×
  • Lajme
  • Zgjedhjet Lokale 2021

    Intensifikohet fushata, Kurti, Krasniqi, Abdixhiku e Haradinaj lënë zyrat e dalin në teren

    Reporteri
    24 Shtator 2021 | 23:27
    Kronika Zgjedhore - Reporteri - Zgjedhjet lokale 2021

    Liderët e partive politike të Kosovës, kanë vazhduar edhe fushatën në mbështetje të kandidatëve të partive të tyre për kryetar të Komunave për zgjedhjet e 17 tetorit.



    Për dallim nga ditët e tjera ditën e sotme liderët e partive më të mëdha në vend kanë vizituar komunat, shkruan Gazeta Online “Reporteri.net”.

    Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti të premten ka vizituar Shtimen në përkrahje të kandidatit të kësaj partie për të parin e komunës.

    Pas kësaj vizite Kuri përmes një postimi në Facebook ka thënë se modernizimi i shërbimeve publike dhe karakteri urban i qytetit të Shtimes janë pikat kryesore ku do të orientohet qeverisja e re lokale me Kryetar Qemajl Aliun.

    “Me qeverinë qendrore që në radar i ka këto shqetësime, e sidomos Shtimen që ka mbetur aq mbrapa në zhvillim, qeverisja e drejtë dhe punëtore e Qemajl Aliut do ta ketë të lehtë t’i realizojë këto projekte e t’ia kthejë dinjitetin Shtimes.”, ka shkruar Kurti.

    Partia më e madhe opozitare PDK, fushatën e ka zhvilluar në qytetin e Mitrovicës. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka qëndruar në Mitrovicë, ku ka thënë se si rrallë herë e pak kund tjetër, zgjedhjet lokale kanë rëndësi jetike për këtë komunë, sepse qytetarët e saj e kanë mundësinë të udhëhiqen nga një njeri i ndershëm dhe profesionist me integritet siç është Bedri Hamza.

    Krasniqi theksoi se kësaj radhe për PDK-në, zgjedhjet lokale në Mitrovicë janë festë, sepse pas nëpërkëmbjes e degradimit të pashoq për tetë vite nga Agim Bahtiri, kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Bedri Hamza do ta vendosë këtë komunë në binarët e zhvillimit e progresit.

    “Vërtetë besoj me krejt qenien time që ky është një rast unik, që të gjithë së bashku t’i bashkojmë vullnetet dhe të mundësojmë qeverisjen që e nxjerrë Mitrovicën në një tjetër nivel dhe që qytetarëve të saj ua rikthen perspektivën e humbur. Ne e kemi në plan ta shërojmë Mitrovicën nga keqqeverisja kronike që e kanë sjellë ata njerëz, andaj mos lejoni që t’iu mveshin tregime të paqena, sepse e vërteta është një dhe është shumë e qartë. Bedri Hamza është njeri i Mitrovicës, para se të jetë njeri i PDK-së.”, tha ai.

    Krasniqi theksoi se nuk ka diçka që ju duhet qytetarëve të Mitrovicës, e që Bedri Hamza nuk do të ketë zgjidhje për të, prandaj ky është një rast unik për zhvillimin e Mitrovicës – qytetin e minatorëve, e zejtarëve e punëtorëve të zellshëm, për qytetin e sportit e kulturës, të traditës e zhvillimit.

    “Para se të jetë politikan shembullor, Bedriu është profesionist shembullor e punëtor i ndershëm, sepse gjatë gjithë jetës së tij kudo që ka qenë, e edhe në të ardhmen, ka qenë i vendosur për një qeverisje të ligjshme mbi çdo gjë dhe mbi çdokënd. Unë besoj shumë që të bashkuar, me vullnet për të ndryshuar qytetin dhe komunën tuaj, të gjithë së bashku mundemi dhe duhet që ta mbështesim Bedri Hamzën, ashtu që me datën 17 tetor të keni festë të gjithë ju, t’i jepni fund keqqeverisjes e t’i jepni fillim qeverisjes së mirë.”, tha ai.

    Kurse, lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka vizituar Fushë Kosovën komunë kjo që është qeverisur gjithnjë nga kjo parti.

    Ai i ka dhënë mbështetje në këtë garë Burim Berishës.

    “Sot, bashkë me Burimin, vizituam qendrën e vaksinimit në Fushë Kosovë. Aty falenderuam stafin shëndetësor për punën e palodhshme në vijë të parë. Nga aty, takuam dhe kandidatët tanë për asamble, në punën e secilit për ta mbyllur garën për Fushë Kosovë bindshëm e në raund të parë. Burimi është shtyllë; shtyllë e shtëpisë sonë politike. Si i tillë ai do të vazhdojë qeverisjen e mirë që ka transformuar tashmë Fushë Kosovën në një qytet me zhvillim për të gjithë.”, ka thënë Abdixhiku.

    Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj përmes një video deklarate, iu është drejtuar qytetarëve të Istogut për zgjedhjet e 17 tetorit.
    Haradinaj ka thënë se mburret me Istogun, njerëzit e zotë dhe resurset që ka, e gjithashtu si vendlindje e Presidentit historik Ibrahim Rugova.

    “Për t’u zhvilluar Istogu, sot kërkohen njerëz të zotë, të fuqishëm e vendimmarrës, kërkohet kryetari i komunës, Bekë Berisha” – tha mes tjerash Haradinaj.
    Ai ka siguruar qytetarët e Istogut se me Bekën Berishën kryetar dhe me ekipin rreth tij, Istogu do të kalojë komunat e tjera me zhvillim dhe do të jetë shembull i qeverisjes së mirë.

    Haradinaj tha se rreth Bekë Berishës janë mbledhur ekspertë të zotë, njerëz të dalluar dhe familjarë të mirë.

    “Me 17 tetor, ju e keni adresën e fitores, numrin 121 Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe kryetarin tuaj, Bekë Berisha, bashkë me kandidatët për Kuvendin Kominal”- ka përfunduar Haradinaj.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!