Kryeministri Kurti është pyetur për kritikat dhe akuzat për prishjen e marrëdhënieve me aleatët.
Gjatë një adresimi për media, i pyetur për këtë çështje Kurti është përgjigjur shkurt duke thënë se kjo “nuk është e vërtetë”, duke mos komentuar tutje, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Zyrtarë të lartë amerikanë në ditët e fundit, kritikuan Qeverinë e Kosovës për mospërfilljen e kërkesës amerikane për shtyrje të vendimit për zbatim të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës.
Ata e cilësuan këtë si vendim të njëanshëm që mund të prodhojë pasoja edhe në partneritetin me SHBA-në. Kjo ka bërë që opozita në Kosovë të kritikojë Kurtin dhe qeverinë që ai drejton për prishje të marrëdhënieve me aleatët.
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ditë më parë ka thënë se Shtetet e Bashkuara mund të mos e trajtojnë Kosovën si partnere, nëse ajo merr vendime pa u konsultuar me të, pas vendimit për ndalimin e dinarit.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, O’Brien tha: “Unë nuk bëj kërcënime të vagëta publikisht. Unë do të thosha, nëse ne nuk trajtohemi si partnerë, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”.
Por, O’Brien tha të martën se Kosova duhet ta pezullojë vendimin e BQK-së menjëherë dhe të punojë si “shtet modern evropian” për gjetjen e një zgjidhjeje të “këtij problemi konkret”.
“Njerëzit duhet ta dinë se si do t’i paguajnë faturat. Kur lexoj deklaratën e Bankës Qendrore, aty nuk thotë se do ta lejohet përdorimi i dinarit. Thotë se do të ofrohet një alternativë. Kjo duhej bërë para se të zbatohej vendimi në bashkëpunim me komunitetet e prekura dhe me fqinjët që preken nga vendimi dhe sinqerisht me Bashkimin Evropian dhe me ne”, tha O’Brien.
Në linjë me këtë deklaratë të O’Brien, foli pak ditë më pas edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili i është përgjigjur Qeverisë Kurti të cilët deklaruan se nuk ka rrezik për krisje të partneritetit me ShBA-në.
Hovenier theksoi sërish se kjo situatë ka prekur partneritetin e ShBA-së me Kosovën, duke përgënjeshtruar kështu Kurtin dhe vartësit e tij në Qeveri, që pas intervistës së bujshme të O’Brien.
“O’Brien e bëri të qartë se nëse Qeveria e Kosovës nuk na konsideron partnere, as ne nuk do ta konsiderojmë të tillë. Kam dëgjuar në intervista se kjo situatë nuk ka ndikuar në marrëdhëniet tona. Dua të jem i qartë, thjesht nuk është e vërtetë. Kjo situatë ka prekur partneritetin tonë. Çdo shpjegim tjetër është keqkuptim”, tha ambasadori amerikan. /Reporteri.net/