×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Raporto
  • Hulumtime / Muhabet eurosh

    BIRN, RTK-së: Edhe paret me përmbarues, edhe marrëveshje të re me pare

    Autor:Mentor Gjergjaj
    03 Shtator 2025 | 20:30
    BIRN, RTK-së: Edhe paret me përmbarues, edhe marrëveshje të re me pare - Reporteri
    Fotodizajn ilustrues

    175 mijë Euro po synon BIRN Kosova t’ia marrë Radio Televizionit të Kosovës, përmes përmbaruesit. Urdhri përmbarimor ka nisur qysh në vitin 2021, por rasti ka përfunduar në Gjykatën Komerciale, shkaku që RTK i konteston mbi 23 mijë Euro. Ende pa marrë epilog procesi, BIRN-i po kërkon rikthimin e emisioneve të saj në RTK1 për 105 mijë Euro në vit. Mbi 2.1 milionë është vlera në Euro që BIRN Kosova i ka marrë nga RTK-ja për shërbimet e saj për transmetuesin publik, pa u llogaritur njëqindeshtatëdhjetepesë-mijëshja që ka shkuar në gjyq për përmbarim.

    Kur më 30 qershor 2025 filiali në Kosovë i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN Kosova, dorëzoi në RTK kërkesën për rikthimin e dy emisioneve të saj në kanalin e parë të mediumit publik, të njëjtit ishin në pritje të një vendimi nga Gjykata Komerciale e Kosovës, rreth një procesi përmbarues pikërisht me Radio Televizionin e Kosovës.

    Vetëm 15 ditë më vonë, Komercialja nxori një aktvendim rreth këtij kontesti përmbarimor mes “bashkëpunëtorëve” për një shumë të konsiderueshme parash.

    BIRN Kosova pretendon se RTK-ja i ka borxh 175 mijë Euro për prodhimin e emisioneve “Jeta në Kosovë” dhe “Drejtësia në Kosovë”, që i shfaqi në kanalin e parë të mediumit publik, për periudhën shtator 2017 deri në maj të 2020-ës, kur njëanshëm nga RTK-ja u shkëput bashkëpunimi.

    Aktvendimi i 14 korrikut 2025 zbulon se BIRN Kosova e kishte çuar RTK-në në përmbarim qysh më 25 shkurt 2021, për 21 fatura të papaguara.

    Por, RTK-ja e kishte kundërshtuar përmbarimin, nën pretendimin se një pjesë e tyre ishin parashkruar. Rasti kishte kaluar për trajtim në Gjykatën Komerciale, e cila konfirmoi në shkallën e parë se 5 faturat që BIRN Kosova ia lëshoi RTK-së gjatë viteve 2017–2018, që kapin vlerën e 23,600 Eurove janë parashkruar sipas ligjit.

    “Gjykata gjeti se prapësimi është i pjesërisht i bazuar dhe urdhri përmbarimor duhet të anulohet pjesërisht”.

    Aktvendimi i Komerciales obligon televizionin publik të shlyejë përmes përmbarimit borxhin 151,400 Eurosh të RTK-së ndaj BIRN-it, për 16 faturat tjera të pranuara nga mediumi publik në periudhën 2018-2020.

    “[…] ne kemi paraqitur ankesë në gjykatën e apelit dhe jemi në pritje të vendimit”, thotë Kreshnik Gashi nga BIRN Kosova. Nga RTK-ja se kanë komentuar aktvendimin.

    Nga viti 2006 deri në vitin 2022, BIRN Kosovës i janë paguar 2,172,407.70 Euro nga RTK-ja, prej 2,347,407.70 Euro në total sa i obligohet Radio Televizioni i Kosovës organizatës së njëjtë për shërbimet që i ka marrë për 14 vite sa janë shfaqur prodhimet e saj në kanalin e parë të transmetuesit publik.

    Situatës së përballjes së RTK-së me përmbarues i druhej qysh në vitin 2018, Fadil Hoxha, atëkohë si kryesindikalist i punëtorëve të mediumit publik e kundërshtar i produksioneve të pavarura në Radio Televizionin e Kosovës. Sot një promovues i hapur për kthimin e emisioneve të BIRN-it në RTK.

    “Kur t’don Jeta Xharra na falimenton me përmbarues privat, na i marrin paret e pagave, edhe na pa paga nuk punojmë. RTK falimenton” – deklaronte Hoxha në një paraqitje të tij në Kuvend, para komisionit parlamentar.

    Një urdhër përmbarimi ndaj RTK-së, rrjeti mediatik i Jeta Xharrës e aplikoi edhe në prill të vitit 2022. Shuma e parave që u tërhoqën nga xhirollogaria e mediumit publik, përmes përmbaruesit ishte 24 mijë e 696 Euro.

    “Qe një marrëveshje…”

    Fshirja e mbi 23 mijë Eurove për shkak të parashkrimit nuk mbetet telashja e vetme e BIRN Kosova, në lidhje me marrëveshjen e vitit 2017 për bashkëpunimin me RTK-në.

    Arsim Halili, drejtor i Radio Kosovës, thotë se ka gjetur parregullsi në procesin e bashkëpunimit mes RTK-së dhe BIRN-it në vitin 2017.

    “Dmth, më 28 prill 2017 e ka bo kërkesën në RTK, me urgjencë po atë ditë u shqyrtu kërkesa, u miratu edhe u lidh tu-xharrllaku për 80 mijë euro. (Kujtojmë se orari administrativ është 8 orë. Sigurt nuk e ka dërgu kërkesën as n`8-të mëngjesit. Me këtë po du me tregu me sa urgjencë u marr vendimi). Vendimi ka hyrë në fuqi prej muajit maj 2017, (siç e shihni bashkangjitur) ndërsa e ka pasë një kontratë paraprake valide me RTK deri më 30 qershor 2017”, akuzon Halili në një postim të tij në Facebook, më 14 gusht 2025.

    “Të pavërteta të mëdha” i konsideron autori i emisionit “Drejtësia në Kosovë” pretendimet e kolegut të tij gazetar që sot drejton radion publike.

    “Në asnjë mënyrë procesi i nënshkrimit të kontratës tonë nuk është përmbyllur brenda një dite”, insiston Kreshnik Gashi, derisa shpjegon procedurën që BIRN Kosova, sipas tij, e kishte nisur më 28 prilli 2017 dhe thotë se ka zgjatur për tre muaj, deri më 6 korrik të atij viti kur ishte finalizuar me nënshkrimin e kontratës me RTK-në.

    “[…] për vëmendjen tuaj procesi i përgaditjes së materialeve tenderuese ka zgjatur në RTK rreth 24 ditë pune. Me datë 23 maj 2017 nga përgjegjësi i prokurimit është pranuar dosja e tenderit të cilën e kemi bashkangjitur në emaillin tonë. […] Pas dorëzimit të dosjes së tenderit, RTK ka vazhduar me procedurat e brendshme të prokurimit. Me datë 31/05/2017 RTK ka publikuar në platformën e e-prokurimit njoftimin për dhënie të kontratës […]. Siç e dini, bazuar në Ligjin e Prokurimit Publik, secila palë e interesit ka të drejtë të ankohet pas publikimit të njoftimit për dhënie të kontratës. Në rastin konkret nuk ka pasur asnjë ankesë”.

    Arsim Halili insiston se në vitin 2017, kërkesa e BIRN-it, mbledhja e Komisionit, shqyrtimi dhe vendimi janë kryer brenda një dite. Shpjegon edhe atë që e quan “thelb i problemit”.

    “Procedurat e mëvonshme ju kanë shërbyer vetëm për ta kamufluar një marrëveshje të mbyllur që në ditën e parë, brenda ditës”, deklaron për gazetën online Reporteri.net, gazetari Arsim Halili.

    “Madje edhe çmimi për njësi, për dy emisionet, është caktuar sipas kërkesës së produksionit të huaj. Ky është thelbi i problemit dhe shkeljes që tregon për një proces të kurdisur e të manipuluar”, shton drejtori i Radios Kosovës, që nxori në publik vendimin e RTK-së të 28 prillit 2017, ku konstatohej e pranueshme “si në aspektin programor, financiar” kërkesa e BIRN-it për vazhdimin bashkëpunimit me transmetuesin publik e protokolluar në të njëjtën datë.

    Halili në publikimin e tij në Facebook, më 14 gusht 2025, “evidenton” edhe një siç thotë ai shkelje tjetër ligjore “me dyshime të arsyeshme për vepra penale dhe korruptive” në procedurën e arritjes së vazhdimit të marrëveshjes mes BIRN Kosova dhe transmetuesit publik, në vitin 2017.

    Thotë se emisioneve “Jeta në Kosovë” dhe “Drejtësia në Kosovë” ua dha hapësirën RTK-ja pa hapur thirrjen për Përzgjedhjen e Veprave Audio-vizuale, siç e obligon ligji.

    “Neni 12 i Ligjit për RTK-në (Ligji nr.04/L-046) obligon të hapet konkurs për veprat adiovizuele. Nuk është hapur konkursi! A e dini çka ka bo Jeta me ish-menaxhmentin e RTK-së të asaj kohe?! E ka kry punën për një ditë! Rrap-tap, e i ka rru 80 mijë euro të qytetarëve”, akuzon Haliti drejtuesen e BIRN-it, gazetaren Jeta Xharra dhe ish-menaxhmentin, në një postim të tij në Facebook, më 14 gusht 2025.

    Sipas Kreshnik Gashit, thirrja publike në fjalë “në vazhdimësi ka qenë e hapur në faqen e RTK-së”, deri në vitin 2021 kur u mbyll pas ndryshimeve në bord dhe menaxhment të RTK-së.

    “Ne kemi përdour atë link për të dorëzuar aplikimin tonë”, thotë autori i “Drejtësia në Kosovë”.

    Zhdukje e e-mail’ave, apo muhabete kafenesh?

    Kur Kreshnik Gashit i kërkohet që ta dëshmojë thirrjen e aplikimit në vitin 2017, ai lëshon pretendimin se arkivi i komisionit për veprat audio-vizuele është fshirë nga “arkivi digjital” i e-maileve të RTK-së.

    E identifikon edhe, sipas tij, ‘urdhërdhënësin’ e këtij veprimi.

    “Fatkeqësisht ne nuk kemi qasje në domenin e RTK-së për ta kthyer faqen në përmbajtjen e saj të vitit 2017, ndërsa me vendim të z. Shkumbin Ahmetxhekaj të gjitha veprimet e ndërrmarra nga komisioni për vlerësimin e veprave audio-vizuele janë fshirë”.

    Fjala është për fshirjen e adresës elektronike “kuadrivizual@rtklive.com”, nga shërbimi “cloud” që RTK-ja e përdorë si bazë e të dhënave dhe komunikimeve përmes postës elektronike të personalizuar. Adresa përdorej nga Komisioni për vlerësimin e Veprave Audio-Vizuele, deri kur ato që quheshin prodhimet e jashtme në RTK, në vitin 2022, nuk u vazhduan me ndërrimin e bordit dhe menaxhmentit, e që rrjedhimisht posta elektronike e këtij komisioni ishte jo funksionale, sikurse edhe vetë komisioni që u shpërbë.

    Ish-drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj thotë se të paktën sa ka pasur ai pozitën e drejtuesit, mediumi publik “nuk ka ‘arkiv digjital të e-maileve’ për asnjë proces“.

    Shpjegon se çdo konkurs, shpallje, thirrje, “apo e ngjashme“, dokumentohet dhe legjitimohet vetëm pasi të protokolohet dhe ruhet në format hardcopy në administratën e RTK-së.

    “Në vitin 2022, departamenti i IT-së në RTK më ka njoftuar se kanë marr njoftim zyrtar nga Google, se për vazhdimin e funksionimit të emailave që ishin në përdorim, RTK duhet të filloj të paguaj. Lidhur me këtë njoftim kemi diskutuar në mbledhje të menaxhmentit, me datë 13.03.2022 dhe një ndër propozimet e anëtarëve të Menaxhmentit ka qenë që me qëllim të racionalizimit të shpenzimeve, të hiqen nga përdorimi emaila të panevojshëm, të cilët janë krijuar ad hoc. Në listën që më është dorëzuar, kemi vendosur të largohen qindra emaile inaktive“, thotë Ahmetxhekaj.

    Të kontaktuar nga gazeta online Reporteri.net, nga RTK-ja, as drejtori i përgjithshëm aktual e as bordi, nuk janë përgjigjur në lidhje me këtë rast, sikurse edhe në gjitha pyetjet tjera që mediumi i ka adresuar për përgjigje nga Radio Televizioni i Kosovës, përkundër disa insistimeve.

    “Pra, arkiva digjitale’ dhe ‘fshirja e qëllimshme’’ janë shpikje për qëllime të shpifjeve dhe krijimit të një narracioni të rremë për tentim fshehje ose fshirje të dokumenteve“, thotë Shkumbin Ahmetxhekaj.

    Derisa Gashi, nga BIRN Kosova, pohon se “zhdukjen” e arkivit zyrtar të RTK-së, BIRN do ta denoncojë edhe në Prokurori të Shtetit.

    Thotë se veç materialeve të vitit 2017, fshirja e materialeve pa arkivim “në sirtarë të këtij e-maili”, BIRN-it i çoi dëm edhe kërkesën e vitit 2021 për vazhdimin e shfaqjes së emisioneve të saj në RTK, ndaj edhe në qershor të këtij viti riinicuan procedurën e aplikimit e cila vazhdon të jetë në shqyrtim nga komisioni.

    Në vitin 2021, Shkumbin Ahmetxhekaj nuk kishte qenë ende drejtues i RTK-së. Tek në janar të vitit 2022, ai u emërua, fillimisht si ushtrues i detyrës së drejtorit të Përgjithshëm i RTK-së, deri më 20 qershor 2022 kur ai u zgjodh Drejtor i Përgjithshëm i RTK-së, me mandat tre vjeçar. Por, më 7 korrik 2024 e njoftoi dorëheqjen, duke shpërfaqur publikisht ndërhyrjet dhe kontrollin e pushtetit të Lëvizjes Vetëvendosje, në RTK.

    “BIRN pas pranimit të këtij informacioni e ka njoftuar menaxhmentin e RTK-së se do të iniciojë rast penal për këtë çështje, duke kërkuar llogari për zhdukjen e paprecedentë të aplikimit tonë të vitit 2021. Duke pasur parasysh që aplikimi ynë është zhdukur dhe jemi përballur me një heshtje administrative, ne kemi riiniciuar procedurën e aplikimit, duke kërkuar nga RTK që të trajtojë kërkesën tonë dhe të na ofrojë një përgjigje”, deklaron Kreshnik Gashi për Reporteri.net.

    Komunikimet e ndërsjellta, mes dërguesit dhe marrësit, ruhen në databazat e postës elektronike të secilës palë, dhe fshirja e njëanshme e “arkivës” nuk nënkupton edhe fshirjen e databazës së personalizuar të palës tjetër.

    “Ankesat lidhur me proceset konkuruese kanë afatet e tyre ligjore dhe këto bëhen përmes administratës së RTK-së“, shpjegon ish-drejtori i përgjithshëm.

    “Të tjerat janë përralla dhe imagjinata të bazuara në muhabete kafenesh“, shtoi Ahmetxhekaj.

    Sinjalizues dhe (pa)testikuj

    “Krimi mbi sinjalizuesit” titullohet emisioni i transmetuar më 7 shkurt 2023 në kuadër të produktit medial të BIRN-it, “Kallxo Përnime”. Në rreth 1 orë e 18 minuta, aty trajtohen problemet e sinjalizuesve në Kosovë, se si lëndët nëpër gjykata ku sinjalizuesit kanë kërkuar mbrojtje po marrin përgjigje “shumë të ngadalta nëpër gjykata”, se si njerëzit që caktoheshin për t’i mbrojtur sinjalizuesit nëpër institucione ishin të lidhur me partitë politike dhe pushtetin në Kosovë, e si stigmatizohen si “shpijunë” dhe pengesa tjera që i hasin nëpër vendet e tyre të punës sinjalisuesit në Kosovë.

    “Mbrojtja e sinjalizuesve është një nder kushtet kryesore për të garantuar hapësirë e cila lufton korrupsionin. […]. Çka duhet me bo për me ç’kap sinjalizimin, çka duhet me bo për me e mbrojt sinjalizuesin në shtetin tonë, çka duhet me ndodhë që secili me kuptu rëndësinë e këtij mekanizimi”, thuhej në fjalën hyrëse të emisionit i organizuar në formë debati.

    Autore sikurse moderatore e këtij emisionit ishte vetë Jeta Xharra, drejtoreshë ekzekutive e BIRN Kosova.

    Vetë gazetarja e cila në fund emisionit të saj sinjalizuesit i konsideronte heronj, dhe fascinohej nga ta se si “po e rrezikonin vetën për të mirën e përgjithshme”, dy vite e disa muaj më vonë u përfshi në sulme verbale e gjuhë fyese ndaj një sinjalizuesi potencial, që ngriti dyshime për keqpërdorime në RTK, përmes një procesi ku përfshihet edhe BIRN-i.

    “Keq” si la as mediumet që i transmetuan pretendimet e Arsim Halilit.

    Degradoi deri në sulme me gjuhë seksiste.

    “Djema, se gjith qe po na shani, jeni djema (pa k*qe normal, se ju kisha thirr Burra perndryshe)”, shkroi Xharra në Facebook, më 12 gusht 2025, në një reagim të saj ku përveç Arsim Halilit që e çuan “drejtor i lodht”, përmenden edhe mediat private: Insajderi, Nacionale, Gazeta Express e Infopress.

    Krahas këtij postimi, portali “Kallxo.com”, produkt i BIRN Kosova, Halilin e atakoi edhe me dy komunikata të lëshuara në formë reagimi, më 12 gusht 2025 e para dhe e fundit më 14 gusht 2025.

    Pos drejtorit të Radio Kosovës, komunikata e dytë atakonte edhe mediat që transmetonin pretendimet e tij të publikuara në Facebook.

    “Shpifjet e z. Halili janë ritransmetuar, pa verifikim, nga disa media që po mbështesin një fushatë të organizuar shpifjesh ndaj emisioneve “Jeta në Kosovë” dhe “Drejtësia në Kosovë”, fushatë e sponsorizuar nga aktorë të parapolitikës dhe grupe të bizneseve korruptive”.

    “TRANSPARENCA dhe LIGJI janë mbrojtja ime”, iu kundërpërgjigj Halili Jeta Xharrës dhe BIRN-it më 18 gusht 2025, derisa denoncon siç i quan ai “cicërimat e orkestruara të fushatës baltosëse, linçuese, të mbushura me shpifje, seksizëm e mizandri”.

    Në emisionin e njëjtë, të 7 shkurtit 2023, flitet edhe për “hakmarrjen dhe degradimin” e Fadil Hoxhës si sinjalizues brenda RTK-së. Ish-kryesindikalisti, tash është këshilltar i u.d. të Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, përmes një vendimi të dyshimtë ligjor.

    Ligji nr. 06/l -085 për Mbrojtjen e Sinjalizuesve i miratuar dhe hyrë në fuqi në fund të vitit 2018, në paragrafin e parë të Nenit 3 rregullon përkufizimin se “Sinjalizues” është dhe mund të konsiderohet “çdo person i cili raporton ose shpalos informacione për një kërcënim ose cenim të interesit publik në kontekstin e marrëdhënies së vet të punës në sektorin publik ose privat”.

    I njëjti ligj, në Nenin 9.3, mbron sinjalizuesit ndaj paragjykimit dhe parasheh qartë se “Sinjalizuesi nuk është i detyruar të provojë mirëbesimin dhe vërtetësinë e informacionit të sinjalizuar”.

    Gjithashtu, Neni 9, garanton se “Sinjalizuesi që raporton ose shpalos informata në pajtim me dispozitat e këtij ligji, nuk mund të jetë subjekt i përgjegjësisë penale ose civile apo procedurave disiplinore”.

    Përkundër përkufizimeve ligjore, BIRN Kosova ka paralajmëruar padi për shpifje ndaj Arsim Halilit. Ky i fundit i është kundërpërgjigjur edhe këtij paralajmërimi: “Kërcënimet me padi të tipit SLAPP nuk më bëjnë aspak përshtypje, sepse kam në dispozicion një arsenal faktesh dhe dokumentesh konkrete që dëshmojnë për implikime dhe shkelje të vazhdueshme ligjore”.

    Paditë SLAPP konsiderohen paditë strategjike që përdorën nga individë, kompani, apo grupe tjera të fuqishme e të interesit, të cilat përmes tyre synojnë frikësojnë, heshtin ose diskreditojnë gazetarët, aktivistët, sinjalizuesit apo qytetarët që shprehen në lidhje me çështjet me interes publik, me qëllim shpenzimin e kohës, energjisë dhe resurseve të palës së paditur në mënyrë që ai/ajo të tërhiqet ose të ndalojë aktivitetin e tij/saj.

    Kundër “portretizimit” të Halilit si sinjalizues është Kreshnik Gashi nga BIRN Kosova. I tillë sipas tij u paraqit nga një OJQ që thotë se është themeluar nga një gazetare e Klan Kosovës, “televizion ky i identifikuar si i lidhur me kompaninë Devolli”.

    Gjithashtu, për Halilin thotë se “ishte subjekt i disa raportimeve për keqpërdorimeve në kallxo.com”, duke iu referuar artikujve të datë 13 korrik 2022 dhe 1 shtator 2023.

    Për Kreshnik Gashin “është e qartë që fushata e z. Halilit është një fushatë hakmarrëse për punën tonë profesionale”.

    “Gjatë procesit të monitorimit të bordit të RTK-së, kemi ndjekur aplikimet dhe kemi raportuar për procesin e emërimit të z.Halili në pozicionet e tij. Në hulumtimin tonë të detajuar për televizionin e burrave janë publikuar fakte se si u diskrimunuan gratë dhe cili ishte procesi i emërimit të Arsim Halilajt në krye të Radio Kosovës. Në këtë hulumtim ishte përmendur edhe vendimi disiplinor për Arsim Halilajn i cili ishte ndëshkuar nga RTK dhe nga KMSHK për përdorim të gjuhës seksiste ndaj komuntetit LGBTI+ gjatë vitit 2016”.

    Arsmi Halili, në vitin 2016 ishte degraduar nga komisioni disiplinor i RTK-së, pasi kishte paraqitur komente homofobike në profilin e tij në Facebook. Për gjuhën e tij “të papranueshme, madje denigruese ndaj komunitetit LGBTI”, kishte reaguar edhe Këshilli i Mediave të Shkruara (KMShK).

    Një vit e më shumë para publikimit të hulumtimit të gazetarëve Jeta Xharra dhe Mediana Halili për procesin e përzgjedhjes së udhëheqësve burra në RTK, dy kolegë tjerë gazetarë nga gazeta Nacionale – Mirlind Behluli & Flakon Demaku – po raportonin për një ngjarje “të pazakontë” tentative për ndërhyrje nga jashtë në procesin e përzgjedhjes së drejtuesit kryesor të RTK-së.

    Raportimi pretendonte se Xharra kishte një të parapëlqyer për drejtor të përgjithshëm të RTK-së.

    “Nëpërmjet takimeve joformale me disa anëtare të Bordit të RTK-së, Xharra ka tentuar të ndikojë në favor të kandidatit të saj të preferuar, Fadil Hoxhës, që aktualisht është kryetar i Sindikatës së Pavarur të RTK-së”, thuhej në artikullin e publikuar në Nacionale më 16 korrik 2022.

    Takimi, sipas mediumit, ishte mbajtur në dhjetor të vitit 2021, në konakun e Xharrës, pak ditë pasi u votuan anëtarët e rinj të Bordit të RTK-së.

    “Në banesën e Xharrës, krahas saj, tri anëtaret e Bordit po i priste edhe Fadil Hoxha, që muaj më vonë do t’i hynte garës për drejtor të RTK-së, të cilën do ta shpallte Bordi i RTK-së. Tema kryesore e diskutimit, natyrshëm ishte përzgjedhja e drejtorit të RTK-së”.

    [Ky artikull është vazhdim i atij të publikuar më 22 gusht 2025, me titull: “BIRN-i i Jeta Xharrës i do 105 mijë Euro në vit për kthimin e emisioneve në RTK“].

    *Versioni i parë i artikullit ka dalë me një lëshim teknik në artikulimin tek fjalia “Kur Kreshnik Gashit i kërkohet që ta dëshmojë thirrjen dhe aplikimin e vitit 2017 […]”, në vend se të formulimit: “Kur Kreshnik Gashit i kërkohet që ta dëshmojë thirrjen e aplikimit në vitin 2017 […]”. Përmirësimi është bërë menjëherë pasi është vërejtur vetë nga autori.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!