Pushteti i LVV-së është përkujdesur ta “veshë” me pushtet në KEK, edhe burrin e deputetes së vet, Fitore Pacolli.
Ilir Dalipi, burri i deputetes Fitore Pacolli, është avancuar në pozitë në KEK – Korporatën Energjetike të Kosovës që e kontrollon Qeveria përmes bordit të saj dhe krye-shefit ekzekutiv që dikur LVV-ja e kandidonte për asamblist në Fushë Kosovë.
Dalipi, që prej vitesh punon në KEK, para se të avancohej në pozitë kishe shfrytëzuar të drejtën e pushimit 1 vjeçar nga puna, mëson gazeta online Reporteri.net.
E kur vendosi të rikthehet në punë, ai u rikthye si menaxher, pasi së fundi u emërua në këtë pozitë në Divizionin e Shërbimeve të Korporatës në KEK, merr vesh gazeta online Reporteri.net.
Gazeta ka provuar të marrë konfirmim nga KEK-u për avancimin e Ilir Dalipit, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk ka marrë përgjigje. Gjithashtu, mediumi është interesuar edhe në lidhje me periudhën kur Dalipi ka qëndruar në pushim nga puna, me që ligji e parasheh si mundësi vetëm në disa raste të veçanta dhe specifike.
Që nga ardhja në pushtet e LVV-së, KEK kontrollohet nga partia e Kryeministrit Albin Kurti. Në shkurt të këtij viti, pushteti emëroi anëtarin e saj në krye të kësaj korporate. Bekir Gërguri, ish-kandidati për asamble i LVV-së në Fushë Kosovë, u emërua si ushtrues detyre i kryeshefit në Korporatën Energjetike të Kosovës, pasi ish-kryeshefi Nagip Krasniqi u shkarkua gati një vit pasi ishte arrestuar për korrupsion.
“Kushërinjtë janë për te shtëpia, familja është te shtëpia. Kur të bahet ministër dikush, a zëvendësministër, deputet a kryeministër duhet me u bë vetëm ai person, jo me shku me krejt fisin aty. Fisi është për dasmë, për gazmend privat…“, thoshte Kurti, kur si opozitar kritikonte nepotizmin në institucionet publike. /Reporteri.net/.
Korporata Energjetike e Kosovës ka konfirmuar avancimin në detyrë të Ilir Dalipit, burrit të deputetes së LVV-së, Fitore Pacolli. Gazeta online Reporteri.net raporti dje se pushteti i LVV-së është përkujdesur ta “veshë” me pushtet në KEK burrin e deputetes së vet.
Një ditë pas raportimit, KEK ka konfirmuar për gazetën online Reporteri.net se me 21 qershor 2024, menaxhmenti e ka emëruar Ilir Dalilin ushtrues të detyrës së Menaxherit për Logjistikë dhe Siguri Fizike, në Divizionin e Shërbimeve të Korporatës.
“Duke u bazuar nivelin profesional dhe në eksperiencën e tij të gjatë dhe të suksesshme, me dt; 21.06.2024 është emëruar në pozitën vakante si ushtrues i detyrës, Menaxher për Logjistikë dhe Siguri Fizike, në Divizionin e Shërbimeve të Korporatës deri në një vendim tjetër. Përndryshe, emërimi i z. Dalipi sipas detyrës zyrtare dhe kompetencave është bërë nga menaxhmenti”, ka konfirmuar të martën për Reporteri.net, zëdhënësi Skënder Bucolli.
Që nga ardhja në pushtet e LVV-së, KEK kontrollohet nga partia e Kryeministrit Albin Kurti. Në shkurt të këtij viti, pushteti emëroi anëtarin e saj në krye të kësaj korporate. Bekir Gërguri, ish-kandidati për asamble i LVV-së në Fushë Kosovë, u emërua si ushtrues detyre i kryeshefit në Korporatën Energjetike të Kosovës, pasi ish-kryeshefi Nagip Krasniqi u shkarkua gati një vit pasi ishte arrestuar për korrupsion.
KEK-u në përgjigjen e tyre potencojnë se burri i deputetes së VV-së, Fitore Pacollit prej vitit 2013 punon në Korporatën Energjetike të Kosovës.
“Korporata Energjetike Kosovës (KEK sh.a.) ju konfirmon se z. Ilir Dalipi është punëtorë i korporatës, respektivisht Departamentit të Inxhinieringut në TC Kosova A që nga viti 2013, në pozitën Kryeinxhinier për Implementimin e Projekteve, i njëjti ishte punësuar përmes shpalljes publike (konkursit), si dhe ka të përfunduar Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, dega Arkitekture (me sistem 5 vjeçar)”, thuhet në përgjigje.
Ditën e djeshme, Gazeta Online Reporteri.net raportoi edhe se Ilir Dalipi ishte avancuar në detyrë në KEK fill pasi ishte rikthyer nga pushimi një vjeçar nga puna. E kjo u konfirmua edhe nga vetë korporata.
“Sa i përket pushimit, ju konfirmojmë se z. Dalipi ka qenë në pushim, megjithatë pushimi i është miratuar për çështje shëndetësore”, thuhet në përgjigjen e dhënë nga KEK-u për Reporteri.net.