Përfaqësuesja e Kosovës në futboll e fitoi të enjten mbrëma ndeshjen kundër Sllovakisë me rezultat 4:3 për të arritur në finale të plejofit kualifikues për Kupën e Botës 2026.
Për këtë rezultat historik, Kombëtarja e Kosovës do të shpërblehet me 500 mijë euro, shkruan Reporteri.net.
Ky zotim është bërë nga Kryeministri Albin Kurti, në nëntor të vitit të kaluar.
E sot, Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se vendimi për ndarjen e shpërblimit prej 500 mijë euro për fitoren e mbrëmshme të Dardanëve do të miratohet të hënën, në mbledhjen e Qeverisë.
“Mirëmëngjes fitues!Me kërkesë të Kryeministrit, vendimin për ndarjen e shpërblimit prej 500k euro për fitoren e mbrëmshme të Dardanëve do ta kemi gati për miratim të hënën në mbledhje të Qeverisë”, ka shkruar Murati.
E në rast të kualifikimit për Kupën e Botës, Kurti kishte premtuar 1 milionë euro tjera.
Fitorja ndaj Sllovakisë është arritja më e madhe deri më tani për Kosovën.
Finalen për një biletë për Botërorin që mbahet këtë vit në SHBA, Meksikë dhe Kanada, Kosova e luan të martën në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.
Përballë do ta ketë Turqinë, e cila po të enjten mposhti Rumaninë në Stamboll me rezultat 1:0./Reporteri.net/
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.




