Pas Aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila e konsideroi të papranueshme kërkesën e Presidentes Vjosa Osmani lidhur me anëtarët në KQZ, Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga Osmani që ta emërojë anëtarin e dytë të kësaj partie në KQZ, shkruan Reporteri.net.
Në reagimin e PDK’së thuhet se ky vendim konfirmon qartësinë e rendit kushtetues dhe përcakton rolin e institucioneve në procesin e emërimeve në institucionet e pavarura.
“Pas këtij aktvendimi, PDK i kërkon Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, emërimin e menjëhershëm të anëtarit të saj të dytë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe praktikën e deritashme institucionale”, thuhet në reagim.
Më tej thuhet se “bonesat e mëtejshme në këtë proces janë të pajustifikueshme dhe cenojnë funksionimin e rregullt të institucioneve zgjedhore”.
“Respektimi i Kushtetutës dhe garantimi i përfaqësimit të drejtë politik në KQZ janë obligime për të gjitha institucionet përgjegjëse. Partia Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar për forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe funksionimin efektiv të institucioneve të vendit”, theksohet në reagim.
Në vendimin e gjykatës thuhet se kërkesa është e papranueshme dhe Gjykata e refuzon kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme.
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, më 30 mars 2026, ka vendosur për kërkesën me numër të rastit KO81/26, të parashtruar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, për vlerësimin e “konfliktit në mes të kompetencave kushtetuese sipas nenit 113 (3) (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, përkatësisht në mes të parashtrueses së kërkesës dhe “grupeve parlamentare si trupa të Kuvendit të Republikës së Kosovës” në ndërlidhje me emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”./Reporteri.net
Kushtetuesja e konsideron të papranueshme kërkesën e Presidentes për anëtarët e KQZ-së