Këngëtari i njohur kosovar, Yll Limani, po zhvillon dy koncerte radhazi në Prishtinë këtë fundjavë, ngjarje kjo që ka zgjuar vëmendje të madhe te publiku dhe mediat vendore.
Interesi i lartë i adhuruesve të muzikës së tij ka bërë që organizimi të shtrihet në dy netë të njëpasnjëshme, duke premtuar një nga ngjarjet më të mëdha muzikore të periudhës në kryeqytet, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Në rrjetet sociale, Yll Limani ka ndarë me ndjekësit e tij sekuenca nga përgatitjet intensive dhe provat gjenerale përpara ngjitjes në skenë. Artistit i është dashur të konfirmojë datën e dytë pas shitjes së shpejtë të biletave për natën e parë, gjë që dëshmon edhe një herë popullaritetin e tij të madh në skenën muzikore kosovare.
Mbajtjen e koncerteve të këtij niveli, Komuna e Prishtinës, po e sheh si pjesë e angazhimit për promovimin e kulturës dhe kthimin e kryeqytetit në një pikëtakim për artdashësit.
“Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, priti sot në takim këngëtarin e mirënjohur Yll Limani, të cilit i ndau mirënjohje për kontributin e çmuar në art dhe kulturë. Kryetari Rama e falënderoi Limanin për promovimin e muzikës shqiptare, përfaqësimin dinjitoz të Prishtinës dhe frymëzimin që u përcjell brezave të rinj përmes këngëve të tij. Ylli mbetet një prej zërave më të dashur të muzikës shqiptare dhe një ambasador i denjë i talentit dhe kulturës sonë“, thuhet në një postim në faqen zyrtare të Komunës së Prishtinës, pas një pritje që Rama i ka bërë Limanit në zyrën e tij.
Dy netët e koncerteve pritet të sjellin një përmbledhje të hiteve më të suksesshme të Yll Limanit ndër vite, si dhe baladat e tij më të pëlqyera. Me të gjitha përgatitjet e përfunduara, kryeqyteti është gati për të mirëpritur këtë ngjarje madhore muzikore.
Për takimin me Yll Limanin, ka folur edhe vetë kryetari i kryeqytetit, i cili i ndau artistit një mirënjohje të premten.
“Për muzikën, energjinë dhe vibe-in e mirë që e ndan me secilin prej nesh. Prishtina din me i vlerësu dhe me i mbështet ata që e bëjnë këtë qytet më të gjallë, më kreativ e më të bukur“, shkroi Rama në Facebook. /Reporteri.net/.