonizimi me politikën e jashtme të BE-së është një “pritje e zhurmshme politike”.

    Më 29 shtator, ajo i tha Zërit të Amerikës se, sipas kornizës së negociatave, Serbia duhet të përafrohet plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së në kohën e anëtarësimit në BE.

    “Sigurisht që pritet që gjatë procesit të rritet përqindja e anëtarësimit, jo të ulet”, tha ministrja.

    Ajo shtoi se “në një pjesë të madhe të strukturave politike në vendet e BE-së ka një shkallë të lartë të keqkuptimit të pozitës së Serbisë”.

    Ajo vlerësoi se kjo situatë do të zgjasë shumë dhe do të thotë një shtrëngim i pritshmërive lidhur me këtë temë.

    Ndërkohë, presidenti serb Aleksandar Vuçiç u takua me disa delegacione perëndimore.

    Gjatë një bisede me deputetët evropianë më 30 shtator, ai tha se Serbia është në rrugën evropiane, por si një vend i pavarur që merr vendimet e veta për interesat e saj shtetërore dhe kombëtare.

    Në Beograd, Vuçiç u takua me raportuesin e Parlamentit Evropian për Serbinë, Vladimir Bilçik, dhe me anëtarin e Delegacionit të Komisionit të Parlamentit Evropian për Stabilizim dhe Aderim në Bashkimin Evropian, Matjazh Nemec.

    “Kam pasur një bisedë të hapur dhe të sinqertë për të gjitha çështjet e rëndësishme dhe të vështira, për të cilat ne nuk jemi gjithmonë dakord dhe deputetët e Parlamentit Evropian më kanë informuar për disponimin në Bruksel kur bëhet fjalë për politikën e vendit tonë”, ka shkruar Vuçiç në Instagram./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!