×
  • Lajme
  • Lajme / E fundit

    Të dhënat paraprake të regjistrimit: Kosova me mbi 1.5 milionë banorë

    Reporteri
    12 Korrik 2024 | 10:59
    Regjistrimi i Popullsisë. Shifër e publikuar nga Agjensia e Statistikave të Kosovës. 2024

    Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat paraprake të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave.

    Sipas të dhënave paraprake në Kosovë jetojnë 1,586,659 banorë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Ky është numri i popullsisë rezidente, dhe nuk përfshihet diaspora, regjistrimi për të cilën vazhdon të jetë i hapur. Aktualisht, në diasporë janë të regjistruar rreth 600.000.

    Ushtruesi i detyrës së drejtorit të ASK-së, Avni Kastrati tha se ky regjistrimi i popullsisë për diasporën do të jetë i hapur deri më 31 gusht. Ai shtoi se ka pasur bojkotim të madh të regjistrimit në komunat në veri të Kosovës.

    Kastrati tha se të dhënat përfundimtare do të publikohen në fund të vitit dhe nuk pritet të dallojnë shumë nga këto paraprake.

    “Një dallim me procesin e kaluar, është se gjithë procesi ka qenë digjital. Të dhënat janë grumbulluar për popullsinë rezidente, por edhe për atë jashtë Kosovës. Regjistrimi i diasporës ende vazhdon, deri më 31 gusht.

    Të dhënat paraprake publikohen disa muaj pas datës së fundit të grumbullimit në terren. Këto shifra përfshijnë popullsinë e regjistruar, ato përfundimtare do të publikohen në fund të vitit. Kemi kapacitete e përvojën që në fund të vitit të publikojmë rezultatet finale që nuk pritet të ndryshojnë shumë nga këto paraprake. Mbi 99.8 e objekteve të kodifikuara, por edhe ato të reja që nuk kanë qenë në hartën digjitale. Të gjitha këto janë kontaktuar, e vizituar. Në katër komunat në veri pati bojkotim në masë të madhe, përkundër se një pjesë është regjistruar”, tha Kastrati.

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se këto të dhëna janë shumë të rëndësishme për të marrë vendime dhe për të përmirësuar jetën e qytetarëve.

    Realizimi i regjistrimit ishte ndër projektet më me prioritet të Qeverisë. Ky regjistrim nuk është thjesht ushtrim statsistikor, por reflektim për të adresuar nevojat e popullatës tonë. Në një mënyrë statistikat e mirëfillta janë si GPS për të ardhmen tonë. Pa to do të përfundojmë duke bërë rrotullime e zig-zage duke humbur rezultate të vlefshme.

    Pa të dhënat e sakta edhe vendimet mund të jenë të pasakta e jocilësore. Statistikat janë një e mirë publike dhe duhen përdorur për marrjen e vendimeve. Statistikat janë si ai shoku ose shoqja që ju tregon se keni shtuar peshë, ndoshta nuk dëshironi ta pranoni, por është e vërteta. Unë jam krenar si kryeministër i Kosovës për përkushtimin e treguar nga të gjithë ata që morën pjesë në këtë proces shumë të rëndësishëm për vendin tonë”, tha Kurti.

    Afati i regjistrimit të popullsisë ishte nga 5 prilli deri më 17 maj, ndërsa me kërkesë në disa komuna është shtyrë edhe për një javë, deri më 24 maj.

    Shtyrja e afatit ishte bërë pasi mund të kishte individë, ekonomi familjare që nuk ishin regjistruar, si në Dragash, Prishtinë, Prizren, Drenas, Fushë Kosovë, Skenderaj, Obiliq, Ferizaj, Shtërpcë, Kaçanik dhe Gjakovë.

    Këtë herë, procesi u zhvillua me disa ndryshime. Ai u zhvillua  edhe në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës dhe përfshin formularë shtesë për dëmet e luftës.

    Kushdo që e bojkotoi procesin rrezikon të gjobitet nga 20 deri në 2 mijë euro, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës./Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!