Autor: Bledë Krasniqi
Policia e Kosovës ka dërguar garancë për lirimin nga paraburgimi të krerëve të OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj e Hysni Gucati.
Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Online Reporteri.net zëdhënësja e Dhomave të Specializuara për Kosovën në Hagë, Angela Griep, duke theksuar se trupi gjykues e ka pranuar këtë informacion nga Policia e Kosovës më 25 nëntor.
“Më 22 tetor, gjykatësit urdhëruan policinë e Kosovës që të ofrojë informacione lidhur me zbatueshmërinë e lirimit me kusht për Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn. Trupi gjykues ka pranuar informacionin e kërkuar nga Policia e Kosovës më 25 nëntor”, bën të ditur DHSK-ja.
Në një përgjigje për Reporteri.net, nga DHSK-ja kanë thënë se Trupi Gjykues ka urdhëruar këtë javë Prokurorinë e Sppecializuar që të dërgojë komentet e saja mbi raportin, teksa mbrojtjes i ka dhënë afat që këtë ta bëj deri më 16 dhjetor.
“Këtë javë, Trupi Gjykues urdhëroi Prokurorinë e Specializuar dhe Mbrojtjen që të dorëzojnë çdo vërejtje mbi Raportin e Policisë së Kosovës, ndër çështjet tjera që kanë të bëjnë me shqyrtimin e ardhshëm të paraburgimit, përkatësisht deri më 10 dhjetor dhe 16 dhjetor”, thuhet në përgjigjen e DHSK-së për Reporteri.net.
Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 dhe prej atëherë po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës. /Reporteri.net/