×
  • Lajme
  • Lajme / Më 31 korrik

    Edhe PDK e konfirmon pjesëmarrjen në takimin e presidentes për konsultime rreth datës së zgjedhjeve

    Reporteri
    27 Korrik 2024 | 15:11

    Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se kjo parti do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga presidentja Vjosa Osmani rreth përcaktimit të datës së zgjedhjeve të rregullta.

    Çitaku në një konferencë për medie, ka thënë se kjo ftesë nuk ndërlidhet me zgjedhjet e parakohshme, pasi një gjë të tillë ka kohë që e kërkon PDK-ja.

    Ajo ka thënë se kjo ftesë ndërlidhet me zgjedhjet e rregullta.

    “PDK e ka pranuar ftesën e presidentes Osmani për një takim rreth përcaktimit të datës së zgjedhjeve. Sigurisht që ne do t’i përgjigjemi ftesës, e kemi obligim kushtetues dhe ligjor që të marrim në një takim të tillë. Ju e dini mirë që PDK-ja që nga korriku i vitit të kaluar ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, mirëpo ftesa e presidentes Osmani nuk ndërlidhet me inicimin e zgjedhjeve të parakohshme por me përcaktimin e datës për zgjedhje të rregullta dhe ne do të marrim pjesë aty dhe qëndrimin për këtë çështje dhe datës e preferuar do ta themi aty”, ka thënë Çitaku.

    Edhe LDK e Lumir Abdixhikut ka konfirmuar për Reporteri.net se do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga presidentja Osmani.

    “Ju konfirmoj që kryetari Abdixhiku ka pranuar ftesën si dhe të mërkurën në takim do jep qëndrimet e LDK-së”, ka thënë zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, për Reporteri.net.

    Reporteri.net ka pyetur edhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës nëse do të shkojnë në takim të presidentja, por nuk kemi marrë përgjigje.

    Kujtojmë se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar zyrtarisht liderët e partive politike që t’i takojë më 31 korrik për konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve.

    Presidentja u ka dërguar një letër liderëve të partive, në të cilën ka shkruar se bazuar në Kushtetutë dhe Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, zgjedhjet duhet të mbahen përgjatë periudhës 26 janar- 16 shkurt 2025.

    “Në këtë drejtim, bazuar në kompetencat e mia kushtetuese për shpalljen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ftoheni në takim konsultativ më 31 korrik 2024, në orën 14:00, në Sallën S301, në Ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e presidentes drejtuar partive politike.

    Zgjedhjet e fundit nacionale janë mbajtur më 14 shkurt 2021, kur Lëvizja Vetëvendosje doli e para me më shumë se 50 për qind të votave. Partia e dytë ishte PDK, e treta LDK, kurse e katërta AAK. Partia e Fatmir Limajt nuk kishte arritur ta kalonte pragun zgjedhor.

    Vetëvendosje kishte fituar zgjedhjet në koalicion me Partinë “Guxo” e themeluar nga Vjosa Osmani, e cila tash është Presidente e Republikës.

    Para tre muajve, kryeministri Albin Kurti kishte ftuar partitë politike për një takim, ku ishte hapur edhe tema e zgjedhjeve. Aty kishte shkuar vetëm lideri i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili kishte kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve gjatë muajit qershor. LDK dhe AAK nuk ishin pajtuar të shkonin në zgjedhje, duke shpërndarë Parlamentit, por kërkuan dorëheqjen e Qeverisë. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!