×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / “Baltosja mercenare”

    Biznesi ku ka hise gruaja e Lumir Abdixhikut, ZRrE: Nuk ka licencë për tregti të energjisë elektrike

    Reporteri
    24 Shkurt 2026 | 15:41

    Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka njoftuar se biznesi ku ka pronësi edhe Albina Kastrati Abdixhiku, gruaja e kreu të LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk ka aplikuar ndonjëherë në këtë rregullator për licencim për prodhim, tregtim apo transmetim të energjisë elektrike.

    “Sipas të dhënave të regjistrit të aplikimeve për licencim, subjekti “AMPERA GROUP SH.P.K.” nuk ka paraqitur aplikim për licencim në Zyrën e Rregullatorit për Energji”, ka njoftuar ZReE, të martën, në një përgjigje për gazetën online Reporteri.net.

    Regjistri i ZRrE-së është publik, – në ueb-sajtin organit të pavarur, i cili ka për detyrë të rregullojë aktivitetet në sektorin e energjisë në Kosovë, – dhe as aty, “Ampera Group”, nuk figuron tek kompanitë e licencuara, aktive dhe jo aktive, të energjisë elektrike.

    Por ndryshe u raportua të hënën mbrëma në disa media, ku u pretendua se Albina Kastrati Abdixhiku, në prill të vitit 2024, ka regjistruar një kompani, që sipas raportimit, duke u thirrur në regjistrin në ARBK, “merret me prodhim, transmetim dhe tregtim të energjisë elektrike”.

    Pronësinë e biznesit “Ampera Group”, Kastrati Abdixhiku e ndanë me tre familjarë tjerë të saj. Secili, sipas regjistrimit në ARBK i ka nga 25% të hises në biznesin që aktivitet kryesor ka “instalimet elektrike”.

    Në lidhje me këtë biznes, është deklaruar edhe Lumir Abdixhiku, i cili ka mohuar që kompania ku ka hise guraja e tij, merret me tregti të energjisë elektrike.

    “Jo, jo. Nuk ka kompani të tregtimit të rrymës, është e pavërtetë. Nuk ka tregtim të energjisë elektrike. Gabim e keni. Është kompani elektrike, po jo për tregti. Është licencë e veçantë, kuptoni”, tha i pari i LDK-së, të hënën, para gazetarëve.

    Në ueb-faqen zyrtare të biznesit në fjalë, kompania prezanton si punë të saj “instalimet elektrike për ndërtesa rezidenciale, tregtare dhe industriale”; “instalimet dhe përmirësimet e pajisjeve elektrike” dhe “mirëmbajtjen dhe zgjidhjen e problemeve elektrike me ndihmën elektrike”. Kryesisht, aty promovohen shërbimet që lidhen më atë që quhet “energjia e së ardhmes”, apo instalimet e sistemeve solare të energjisë diellore.

    Biznesi e ka bazën në Prishtinë.

    Raportimet e së hënës, vunë në fokus aktivitetet tjera të biznesit të paraqitura në regjistrin e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës, që një prej tyre ishte edhe “tregtia e energjisë elektrike”, pa e përmendur faktin se për të kryer shit-blerje të rrymës një kompanie i duhet licencimi nga ZRrE-ja, dhe se nuk i mjafton veç regjistrimi në ARBK.

    Kreu i LDK-së ka njoftuar se Albina Kastrati-Abdixhiku do të “ngrejë padi gjyqësore ndaj shpifësve”. Krejt raportimet rreth saj i ka quajtur “baltosjeje mercenare”. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!