×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Seanca
    INSTANT

    Prokuroria: Fatmir Sheholli dyshohet se i përcillte BIA-s informacione për institucionet e Kosovës

    Reporteri
    07 Shtator 2026 | 11:50

    Prokuroria ka lexuar aktakuzën ndaj Fatmir Shehollit, duke e akuzuar atë për veprat penale të spiunazhit dhe shantazhit

    Sipas prokurorit Bekim Kodraliu, Sheholli dyshohet se ka ndihmuar veprimtarinë e Shërbimit Informativ të Serbisë (BIA), duke mbledhur dhe përcjellë informacione lidhur me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.

    Prokurori Bekim Kodraliu tha se sipas aktakuzës, Sheholli, nga një datë e papërcaktuar deri më 9 tetor 2025, dyshohet se ka vepruar sipas urdhrave dhe detyrave të caktuara nga një zyrtar i lartë i BIA-s.

    “I pandehuri Fatmir Sheholli, nga një datë e papërcaktuar e deri më datë. 09.10.2025, në territorin e Republikës së Kosovës, në vazhdimësi dhe me dashje direkte, në cilësinë e personit të rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë – (i njohur si “BIA”), e ka ndihmuar veprimtarinë e këtij shërbimi, duke vepruar sipas urdhrave dhe detyrave të caktuara nga zyrtari i lartë i saj, Bojan Dimiç, drejtor i Drejtorisë Kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, ashtu që i pandehuri Sheholli, ka mbledhur, siguruar dhe, përmes komunikimeve dhe mesazheve telefonike, ka përcjellë tek ky zyrtar të dhëna, informacione dhe dokumente lidhur me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha ai.

    Sipas prokurorisë, në kuadër të këtyre aktiviteteve, i pandehuri dyshohet se ka zbatuar edhe një plan operativ që, sipas aktakuzës, synonte dëmtimin e interesave të Republikës së Kosovës dhe ndërhyrjen në procesin zgjedhor të mbajtur më 12 tetor 2025.

    “Po ashtu i pandehuri, në kuadër të këtyre aktiviteteve, ka zbatuar në tërësi edhe një plan operativ konkret, të përgatitur nga i njëjti zyrtar i BIA-së, i cili synonte dëmtimin e interesave të Republikës së Kosovës dhe ndërhyrjen direkte në procesin zgjedhor të mbajtur më datë. 12.10.2025, në atë mënyrë që më datë 26.09.2025, rreth orës 14:00, i shoqëruar nga një anëtar i familjes së tij, dhe duke përdorur automjetin e markës “Audi”, ka udhëtuar për në Mitrovicën e Veriut, dhe në parkingun e Shkollës Teknike, në afërsi të kafiterisë “Sindikata”, nga një person i paidentifikuar ka pranuar materiale me përmbajtje audio dhe transkripte bisedash të disa zyrtarëve të lartë të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, të destinuara për komprometimin e tyre, si dhe shumën prej 5,000.00 euro si shpërblimi për kryerjen e kësaj detyre, i cili pastaj në zbatim të udhëzimeve të marra nga zyrtari i BIA-së, materialet ia ka dorëzuar gazetarit Milaim Zeka, së bashku me shumën prej 1 mijë euro, duke e udhëzuar njëkohësisht edhe për mënyrën dhe kohën e publikimit të tyre në emisionin e tij “Pa Rrotlla”, dhe atë vetëm disa ditë para ditës së votimit për zgjedhjet lokale, çka përmes këtyre veprimeve konkrete të ndërmarra në funksion të detyrave të caktuara nga BIA, i pandehuri Sheholli, ka dëmtuar seriozisht interesat shtetërore, diskreditimin e institucioneve dhe zyrtarëve të tyre, ka kontribuar në thellimin e përçarjeve shoqërore, si dhe ka mundësuar ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të një shërbimi të huaj informativ në një proces zgjedhor në Republikën e Kosovës. Me këto veprime, i pandehuri Fatmir Sheholli, në vazhdimësi e ka kryer veprën penale ‘’Spiunazhi’’ nga neni 124 par.3 lidhur me nenin 77 të KPRK-së”, tha ai.

    Në aktakuzë, Sheholli akuzohet edhe për veprën penale të shantazhit ndaj Arben Jetullahut, pronar i një biznesi në Kosovë.

    Sipas prokurorit, i pandehuri dyshohet se gjatë periudhës nga viti 2022 deri në dhjetor 2025 ka kërkuar para nga i dëmtuari, duke e kërcënuar me publikimin e video-incizimeve dhe informacioneve që, sipas aktakuzës, do t’ia dëmtonin nderin, reputacionin dhe autoritetin.

    “I pandehuri Fatmir Sheholli, gjatë vitit 2022, e në vazhdimësi deri në muajin dhjetor 2025, përfshirë edhe periudhën sa ndodhej nën masën e paraburgimit, i njëjti me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, e ka shantazhuar tani të dëmtuarin Arben Jetullahu, pronar i një biznesi në Republikën e Kosovës, duke e detyruar të veprojë në dëm të pasurisë së tij në shumën që tejkalon 13,000.00 euro, duke i kërkuar para kinse në emër të huazimit, përmes kërcnimit se, në rast të mosdhënies së parave, do të publikonte në media video-incizime dhe informacione që do t’i dëmtonin rëndë nderin, reputacionin dhe autoritetin e të dëmtuarit, çka këto veprime të të pandehurit janë vërtetuar edhe përmes rezultateve mbi zbatimin e masave të veçanta hetimore, të urdhëruara nga gjykata kompetente, gjatë të cilave janë siguruar komunikime dhe porosi kërcënuese të të pandehurit drejtuar të dëmtuarit, edhe periudhën gjatë së cilës i pandehuri ndodhej nën masën e paraburgimit, kur, përmes një familjari të tij, të dëmtuarit i ka dërguar porosi kërcënuese, duke i kërkuar pagesë mujore në shumën prej 700.00 euro, me paralajmërimin se, në të kundërtën, do të publikonte një video-incizim që do t’ia dëmtonte rëndë nderin, reputacionin dhe autoritetin, ndërsa si pasojë e këtyre kërcënimeve dhe nga frika e realizimit të tyre, i dëmtuari, përmes një punëtori të tij, ia ka dorëzuar familjarit të të pandehurit shumën prej 5 mijë euro. Me këto veprime, i pandehuri Fatmir Sheholli, në vazhdimësi e ka kryer veprën penale “Shantazhi”, nga neni 329 par. 2 lidhur me nenin 77 të KPRK-së”, tha ai.

    Përfundon seanca fillestare ndaj Fatmir Shehollit, e radhës caktohet pas formimit të trupit gjykues

    Reporteri
    07 Shtator 2026 | 10:20

    Ka përfunduar seanca e shqyrtimit fillestar ndaj Fatmir Shehollit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

    Gjatë kësaj seance janë zhvilluar procedurat fillestare në kuadër të procesit gjyqësor ndaj Shehollit, i cili akuzohet për veprat penale: “Spiunazh” dhe “Shantazh”.

    Seanca e radhës do të caktohet pasi të përcaktohet trupi gjykues që do ta trajtojë çështjen.

    Fatmir Sheholli është deklaruar i pafajshëm në seancën gjyqësore që po mbahet në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku ai akuzohet për veprat penale: “Spiunazh” dhe “Shantazh”.

    Gjatë deklarimit të tij para trupit gjykues, Sheholli ka thënë se nuk e pranon fajësinë për akuzat që rëndojnë ndaj tij.

    “E ndjej veten plotësisht të pafajshëm”, ka deklaruar Sheholli në sallën e gjyqit.

    Ministri në detyrë për Komunitet dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka marr pjesë në seancën gjyqësore.

    Rasti ndaj Shehollit ka të bëjë me pretendime për lidhje me shërbimin inteligjent serb BIA, ndërsa në dosjen e rastit përmenden materiale dhe komunikime që prokuroria i ka konsideruar si prova në kuadër të hetimeve.

     

    Fatmir Sheholli deklarohet i pafajshëm lidhur me akuzat për spiunazh e shantazh

    Reporteri
    07 Shtator 2026 | 10:15

    Ka përfunduar seanca fillestare ndaj Fatmir Shehollit, i akuzuar për “Spiunazh” dhe “Shantazh”.

    Fatmir Sheholli është deklaruar i pafajshëm në seancën gjyqësore që po mbahet në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku ai akuzohet për veprat penale: “Spiunazh” dhe “Shantazh”.

    Gjatë deklarimit të tij para trupit gjykues, Sheholli ka thënë se nuk e pranon fajësinë për akuzat që rëndojnë ndaj tij.

    “E ndjej veten plotësisht të pafajshëm”, ka deklaruar Sheholli në sallën e gjyqit.

    Rasti ndaj Shehollit ka të bëjë me pretendime për lidhje me shërbimin inteligjent serb BIA, ndërsa në dosjen e rastit përmenden materiale dhe komunikime që prokuroria i ka konsideruar si prova në kuadër të hetimeve.

    Sipas aktakuzës,Sheholli nga një datë e papërcaktuar e deri më 9 tetor 2025, në cilësinë e personit të rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë, i njohur si “BIA”, e ka ndihmuar veprimtarinë e këtij shërbimi, duke vepruar sipas urdhrave dhe detyrave të zyrtarëve të tij.

    Ai akuzohet se ka mbledhur, siguruar dhe përcjellë përmes mesazheve telefonike të dhëna, informacione dhe dokumente lidhur me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.

    Sheholli akuzohet për veprën penale “Shantazh”, pasi gjatë vitit 2022 deri në dhjetor 2025, e ka shantazhuar të dëmtuarin A.J., duke e detyruar të veprojë në dëm të pasurisë së tij, në shumën që tejkalon 13,000.00 euro.

    Sipas aktakuzës, Sheholli i ka kërkuar të dëmtuarit para në emër të huazimit, duke e kërcënuar se, në rast të mosdhënies së parave, do të publikonte në media video-incizime dhe informacione që do t’i dëmtonin rëndë nderin, reputacionin dhe autoritetin e të dëmtuarit.

    Nenad Rashiq i pranishëm në seancën gjyqësore ndaj Fatmir Shehollit

    Reporteri
    07 Shtator 2026 | 9:56

    Ministri në detyrë për Komunitet dhe Kthim, Nenad Rashiq, është duke marr pjesë në seancën gjyqësore ndaj Fatmir Shehollit, i cili akuzohet për veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”.

    Rasti ndaj Shehollit ka të bëjë me pretendime për lidhje me shërbimin inteligjent serb BIA, ndërsa në dosjen e rastit përmenden materiale dhe komunikime që prokuroria i ka konsideruar si prova në kuadër të hetimeve.

    Sipas aktakuzës së datës 24 gusht 2026, përfshihen dhjetëra prova materiale dhe personale, përfshirë përgjime telefonike, komunikime të nxjerra nga telefoni i Shehollit, video-incizime, pamje të kamerave të sigurisë, dokumente të sekuestruara, dëshmi të dëshmitarëve dhe raport financiar

    Nis gjykimi ndaj Fatmir Shehollit për “Spiunazh” dhe “Shantazh”

    Reporteri
    07 Shtator 2026 | 9:43

    Ka nisur në Gjykatën Themelore në Prishtinë seanca fillestare ndaj Fatmir Shehollit, i cili akuzohet për “Spiunazh” dhe “Shantazh”. Sheholli është sjellë në sallën e gjyqit me duar të lidhura, ndërsa gjatë hyrjes është parë duke buzëqeshur.

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur seanca fillestare ndaj Fatmir Shehollit, i cili akuzohet për veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”.

    Rasti ndaj Shehollit ka të bëjë me pretendime për lidhje me shërbimin inteligjent serb BIA, ndërsa në dosjen e rastit përmenden materiale dhe komunikime që prokuroria i ka konsideruar si prova në kuadër të hetimeve.

    Sipas aktakuzës,Sheholli nga një datë e papërcaktuar e deri më 9 tetor 2025, në cilësinë e personit të rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë, i njohur si “BIA”, e ka ndihmuar veprimtarinë e këtij shërbimi, duke vepruar sipas urdhrave dhe detyrave të zyrtarëve të tij.

    Ai akuzohet se ka mbledhur, siguruar dhe përcjellë përmes mesazheve telefonike të dhëna, informacione dhe dokumente lidhur me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.

    Sheholli akuzohet për veprën penale “Shantazh”, pasi gjatë vitit 2022 deri në dhjetor 2025, e ka shantazhuar të dëmtuarin A.J., duke e detyruar të veprojë në dëm të pasurisë së tij, në shumën që tejkalon 13,000.00 euro.

    Në seancë është i pranishëm edhe Nenad Rashiqm në cilësinë e dëshmitarit.

    Gjatë seancës pritet të procedohet me hapat fillestarë gjyqësorë lidhur me aktakuzën ndaj Shehollit.

    Sot seanca fillestare ndaj Fatmir Shehollit, i akuzuar për spiunazh dhe shantazh

    Reporteri
    07 Shtator 2026 | 8:04

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në orën 09:30, mbahet seanca fillestare ndaj Fatmir Shehollit, ndaj të cilit Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë për veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”.

    Rasti ka të bëjë me pretendime serioze të Prokurorisë Speciale për përfshirjen e Shehollit në veprime që, sipas aktakuzës, kanë pasur për qëllim ndërhyrjen në proceset zgjedhor e në Kosovë, bashkëpunimin me një shërbim të huaj informativ dhe ushtrimin e presionit ndaj një biznesmeni.

    Sipas aktakuzës, Agjencia për Siguri dhe Inteligjencë e Serbisë – BIA, i kishte dhënë Shehollit 5 mijë euro dhe materiale audio, me qëllim të ndikimit në zgjedhjet lokale te komuniteti serb në Kosovë.

    Prokuroria pretendon se, pak ditë para zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar, Sheholli kishte marrë materiale që përmbanin biseda audio dhe transkriptime të disa zyrtarëve të lartë të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, të udhëhequr nga Nenad Rashiq.

    Sipas aktakuzës, qëllimi ishte që këto materiale të publikoheshin në mediat kosovare për të diskredituar zyrtarët dhe institucionet e Kosovës dhe për të ndikuar në procesin zgjedhor.

    Në dokumentin akuzues thuhet se Sheholli ia kishte dorëzuar materialet gazetarit dhe analistit Milaim Zeka, së bashku me shumën prej 1 mijë eurosh, duke e udhëzuar edhe për mënyrën dhe kohën e publikimit të tyre në emisionin “Pa Rrotlla”.

    Sipas Prokurorisë, Sheholli i kishte thënë Zekës se materialet i kishte siguruar nga Agjencia Gjermane për Zhvillim – GIZ.

    “Top Sekret 2” dhe pretendimet për radikalizimin islamik

    Një tjetër element i rëndësishëm i aktakuzës është një fotografi e gjetur në telefonin e Shehollit, me mbishkrimin “Top Sekret 2”.
    Sipas Prokurorisë, dokumenti përmban një plan veprimi që synonte krijimin e perceptimit se Kosova është një shtet i radikalizuar dhe ekstremist.

    Në aktakuzë pretendohet se dokumenti parashihte mbledhjen e fondeve nga ambasadat islamike në Beograd dhe investimin e tyre në ndërtimin e xhamive në vende të dukshme, ndërsa synimi i deklaruar në dokument, sipas Prokurorisë, ishte krijimi i një atmosfere pasigurie dhe largimi i një pjese të të rinjve nga Kosova.

    Prokuroria pretendon se përmes këtij plani synohej edhe ndryshimi i qëndrimit të fuqive perëndimore ndaj Kosovës dhe krijimi i kushteve që vendi të kthehej nën juridiksionin e Serbisë.

    “Leptiri” dhe Albin Kurti

    Në telefonin e Shehollit, sipas aktakuzës, është gjetur edhe një dokument i titulluar “Leptiri”.

    Prokuroria pretendon se bëhet fjalë për një dokument të hartuar nga struktura e Sigurimit Shtetëror të Serbisë – RDB, në vitin 2001, i cili përshkruante një plan për komprometimin dhe rekrutimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit gjatë kohës kur ai vuante dënimin në burgjet e Serbisë.

    Sipas përshkrimit të Prokurorisë, në këtë plan parashihej përdorimi i një burimi operativ me nofkën “Leptiri”, për sigurimin e materialeve komprometuese ndaj Kurtit dhe ushtrimin e presionit ndaj tij me qëllim të bashkëpunimit me RDB-në.

    Akuza për shantazh ndaj një biznesmeni

    Përveç akuzës për spiunazh, Prokuroria Speciale e ngarkon Shehollin edhe me veprën penale të shantazhit.

    Sipas aktakuzës, Sheholli kishte poseduar video-incizime të një biznesmeni kosovar dhe, duke përdorur këto materiale, dyshohet se i kishte kërkuar atij para në një shumë që kalonte 13 mijë euro.

    Prokuroria thotë se për rastin posedon fotografi, incizime dhe prova të tjera të siguruara edhe përmes masave të veçanta hetimore, përfshirë monitorimin dhe përgjimin.

    Fatmir Sheholli ishte arrestuar më 9 tetor 2025 dhe, sipas raportimeve të publikuara, që atëherë ndodhet në paraburgim.

    Ai ka punuar si gazetar, këshilltar në Komunën e Graçanicës dhe në Ministrinë për Kthim. Gjithashtu ka drejtuar një organizatë joqeveritare dhe ka pasur paraqitje të shumta në media si analist politik.

    Seanca e sotme pritet të jetë një nga hapat e parë të procesit gjyqësor, ndërsa gjykata do të shqyrtojë çështjet procedurale dhe qëndrimet e palëve lidhur me aktakuzën.

    Të gjitha pretendimet e përmendura në këtë tekst janë pjesë e aktakuzës së Prokurorisë Speciale. Fatmir Sheholli konsiderohet i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!