Policia dhe Prokuroria e Kosovës në një konferencë për media kanë bërë të ditur se i dyshuari për vrasjen e trefisht në Gjilan, Mefail Shkodra – bashkë me dy djemtë e tij, Engjull dhe Edonis Shkodra – ka një të kaluar të madhe kriminale.
Drejtori i Policisë për rajonin e Gjilanit, Agron Rukiqi në një konferencë për media shpalosi të kaluarën kriminale të Shkodrës, që siç tha ai varion në lloj-lloj precedentesh penale.
“Personi i dyshuar që ka kryer veprën penale ka precedent penal. Ka raste për sulm në pesë raste, prishje e rendit dhe qetësisë publike në dy raste, fajde nëtri raste, mashtrim në një rast, kërcënim në tri raste, shantazh një rast, detyrim në dy raste. Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal një rast dhe ka kundërvajtje në komunikacion”, tregoi Rukiqi, duke thënë se Shkodra gjithsej i ka 31 raste.
“Për të gjitha rastet janë ndërmarrë veprimet nga ana e policisë dhe janë ngrit kallëzimet penale dhe rastet janë shpërfill tutje. Ne si polici konsiderojmë që e kemi kryer punën tonë”, tha ai.
Kurse, Prokurori i rastit, Isuf Sadiku, në konferencë tha se se është ende herët të dilet me qëndrim për motivet.
“Ju siguroj se rasti do të trajtohet me profesionalizem dhe seriozitet nga Prokuroria Themelore në Gjilan”, tha ai. /Reporteri.net/.