Ish-kryenegociatori i palës serbe në dialogun Kosovë-Serbi, Borko Stefanoviç, në lidhje me seancën parlamentare ku do të diskutohet për dialogun, ka thënë se partia e tij nuk do të votojë raportin e zyrës së Petkoviçit rreth dialogut me Kosovën, përcjell gazeta online Reporteri.net.
Është tërheqje nën presion dhe nuk ka propozimi për zgjidhjen e problemeve me Kosovën, ka thënë ai për këtë raport të Zyrës së ashtuquajtur “për Kosovën” në qeverinë serbe.
“Raporti i ofruar nuk siguron asnjë udhë drejt të ardhmes dhe tregon se sa e dëmshme ka qenë të bërtisni për fitore që kanë përfunduar në disfata”, ka thënë Stefanoviç, raportoi e përditshmja serbe “Danas”.
Këtë raportim, Stefanoviç e quajti “vetëm se mbulesë të Presidentit të Serbisë në parlament”.
“Në vend të kritikës boshe, SSP-ja propozon formimin e një trupe parlamentare që do të përfshinte përfaqësues të të gjitha partive parlamentare, organizatave jo-qeveritare, Akademinë e Shkencave (SANU), Kishën Ortodokse Serbe, dhe e cila do të krijonte platformë negociuese brenda tridhjetë ditësh”, ka thënë mes tjerash Borko Stefanoviç.
“Është një mundësi për Serbinë që të gjejë konsensusin më të gjerë të mundshëm rreth çështjes me Kosovën që transcendon dallimet tona”.
Vazhdimin e dialogut, ai tha se Serbia duhet ta bëjë me çdo kusht përveç njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Sot zhvillohet seancë parlamentare të thirrur nga opozita për të diskutuar rreth dialogut Kosovë-Serbi, ku do të raportojë para deputetëve edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Vladimir Orliç, ka thënë mëngjesin e sotëm se nuk pret që diskutimi për Kosovën të përfundojë brenda një dite.
Presidenti i Serbisë për herë të fundit ka dorëzuar një raport në Kuvend më 22 qershor 2021 dhe më pas është miratuar me 210 vota./Reporteri.net/.