×
  • Lajme
  • Zgjedhjet Lokale 2021

    Kandidati i AAK-së për Kryetar Komune vazhdon t’i keqpërdorë fëmijët për fushatë zgjedhore

    Reporteri
    11 Tetor 2021 | 14:12

    Pavarësisht se përdorimi i fëmijëve nëpër fushata zgjedhore është i ndaluar me ligj, një gjë e tillë nuk po paraqet problem për kandidatin për kryetar të komunës së Deçanit nga radhët e AAK-së, Bashkim Ramosaj.

    Që nga fillimi i fushatës, në disa raste, Ramosaj ka mbajtur tubime në të cilat të pranishëm janë parë edhe fëmijë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Tubimi më i fundit është ai i mbajtur mëngjesin e djeshëm, ku Ramosaj, kryetar aktual i Deçanit, është takuar me bletarët deçanas.

    Në fotografitë e publikuara në Facebook nga vetë Ramosaj shihen dy fëmijë të pranishëm në këtë takim i cili është mbajtur në një sallë sportesh në një shkollë në Deçan.

    Rast të ngjashëm, Ramosaj ka përsëritur edhe para dy ditësh, përkatësisht më 9 tetor, me ç’rast për fushatë zgjedhore e ka vizituar klubin e kikboksit “Muay Thai Club Deçani & Kickbox Club Shkelzen Haradinaj” në Deçan.

    Po në këtë postim, Ramosaj ka publikuar fotografi me fëmijët që trajnohet për kikbosks në këtë klub, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    “#PërDeçaninSkaMeUndal. #AAK121✅ BR”, e përfundon postimin e Ramosaj, duke bashkangjitur fotografi me një grup fëmijësh.

    Ndryshe, sipas Ligjit për Zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, ndër veprimet e ndaluara të subjekteve politike gjatë fushatës zgjedhore është edhe nxitja e cilitdo person për të votuar në zgjedhje, i cili nuk ka të drejtë vote.

    Në zgjedhjet e fundit lokale në vend të mbajtura më 2017, sipas të dhënave të publikuara nga Rrjeti i organizatave të shoqërisë civile Demokracia në Veprim (DNV) është bërë e ditur se mbi 2000 fëmijë kanë marr pjesë në aktivitetet e partive politike.

    Gazeta Online Reporteri.net ka shkruar edhe javën që shkoi se si kandidati i AAK-së për Kryetar të Decanit, njëherësh edhe kryetar aktual i kësaj komune, po i keqpërdorë fëmijët për fushatë zgjedhore. /Reporteri.net/.

    Kandidati i AAK-së për kryetar të Deçanit i keqpërdorë fëmijët për fushatë zgjedhore – ky veprim është i ndalur me ligj

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!