×
  • Lajme
  • Lajme

    Abazoviç, “i relaksuar”: Nëse më rrëzojnë më 19 gusht, skam asgjë kundër

    Reporteri
    17 Gusht 2022 | 16:56

    Nuk kam asgjë kundër formimit të një mazhorance të re parlamentare, tha kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç për televizionin publik malazez, transmeton “Reporteri.net”.

    Këtë reagim Abazoviç e bëri ndaj pyetjeve rreth mocionit të mosbesimit të caktuar më 19 gusht, përkatësisht të premten, ku 36 deputetë kanë inicuar rrëzimine qeverisë së tij, si pasojë e miratimit të Marrëveshjes së ashtuquajtur Themeltare me Kishën Ortodokse Serbe.

    Nga 81 deputetë sa ka Parlamenti i Malit të Zi, 36 deputetëve u duhen edhe 5 vota për rrëzimin e tij – vota këto problematike për t’u arritur ngase do të duhej të kërkoheshin nga blloku pro-serb i Frontit Demokratik, të cilët refuzojnë çfarëdo bashkëpunimi me DPS-në e Gjukanoviçit.

    “Nëse ndokush mendon se ne kemi zbatuar politika të dikuj tjetër, ose për interes të dikuj tjetër, e kanë gabim”, u shpreh kryeministri, derisa shtoi se për “disa njerëz çështja më e rëndësishme në botë u bë Marrëveshja Themeltare”.

    Referuar akuzave, kryesisht të Partisë Demokratike të Socialistëve që udhëhiqet nga presidenti Millo Gjukanoviç, se Abazoviç i kreu shërbim të madh politikës serbe, ky i fundit tha se ka udhëhequr politikë autonome.

    “Të gjithë kanë prioritetet e tyre, nëse nevojitet mazhorancë e re në Parlamentin e Malit të Zi, nuk kam asgjë kundër”, tha kryeministri dhe shtoi se nëse kalon mocioni i mosbesimit “ne do të tërhiqemi nga të gjitha proceset”.

    “Shohim çfarë do të ndodh më 19 gusht, mbase shfaqet edhe tjetër iniciativë. Shohim se çfarë i ndodh edhe asaj, nëse nuk ndodh asgjë më 19. Sa për mua, jam krjetësisht i qetë. Mendoj se kemi bërë shumë këto 100 ditë qeverisje”, u shpreh Dritan Abazoviç.

    Partia Demokratike e Socialistëve, e cila ishte kyçe për sigurimin e mazhorancës parlamentare të qeverisë së pakicës së Dritan Abazoviç ka tërhequr mbështetjen ndaj këtij të fundit pikërisht për çështjen e nënshkrimit të marrëveshjes me Kishën Serbe, shkruan “Reporteri.net”.

    Kjo ngase ata e panë si “tradhti ndaj interesave kombëtare” duke ia njohur disa të drejta ligjore të cilat janë anti-kushtetuese, në falsifikim të historiografisë reale si dhe legjitimim si instrument i nacionalizmit serb brenda shtetit.

    Gjithashtu problematike për ta është përvetësimi i manastireve ortodokse që i përkasin kulturës dhe traditës malazeze, të cilat Kisha Ortodokse Serbe i kishte monopolizuar pas vitit 1918 në shkrirjen e Malit të Zi me Mbretërinë e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, ose Jugosllavinë e Parë siç quhet /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!