×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime / Dëshmi

    KEK shpërbleu me 138 mijë Euro tender “për vikend” përkrahësin e hershëm të Vetëvendosjes

    Autor:Lira Klaiqi
    12 Qershor 2025 | 18:59

    Me 139 mijë Euro tender e ka shpërblyer KEK-u një operator privat me një punonjës të vetëm të deklaruar në ARBK. Pronari i kompanisë fituese për furnizimin e KEK-ut me hidroksid natriumi për nevojat e termocentraleve Kosova A dhe B del të këtë pasur një të kaluar disi të lidhur më pushtetin politik në Kosovë. Të paktën si mbështetës.

    “Grami SH.P.K.”, një kompani private e themeluar në ARBK gushtin e vitit 2015, që për aktivitetet kryesor të biznesit e ka “tregtinë me shumicë të makinerive dhe pajisjeve”, javën e kaluar, më 5 qershor u shpërblye me hiç më pak se 139 mijë Euro tender nga Korporata Energjetike e Kosovës.

    Për këtë “shpërblim”, KEK-u përdori metodën e negocimit me operatorin privat që për gjatë tre muajve të ardhshëm obligohet ta furnizojë prodhuesin e energjisë elektrike në Kosovë me hidroksid natriumi për nevojat e Termocentraleve “Kosova A” dhe atij “Kosova B”.

    Për furnizimin me Hidroksid Natriumi, KEK në “tenderin urgjent për vikend” parashikoi fillimisht t’i shpenzojë 129 mijë euro. Por, kur të enjten e kaluar u njoftua për dhënien e kontratës vlera e përgjithshme e saj u paraqit për 9 mijë Euro më shumë, duke e kapur shifrën e 138 mijë Eurove.

    Gazeta online Reporteri.net, gjatë javës, ka kërkuar sqarime nga KEK-u në lidhje me tenderin dhe procedurën e negociuar që e kanë përdorur në këtë blerje, por deri në momentin e publikimit, mediumi nuk ka marrë përgjigje.

    Pronari i kompanisë furnizuese, mbështetës i hershëm i VV-së

    Tregtia me shumicë e produkteve kimike, është aktiviteti sekondar i regjistruar në ARBK për biznesin e Gramoz Ymerit, si i vetmi pronar i “Grami SH.P.K.”.

    Biznesin e tij si Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuara ai e regjistroi para 10 vitesh, në vitin 2015, dhe figuron si i vetmi pronar i saj, me 100% të aksioneve.

    Një kërkim i thjeshtë i gazetës online Reporteri.net në platformat sociale të Ymerit, rezultoi se i njëjti del të jetë mbështetës i hershëm i Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet, e cila “kontrollon” KEK’un përmes Bordit të emëruar nga Qeveria e Kosovës.

    Përkrahjen për partinë e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, Ymeri e tregonte edhe në disa postime të tij publike në profilin e tij në Facebook, qysh në vitin 2010.

    Gazeta online Reporteri.net ka provuar të kontaktojë me Ymerin dhe kompaninë e tij përmes e-mailit të prezantuar në dosje të tenderit dhe në faqen zyrtaren të biznesit, por i njëjti nuk është përgjigjur në pyetjet e mediumit nëse përkrahja e tij për VV-në ka ndikuar në përfitimin e tenderit, sikurse nuk ka dhënë as sqarime tjera.

    Bazuar në dosjen e tenderit, tek përshkrimi i çmimeve, KEK nuk ka vendosur çmim për njësi tek kërkesat e tyre. Aty vetëm përcaktohet sasia e hidroksid natriumit që është kërkuar për t’u furnizuar, e që rezulton të jetë 300 tonë.

    Në njoftimin për dhënien e kontratës, zyra e prokurorimit të KEK zbulon se për tenderin në fjalë ka negociuar veç me kompaninë përfituese.

    Aty u përmend edhe urgjenca për furnizim me hidroksid natriumi, shkaku i rezervave të pamjaftueshme për vikendin në të cilin u festua edhe festa e Kurban Bajramit.

    “Për shkak të urgjencës dhe rezervave të pa mjaftueshme për këtë vikend, A.K. do të vazhdoj menjëherë me nënshkrimin e kontratës”, ka njoftuar KEK-u në vendimin e 5 qershorit. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!