×
  • Lajme
  • Lajme / Paret e kulturës

    Hajrulla Çeku e çon në Anti-Korrupsion listën e MKRS-së që parasheh mijëra Euro përfitime për OJQ-të “e tij”

    Autor:Arlinda Xh. Rrmoku
    11 Korrik 2024 | 16:03

    Lista preliminare e OJQ-ve përfituese nga Ministria e Kulturës në fushën e Artit, Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore ka përfunduar për trajtim në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Kjo me vetë kërkesën e Ministrit Hajrulla Çeku, ministria e të cilit në mesin e përfituesve të përzgjedhur nga komisioni u gjeten organizata të cilat kanë kanë lidhje me Sekretarin për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Lëvizjes Vetëvendosje.

    Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka nisur vlerësimet për rastin e ndarjeve buxhetore për Organizatat Joqeveritare në Art, Kulturë dhe Trashëgimi Kulturore nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, që udhëhiqet nga ministri, Hajrulla Çeku.

    Nga APK-ja kanë bërë me dije për Gazetën Online Reporteri.net se ka qenë vetë Çeku ai i cili ka parashtruar kërkesë që Agjencia të bëjë vlerësimet e saj për këtë rast.

    Ju njoftojmë që me kërkesë të Ministrit Hajrulla Çeku, Agjencia është duke vlerësuar ketë rast. Agjencia bën publike vetëm vendimin final”, thuhet në përgjigje.

    Veprimi i Ministrit Çeku erdhi tek pasi në media u raportua se nga i procesi në fjalë Ministria e Kulturës se ndau mjete financiare për OJQ-të në të cilën vetë anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje ishte drejtor e bashkëthemelues. Madje, për këtë pati edhe reagime e kritika nga opozita e shoqëria civile.

    Në lidhje me listën e publikuar të OJQ-ve përfituese nga Ministria e Kulturës në fushën e Artit, Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore, MKRS-ja, me 27 qershor 2024, i ka thënë gazetës online Reporteri.net se nuk është përfundimtare.

    Për pyetjet e juaja drejtuar MKRS-së në lidhje me Thirrjen Publike “Art, Kulturë dhe Trashëgimi Kulturore 2024”, ju informojmë se procesi ende nuk ka përfunduar në tërësi. Aktualisht jemi në periudhën e pranimit të ankesave dhe pas shqyrtimit të tyre do bëhet publikimi i listës përfundimtare”.

    Ministria e Kulturës, thirrjen publike për t’u dalë në ndihmë OJQ-ve në fushën e Artit, Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore e kishte shpallur qysh në mars të këtij viti.

    Lista preliminare e OJQ-ve të përfituese u publikua me 25 qershor 2024. Në mesin e Organizatave Jo-qeveritare, në listë, në kategorinë e parë u gjet edhe “Ec Ma Ndryshe”, organizata ku ministri Çeku në të kaluarën mbante pozitën e drejtorit, si dhe “Fondacioni Lumbardhi”, OJQ-ja ku Ministri aktual i Kulturë ishte bashkëthemelues i saj.

    Përveç ministrit Çeku, listën e themeluesve të OJQ-së ‘Fondacioni Lumbardhi’ e përbëjnë edhe katër persona të tjerë. Sipas web-faqes ku tregohet data baza e çfarëdo organizate jo-qeveritare, pjesë e ‘Fondacioni Lumbardhi’ si bashkëthemelues janë edhe Ares Shporta, Aliriza Arënliu, Doruntina Ukimeri si dhe Veton Nurkollari. Ajo u themelua më 20 prill 2015.

    Ndërkohë angazhimin e Ministrit Çeku në OJQ ‘Ec Ma Ndryshe’, e konfirmon edhe biografia e publikuar në bloëgun e tij.

    Përgjatë viteve ka qenë i angazhuar në shumë organizata vendore dhe ndërkombëtare, në mesin e të cilave edhe Fondacioni Trashëgimia Kulturore pa Kufij, Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur, Klubi për Politikë të Jashtme dhe EC Ma Ndryshe”, shkruhet në biografinë e Ministrit të Kulturës, njëherësh edhe figurë e rëndësishme në Lëvizjen Vetëvendosje.

    Aktualisht, sipas raportimeve, “Ec Ma Ndryshe” drejtohet nga vëllai i Ministrit Hajrulla Çeku, Fitimi.

    Të dy këto OJQ, sipas listës preliminare do të marrin mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës, për tri vite – 2024, 2025 dhe 2026 – dhe shuma e aprovuar e mbështetjes është në total 257 mijë euro për ‘Ec Ma Ndryshe’ dhe 187 mijë për ‘Fondacioni Lumbardhi’. Lista preliminare e kësaj thirrjeje publike u kthye në raportimin kryesor të mediave, e përveç kësaj ka pasur reagime të ashpra nga opozita.

    Një prej tyre ka qenë edhe deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e cila ka kërkuar llogari edhe nga vetë kryeministri, Albin Kurti.

    Kryeminister, se buxheti është rritë për kulturë e dëshmon edhe fakti që ministri juaj para disa ditëve dha qindra e mijëra euro për OJQ-në që e ka themelu vetë dhe për atë të motrës së deputetit të LVV-së. Andaj Kryeminstër, para se të na lavdërohesh për namin që keni lanë në kulturë na trego fillimisht qendrimin tuaj lidhur me shpërndarjen e fondeve nga ana e Hajrulla Çekut se paku në dy raste? Çka mendon Kurti Kyreminister sot për këto dy raste? Përgjigju nëse të ka ngelë ndonjë trohë dinjitet!”, kishte shkruar Bajrami në Facebook. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!