Puberteti i humbur në jetë nuk kompenzohet duke u bërë kryeministër – Kisha Ortodokse Serbe ia merr një pjesë të sovranitetit Malit të Zi, tha Kryetari i Partisë Liberale Demokratike serbe, Çedomir Jobvanoviç, në një vlerësim dhënë për rrëzimin e Dritan Abazoviç nga kreu i ekzekutivit malazez, transmeton “Reporteri.net”.
Që nga viti 2016 Mali i Zi ka qenë në gjendje destabiliteti politik e social, rikujtoi Jovanoviç, ndërsa kulminacionin e këtij destabiliteti ai e identifikoi me 20 gushtin e vitit 2020, përkatësisht me ardhjen në pushtet të bllokut pro-serb, zv/kryeministër i të cilit bllok ishte Dritan Abazoviç.
“Gjithçka që pasoi që nga atëherë është veçse kursi ‘i natyrshëm’ i ngjarjeve, ku shoqëria malazeze i vuajti më së shumti konsekuencat”, i tha ai gazetës malazeze “Pobjeda”.
“Kisha Ortodokse Serbe nuk ka edhe aq konsideratë për interesat e Malit të Zi, e as një iotë mirëkuptimi për vështirësitë në të cilat ajo e gjen veten. Si fituesja e vërtetë e zgjedhjeve parlamentare para dy viteve, Kisha Ortodokse Serbe rrëmben pjesë të sovranitetit të Malit të Zi, duke e sjellë atë në një gjendje të paqëndrueshme”.
Në sekuenca dhe vendime të tilla, sipas politikanit liberal serb, Kisha Ortodokse Serbe vendoset në një pozitë “të privilegjuar të cilën e keqpërdor”.
“Gjersa vlerat qytetare shtyhen drejt margjinave”, theksoi ai.
Për kryeministrin Abazoviç, tashmë të shkarkuar nga ligjvënësit malazezë, ai tha se “ky njeri vepron me kokë të dikujt tjetër mbi supet e tij”.
“Dhe insiston [që ajo kokë] është kokë e tij”.
“Pozita e kryeministrit nuk ta kompnezon pubertetin e humbur në jetë, kështu që edhe andaj promovoni sjellje papjekurie në politika shtetërore”.
“Nuk kam mirëkuptim për këtë çfarë po bën”, tha Jovanoviç referuar Abazoviçit. “Nuk e shoh në interes të qytetarëve të Malit të Z”.
“Por çfarë vërej është njëfarë ambicie të pabesueshme te Abazoviçi që ta paraqesë veten si njëfarë faktori i mbështetshëm sikur merr vendime të vështira”, u shpreh politikani serb.
Dritan Abazoviç u rrëzua më 19 gusht me votat e 50 deputetëve, nga gjithsejt 81 sa ka parlamenti malazez. Arsyeja e inicimit të votës së mobesimit ishte nënshkrimi i marrëveshjes me kishën ortodokse serbe, si dhe, siç u tha, braktisja e agjendës evropiane të shtetit./Reporteri.net/