Apple ka nisur të mërkurën eventin e përvitshëm të prezantimit të produkteve të reja në selinë e kompanisë në Cupertino të Kalifornisë, ku pritet të zbulojë edhe iPhone-in e parë të palosshëm, ndërsa tashmë ka prezantuar modelet e reja iPhone 18 Pro dhe iPhone 18 Pro Max.
Sipas Reuters, ky është eventi i parë i madh i Apple nën drejtimin e CEO-s së ri, John Ternus, dhe pritet të shënojë ndryshimin më të madh në dizajnin e produktit kryesor të kompanisë që nga prezantimi i iPhone X në vitin 2017, kur Apple hoqi butonin fizik “Home”.
iPhone gjeneroi 209.6 miliardë dollarë, ose pak më shumë se gjysmën e shitjeve të përgjithshme të Apple në vitin e fundit fiskal.
Ish-CEO i Apple, Tim Cook, ia dorëzoi simbolikisht drejtimin Ternusit përmes një videoje në fillim të prezantimit.
“Jo unë. Ai është njeriu juaj”, tha Cook në video, duke drejtuar gishtin nga Ternus.
iPhone si “qendër personale e inteligjencës artificiale”
Gjatë prezantimit, Ternus e përshkroi iPhone-in si një qendër personale të inteligjencës artificiale, duke vënë theksin te privatësia e të dhënave.
“Sinqerisht, besimi shkon vetëm deri aty kur të dhënat tuaja nuk janë më nën kontrollin tuaj”, tha Ternus.
Ai theksoi se Apple Intelligence funksionon në pajisje sa herë që është e mundur, pa pasur nevojë që të dhënat personale të dërgohen dhe ruhen në serverë.
Ndërkohë, Lilian Rincon, e cila drejton produktet e inteligjencës artificiale për iPhone dhe është rekrutuar nga Google në fillim të këtij viti, prezantoi një version të përditësuar të asistentit Siri, i cili sipas Apple do të funksionojë me rreth 300 mijë aplikacione që në momentin e lansimit.
iPhone 18 Pro nis nga 1,199 dollarë
Apple prezantoi iPhone 18 Pro dhe iPhone 18 Pro Max, ndërsa çmimi fillestar i iPhone 18 Pro është 1,199 dollarë.
Modelet e reja do të përdorin çipin A20 Pro, të ndërtuar me proces 2 nanometra, i cili sipas Apple sjell përmirësime për ekzekutimin e modeleve të avancuara të inteligjencës artificiale drejtpërdrejt në telefon.
Apple ka përmirësuar gjithashtu sistemin e ftohjes së pajisjes, duke përdorur një sistem të bazuar në avull dhe teknika të avancuara të paketimit të përdorura edhe në çipat e kompjuterëve Mac.
Sipas analistit të PP Foresight, Paolo Pescatore, Apple po përpiqet ta bëjë inteligjencën artificiale pjesë të pandashme të përvojës së përditshme të përdoruesve.
“Apple Intelligence dhe Siri janë në qendër të vëmendjes. Apple po përdor fuqinë e saj më të madhe, shkallën e jashtëzakonshme të bazës së pajisjeve, për ta bërë inteligjencën artificiale pjesë integrale të përvojës së përditshme në pajisje të ndryshme”, tha Pescatore.
Në pritje të iPhone-it të palosshëm
Vëmendja kryesore e eventit është te iPhone-i i parë i palosshëm, i cili pritet të jetë një nga produktet më të shtrenjta të Apple.
Analistët presin që pajisja të kushtojë më shumë se 2,000 dollarë, duke vendosur një rekord të ri çmimi për Apple.
Samsung dhe Huawei kanë shitur telefona të palosshëm që nga viti 2019, por kjo kategori ka mbetur kryesisht e kufizuar te përdoruesit dhe entuziastët e teknologjisë.
Megjithatë, sipas firmave analitike, Apple pritet të shesë çdo iPhone të palosshëm që arrin të prodhojë dhe mund të sigurojë rreth 40 për qind të këtij tregu deri në fund të vitit të ardhshëm.
Një nga sfidat kryesore teknike është krijimi i një mekanizmi të qëndrueshëm të palosjes, i cili mund të përballojë hapjen dhe mbylljen e përsëritur të pajisjes, ndërsa njëkohësisht të minimizojë vijën e dukshme në ekran.
Një tjetër sfidë është rezistenca ndaj pluhurit dhe ujit.
Reuters vëren se Google, me modelin e saj më të fundit Pixel 10 Pro Fold, ka avancuar në këtë drejtim, duke ofruar certifikimin IP68, që nënkupton mbrojtje të plotë nga pluhuri dhe mundësinë e zhytjes në ujë deri në një metër thellësi.
Apple ndryshon edhe kalendarin e prezantimeve
Eventi i këtij viti pritet të sjellë edhe një ndryshim në mënyrën se si Apple i prezanton produktet gjatë vitit.
Sipas Reuters, Apple pritet të prezantojë modele të reja të Apple Watch, ndërsa modelet më të përballueshme të iPhone-it mund të shtyhen deri në pranverën e vitit të ardhshëm.
Kompania synon në këtë mënyrë ta shpërndajë më mirë ciklin vjetor të shitjeve, i cili zakonisht shënon rritje të madhe të të ardhurave gjatë tremujorit të festave të fundvitit në SHBA dhe Evropë.