Kandidati i PDK’së për kryeministër, njëherit Kryetar i Mitrovicës, Bedri Hamza, ka vazhduar vizitën e tij në ShBA, me takime në Departamentin Amerikan të Shtetit. Atje është takuar edhe me Zëvendës Ndihmës Sekretarin për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, i cili para më pak se një muaji mori detyrën e emisarit të Administratës Biden për rajonin tonë.
Pas takimit, Hamza ka deklaruar se është më bindur se kurrë se në Amerikë i kemi shtyllat kryesore të përkrahjes dhe mbrojtjes, duke shtuar se “konfuzioni politik i qeverisjes në Kosovë dhe gabimet e njëpasnjëshme medoemos do të revidohen”.
“Pata takim të rëndësishëm dhe të ngrohtë në State Department, me udhëheqësin e ri të diplomacisë amerikane në Ballkan, z. Alexander Kasanof. Jam tejet i nderuar që jam lideri i parë nga Ballkani që po e takoj z. Kasanof, prej kur ka ardhur në detyrën e Zëvendës Ndihmës Sekretarit për Ballkanin Perëndimor. Eksperienca unike e tij e bëri shumë të dobishëm diskutimin e sfidave në peizazhin e ri gjeopolitik botëror. Në takim ishte edhe Drejtoresha për Evropën Juglindore, znj. Colleen Hyland, e cila ka shërbyer në ambasadën amerikane në Kosovë dhe është një mbështetëse e madhe e jona“, njoftoi Hamza.
“Në këtë takim tepër të rëndësishëm dhe përmbajtësor, z. Kasanof e urova edhe për postin e ri. Ne u pajtuam për nevojën thelbësore për bashkëpunim, koordinim dhe parashikueshmëri në marrëdhëniet tona me SHBA-në, ndërsa unë e prezantova planin e qeverisjes sime të fokusuar në zhvillim të hovshëm ekonomik, me investime strategjike, me rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe anëtarësimin në NATO, ku mbështetja e SHBA-së do të jetë përcaktuese. Kemi shumë punë për të bërë dhe kemi humbur shumë kohë, por jam më i bindur se kurrë se në Amerikë i kemi shtyllat kryesore të përkrahjes dhe mbrojtjes. Takimin e përfundova me optimizëm që konfuzioni politik i qeverisjes në Kosovë dhe gabimet e njëpasnjëshme medoemos do të revidohen, që të fokusohemi në rezultatet konkrete për qytetarët tanë dhe jo në krijim të dramave që nuk sjellin asgjë, pos izolim dhe injorim“, shkroi Hamza në facebook.
Alexander Kasanof, më 19 korrik, është caktuar si Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit për Ballanin Perëndimor si dhe për Shtypin dhe Diplomacinë Publike në Byronë e Çështjeve Europiane dhe Euroaziatike. Në këtë post, ai e pasoi Gabriel Escobarin, ish-emisarin amerikan që me të përfunduar mandatin e tij si i dërguar për rajonin tonë, Preisdenti Biden e nominoi për ambasador të SHBA në Paraguai.