Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit Murat Dernjani, i cili është dënuar me 20 vjet burgim për veprën penale të krimeve kundër njerëzimit. Shpallja e aktgjykimit u bë nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Violet Namani Hajra, dhe anëtarët gjykatësit Rrahman Beqiri dhe Kushtrim Shyti.
Koha e kaluar në paraburgim do të llogaritet në dënimin e shqiptuar. Rasti është zhvilluar me dyer të mbyllura për publikun për shkak të ndjeshmërisë së lartë të çështjes dhe mbrojtjes së të dëmtuarve, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykata ka konstatuar se dëshmitë e të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, përfshirë ato të lexuara gjatë shqyrtimit gjyqësor, kanë qenë konsistente dhe të ndërlidhura me njëra-tjetrën.
Sipas vendimit, Murat Dernjani është identifikuar nga të dëmtuarit si përgjegjës për kryerjen e akteve të dhunës ndaj viktimave gjatë kohës kur ai ka vepruar në Siri dhe Irak. Gjykata ka vërtetuar se këto veprime përbëjnë shkelje të rënda të Konventës së Gjenevës dhe të drejtës ndërkombëtare.
Vendimi i gjykatës bazohet në provat e prezantuara, ku është konstatuar se i akuzuari ka kryer krime që bien ndesh me normat e të drejtës ndërkombëtare humanitare. Procesi gjyqësor është zhvilluar me respektimin e të gjitha procedurave ligjore, duke marrë parasysh ndjeshmërinë e rastit dhe mbrojtjen e të drejtave të viktimave. /BetimipërDrejtësi