Kryeministri britanik, Keir Starmer, deklaroi të hënën se do të ndalojë përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç dhe do të vendosë kufizime edhe për platformat e lojërave online dhe transmetimeve të drejtpërdrejta (livestreaming), në një përballje me kompanitë e mëdha të teknologjisë që shkon më larg se masat e ndërmarra nga çdo vend tjetër deri më sot.
Duke prezantuar masat e reja kundër platformave si Snapchat, TikTok dhe Instagram, si dhe faqeve të lojërave që u mundësojnë të huajve të komunikojnë me fëmijët, Starmer tha se këto ndryshime të gjera do t’ua “kthejnë fëmijëve fëmijërinë e tyre”.
“Është e qartë për mua se një ndalim i plotë është zgjedhja e duhur. Do të sjellë një ndryshim të madh. Do t’i bëjë fëmijët tanë më të sigurt, më të lumtur, do t’u japë më shumë kohë, më shumë siguri, më shumë liri për t’u rritur dhe më shumë mundësi”, deklaroi ai në një konferencë për shtyp.
Qeveria britanike bëri të ditur se do të përdorë një model të ngjashëm me atë të Australisë, e cila miratoi një ndalim të tillë në dhjetor të vitit të kaluar.
Ndalimi do të përfshijë gjithashtu platforma si YouTube, Facebook dhe X, ndërsa shërbimet e mesazheve si WhatsApp dhe Signal nuk do të përfshihen në këtë masë.
Britania do të vendosë gjithashtu kufizime që i cilësoi si “ndër më të avancuarat në botë” ndaj funksioneve të dëmshme, si transmetimet e drejtpërdrejta dhe komunikimi i të panjohurve me fëmijët nën 16 vjeç.
/Reuters/Reporteri.net/