Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ditën e djeshme nisi numërimin e votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimin e votave të subjekteve politike në Prishtinë, Lipjan, Obiliq dhe Partesh, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
KQZ ka njoftuar se për dallim nga tri komunat, në Prishtinë janë paraqitur probleme.
“Procesin e numërimit të votave të kanidatëve për deputetë dhe verifikimin i votave të subjekteve politike, kemi filluar gjatë ditës së djeshme në Qendrat Komunale të Numërimit në komunat:
Prishtinë, Lipjan, Obiliq dhe Partesh. Në QKN-të e Obiliqit, Lipjanit dhe Parteshit, procesi i numërimit dhe evidentimit të këtyre rezultateve në platformë elektronike dhe formularët digjital, është zhvilluar pa ndonjë problem, por në QKN-në e Prishtinës janë paraqitur probleme të herëpashershme”, thuhet nga KQZ-ja.
Por, pavarësisht kësaj, procesi i numërimit po vazhdon në këtë komunë, dhe gjatë ditës pritet të fillojë edhe në qndra tjera.
Lidhur me problemet e së dielës, ku faqja e KQZ-së nuk funksionoi për rezultatet preliminale, këta të fundit i kanë bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit dhe institucioneve tjera të sigurisë që të sqarojnë situatën, ndërsa për pasaktësinë lidhur me rezultatet preliminare të subjekteve politike dhe të pjesëmarrjes thuhet se do të ndërmerren të gjitha veprimet për tu bërë përmirësimet e nevojshme.
“Aktualisht, procesi i numërimit është duke u zhvilluar në këto Qendra Komunale të Numërimit dhe gjatë ditës do të fillojë edhe në qendra të tjera, për të cilat do të njoftojmë. Nisur nga fakti që të dielën në mbrëmje kishte probleme të mosfunksionimit të platformës për rezultatet preliminare, KQZ i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit dhe institucioneve tjera të sigurisë për ta sqaruar situatën dhe për mbështetje teknike. KQZ është vënë në dispozicion për bashkëpunim me të gjithë akterët relevantë dhe po punon që të përfundojë numërimi dhe adresimi i çështjeve teknike të mosfunksionimit.
“Ndërkaq, lidhur me rezultatet preliminare të subjekteve politike dhe të pjesëmarrjes, që gjatë këtyre ditëve janë evidentuar pasaktësi, KQZ njofton se janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet për të bërë përmirësimet e nevojshme dhe publiku do të njoftohet me kohë”, thuhet në reagimin e KQZ-së.
/Reporteri.net/