Pa i bërë as një orë që nga nisja e vizitës së saj në pjesën veriore të Kosovës, kryeministrja serbe Ana Bërnabiç tha se numri i incidenteve etnike në Kosovë “është shtuar”, dhe se Serbia do të insistojë në bërjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në vizitën e saj në një qendër mediatike në Mitrovicë të Veriut, Bërnabiç tha se është “e kënaqur që pas provokimeve të 31 korrikut, ne ia dolëm të mbajmë paqen”.
Ana Bërnabiç tha se duhet ta pohojë, sipas saj, “faktin se numri i incidenteve në Kosovë po rritet” dhe Serbia do t’u qëndrojë në ndihmë serbëve përmes investimeve.
“Jam krenare të jem pjesë e ekipit të Presidentit [të Serbisë, Aleksandër] Vuçiç. Dialogu është i rëndësishëm, dhe shpresoj që institucionet e Prishtinës të jenë të hapur për dialogim”.
“Ne duam paqe dhe stabilitet afatgjatë, jam optimiste, dhe do të ngulim këmbë në Asoaciacionin e komunave me shumicë serbe”, ka thënë ajo, raportuan mediat lokale të serbëve të pjesës veriore të Kosovës.
Kryeministrja serbe tha se në vizitën e saj ka ardhur të përçojë mesazhine e Vuçiçit, se Serbia do të qëndrojë me serbët.
Brnabiq e nisi vizitën e saj me një vizitë në Qendrën Multimediale në Mitrovicë të Veriut, ku u prit nga kryetari i pjesës veriore të komunës Milan Radojeviç, përfaqësuesit e Listës Serbe Goran Rakiç dhe Igor Simiç, si dhe një numër i madh qytetarësh me flamuj dhe pankarta të Serbisë, raportoi Kosovo-online.
Gjatë vizitës së saj njëditore, Brnabiç do të vizitojë Akademinë Shpirtërore, qendrën e IT, manastirin Banjska, familjen serbe Radosavljeviç në Leposaviq./Reporteri.net/.