×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Detajet

    Vazhdon hallakama: Rilind Gërvalla denoncoi në Polici Hysen Hundozin, hetuesit lypin dokumente nga RTK-ja

    Reporteri
    13 Nëntor 2025 | 21:11

    Rilind Gërvalla, drejtor i televizionit, insiston se Hysen Hundozi nuk ka më kompetencë për të ushtruar detyrën e drejtorit të përgjithshëm. Përveç kërkesave përmes email-it që i ka dërguar Hundozit për lirimin e zyrës, Gërvalla e ka denoncuar Hundozin edhe në Policinë e Kosovës.

    “Unë e kam bërë denoncimin përmes email-it dhe nuk kam informacion të mëtejshëm. Askush nuk më ka kthyer përgjigje. Kjo u bë për të njoftuar rastin, pasi përgjegjësia ime është vetëm për veturat, objektin dhe programin; për çështjet financiare përgjegjës janë drejtoritë përkatëse, jo unë,” konfirmoi Gërvalla për Gazetën Online Reporteri.net.

    Pas denoncimit të Gërvallës, Policia ka kërkuar disa dokumente dhe informacione lidhur me legjitimitetin e Hundozit si udhëheqës i përkohshëm i RTK-së, merr vesh gazeta online Reporteri.net. Megjithatë, menaxhmenti dhe bordi i RTK-së nuk kanë arritur pajtueshmëri se kush dhe çfarë t’i përgjigjet hetuesisë.

    Ndërkohë, të enjten mediat raportuar se Policia e Kosovës kanë shkuar edhe fizikisht në RTK për t’i marrë disa dokumente. Gërvalla e ka mohuar këtë.

    “Nuk besoj që kanë qenë aty. Askush nuk më ka informuar që ka ardhur policia dhe askush nuk më ka raportuar zyrtarisht,” tha ai.

    Po ashtu, edhe raportimet se Hysen Hundozi është shoqëruar në polici janë mohuar nga vetë ai:

    “Në zyrën time nuk ka ardhur policia dhe as nuk më kanë kontaktuar. Për televizionin nuk mund ta konfirmoj; për mua personalisht nuk ka asgjë nga ajo që është raportuar”, tha Hundozi për Reporteri.net.

    Gazeta online Reporteri.net gjatë javës ka pyetur Bordin e RTK-së për përfundimin e mandatit të Hundozit, por deri tani nuk ka marrë përgjigje, duke mos treguar nëse mandati i tij është vazhduar, apo nëse kanë caktuar ndonjë pasues.

    Hysen Hundozi, më 31 tetor e ka përfunduar zyrtarisht mandatin e tij të dytë të për përkohshëm, 6 mujor.

    Gazeta Online Reporteri.net javën që shkoi ka raportuar për një përplase mes Hundozit e Gërvallës, përmes komunikimeve zyrtare me e-mail.

    Sipas raportimit, Gërvalla i kërkoi Hundozit të lirojë zyrën e Drejtorit të Përgjithshëm, duke argumentuar se mandati i tij ka përfunduar më 31 tetor dhe bordi nuk ka nxjerrë vendim të ri.

    “Liroje zyrën TANI!” – “luftë” në RTK se kush është shefi mes Rilind Gërvallës dhe Hysen Hundozit

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!