Shtigjet e hikingut shtojnë fitimin për bujtinat në Kosovë.
Entuziazmi me të cilin po flisnin për Kosovën në një podcast gjerman për udhëtime, e bindi Sophie Welt që të nisej nga Hannoveri drejt vendit tonë për hiking.
Në atë episod, Kosova ishte përmendur si pjesë e shtegut ndërkufitar me Shqipërinë dhe Malin e Zi.
“Ne dëgjuam podkastin Reisen Reisen, ku ata përmendën shtegun e ecjes Peaks of the Balkans. Moderatorët flisnin me shumë entuziazëm për Kosovën dhe ishin të impresionuar, kjo na bëri kuriozë edhe ne”, rrëfen Sophie.
Bukuritë e vendit i kanë lënë shumë përshtypje, saqë tashmë planifikon të kthehet sërish.
“Do të donim të ktheheshim në Kosovë, sepse nuk patëm kohë të mjaftueshme për të parë gjithçka, për shembull Brodin. Fotot e zonës duken fantastike.”
Ajo veçon Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” dhe “Shpellën e Gadimes”.
Krahasuar me vendet e tjera që ka vizituar, Kosovën e sheh aktualisht si një “insider tip”, apo më pak i zbuluar për turistët, por beson se shpejt do të kthehet në një destinacion të njohur për hiking.
“Akomodimet në male ndoshta nuk do të jenë të mjaftueshme për të gjithë,” shprehet ajo, duke theksuar rëndësinë që strukturat e reja të akomodimit të përshtaten me planin në parkun kombëtar dhe të mbeten autentike.

Nga ushqimi që ka provuar në bujtina, djathi i shtëpisë i ka mbetur më shumë në mendje.
“Ushqimi ishte shumë i shijshëm dhe i përgatitur i freskët. Ne jemi vegjetarianë dhe kjo nuk ishte aspak problem. Djathi i bërë në shtëpi ishte shumë i mirë.”
Njerëzit i përshkruan si shumë miqësorë dhe mikpritës.
“Shumë mund të flisnin gjermanisht, ndërsa të tjerët anglisht. Dhomat e ngrënies në bujtina ishin shpesh të mobiluara në mënyrë tradicionale, prej druri. Ne u ndjemë shumë rehat. Gjithçka dukej autentike” thotë Welt.
Kosova tashmë bën pjesë në listën e shteteve që ajo do t’i rekomandonte si destinacione për hiking, megjithëse vëren se mbeturinat duhet të menaxhohen më mirë.
“… shumë natyrë e bukur dhe shtigje të mrekullueshme. Mund të bësh kamping ose të flesh në bujtina. Për më tepër, është e lehtë të gjesh ushqim gjatë rrugës.”

Mikpritja, ushqimi dhe bujtinat ia kanë bërë qëndrimin të paharrueshëm edhe Izzy Hamont.
Hamont, e cila vjen nga Holanda, e ka vizituar Kosovën përmes të njëjtit shteg, që e zbuloi teksa po kërkonte shtigje më të gjata për hiking.
“Ajo që më la më shumë përshtypje ishte mikpritja e jashtëzakonshme e njerëzve në Kosovë”, thotë Izzy.
Edhe ajo ka mbetur pa fjalë nga natyra e vendit, teksa ka vërejtje për asfaltimin e disa segmenteve të shtegut, që thotë se e bëjnë më pak interesant hikingun.
“Por nuk na shqetësoi shumë; pjesët që kalonin nëpër lugina dhe pyje ishin shumë të bukura”.
Bujtinat e familjet me të cilat kanë qëndruar, e kanë kthyer këtë udhëtim në një përvojë të mrekullueshme për të.
“Ushqimi ishte fantastik! Bujtinat ku qëndruam ishin të vogla dhe autentike, por të pastra. U kujdesën shumë mirë për ne”, thotë ajo.
Asaj i pëlqejnë shtigjet e qeta, më pak turistike e përvoja autentike, e Kosovën do ta rekomandonte si destinacion pikërisht për këto arsye.
“Megjithatë, duke e rekomanduar do të bëhet më e frekuentuar. Por në të njëjtën kohë kjo është mirë për ekonominë lokale dhe familjet tek të cilat qëndruam dhe i kemi shumë për zemër”.
Teksa flet për potencialin e vendit në turizëm malor, Izzy mendon se njerëzit e lidhin ende Kosovën me luftën dhe mundësinë e minave.

Shtigjet që sjellin të huaj dhe fitim
Shtegu “Peaks of the Balkans” ka sjellë në Kosovë shumë të huaj që merren me hiking, si Sophie dhe Izzy.
Sipas Strategjisë së Turizmit të Kosovës 2024–2030, ky shteg tërheq rreth 5 mijë vizitorë të huaj, të cilët shpenzojnë deri në 300 euro për qëndrim, kryesisht duke u akomoduar në bujtina.
Operatori turistik “Balkan Natural Adventure” thuajse të gjithë klientët i ka të huaj.
Virtyt Gacaferri, bashkëthemelues i kompanisë, thotë se sfida më e madhe mbetet mbajtja e standardit të lartë të shërbimit.
“Rreth 95 për qind të klientëve i kemi të huaj dhe duhet të ofrojmë shërbim me pesë yje në mënyrë që t’i mbajmë ata.”
Sipas tij, fitimi ose humbja në këtë biznes varet drejtpërdrejt nga pronarët dhe mënyra e menaxhimit. Ndër pengesat kryesore për zhvillimin e turizmit malor, ai përmend mbeturinat dhe investimet në asfalt në vend të shtigjeve të ecjes.
“Natyra e Kosovës është natyra më e fëlliqur me mbeturina në Evropë. Mua më vjen turp”, thotë Gacaferri, duke kritikuar Ministrinë e Mjedisit, e cila sipas tij ka dështuar për 25 vjet në këtë drejtim.
Ai shton se çdo vit duhet të investohen miliona euro në mbrojtjen e parqeve nacionale dhe tregon për bashkëpunimin e ngushtë me bujtinat:
“…duke përfshirë edhe financimin pa kamatë për bujtinat, në mënyrë që ato të arrijnë standardet tona të dëshiruara.”
Interesimi për bujtina, sidomos ato që punojnë me të huaj, është rritur pas pandemisë.
Bujtinat që mbajnë gjallë turizmin
Fetije Nikçi ka rreth 20 vjet që menaxhon bujtinën “Ariu” në Rekën e Allagës, bashkë me bashkëshortin e saj Mustafën. E hapur në vitin 2006, ajo pret rreth 800 turistë në vit, shumica të huaj.
“Vitin e parë nuk kishte vizitorë, vitin e dytë pak, e në të tretin filluan të vijnë më shumë,” kujton Fetija.
Ajo thotë se shtegu ndërkufitar e ndryshoi plotësisht rrjedhën e punës së saj, pasi tani shumica e vizitorëve janë të huaj që merren me hiking. Bujtina e saj ka kapacitet për 50 persona.
“Pas ardhjes së GIZ-it gjerman dhe krijimit të shtegut ‘Peaks of the Balkans’ në vitin 2012, filloi turizmi me të huaj shumë më tepër. Tani, çdo vit e më shumë vijnë.”
Sipas saj, të ardhurat nga ky biznes janë të mjaftueshme për një familje.
“Për një familje, mjafton,” shprehet ajo, duke theksuar se ushqimi tradicional mbetet kërkesa kryesore e turistëve.

Sfidë e madhe për ta mbetet uji.
“Ujin e kemi, por si kudo nëpër fshatra, përdoret keq. Në kohën e sezonës, më së vështiri e kemi me ujin. Ne e kemi sjellë ujin 8 kilometra larg, bashkë si fshat. Askush s’na ka ndihmuar,” tregon ajo.
Në një pozitë të ngjashme është edhe Afrim Lajqi, pronar i bujtinës “Dëbani i Malësorit” në Rugovë, e cila pret turistë prej dy vjetësh.
“…aty nuk ka rrugë, rrymë e as internet. Të gjitha gjërat duhet t’i dërgoj me çantë shpine,” thotë ai.
Kapaciteti i saj është për 12 persona dhe ushqimi që shërbehet është tradicional.
“Turistët kërkojnë vende si ky – gjithçka prej druri, jo ndërtime të forta. Ata janë lodhur nga asfalti,” thotë Afrimi.

Megjithatë, ai shton se nuk mund të jetohet vetëm nga ky biznes, sepse aktiviteti është sezonal, rreth tre-katër muaj në vit.
Mungojnë bujtinat dhe guidat
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2024 në vend janë vetëm 11 bujtina me 53 dhoma dhe 128 shtretër, ndërsa në ARBK figurojnë rreth 25 të regjistruara. Gjithashtu, ka 42 bungalotë, shtëpi të vogla prej druri, me gjithsej 945 shtretër.
Strategjia e Turizmit 2024–2030 e përmend mungesën e bujtinave si problem dhe thekson se nuk ka klasifikim të tyre sipas standardeve.
Në Komunën e Pejës, turizmi malor është prioritet kryesor. Drejtori për Zhvillim Ekonomik, Nasret Hajrizi, thotë se komuna po punon për ta zhvilluar modelin italian “Albergo Diffuso”, që nxit bujtinat në fshatra të vogla.
Ai shton se përmes shtegut ndërkufitar me Shqipërinë dhe Malin e Zi synojnë krijimin e shtigjeve tematike që kombinojnë natyrën me gastronominë, trashëgiminë kulturore dhe turizmin edukativ.
Po ashtu, është në zhvillim “Muzeu i Bjeshkatarisë dhe Ambientit”, që pritet të veçojë Pejën si destinacion të turizmit malor.

Turizmi malor, potencial i papërdorur
Hysen Sogojeva, kryetar i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, thotë se është e pabesueshme që turizmi nuk është parë asnjëherë si sektor prioritar nga qeveritë.
“Sipas potencialeve që ka Kosova për metër katror, neve na marrin lakmi shumë shtete,” thekson ai.
Ai veçon turizmin malor si një ndër më fitimprurësit, menjëherë pas bujqësisë, por kërkon themelimin e një agjencie kombëtare për promovim turistik.
Sipas tij, kërkesa për bujtina po rritet, sepse turistët duan natyrë dhe autenticitet.
“Turisti preferon të shohë delet e të hajë mishin e freskët, jo të shkojë në hotel me spa,” thotë Sogojeva.
Megjithatë, sfidë mbetet mungesa e infrastrukturës bazike, rrugë, kanalizim, rrymë, për të cilat shpesh kujdesen vetë pronarët.
Asnjë guidë e licencuar
Një tjetër problem i madh mbetet mungesa e guidave të licencuara.
Taulant Hoxha nga Asociacioni i Guidave Turistike të Kosovës – GuideKS, thekson se procesi i licencimit, që zhvillohet nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, është bllokuar për arsye burokratike.
“Në Kosovë nuk ka asnjë guidë të licencuar, gjë që krijon hapsirë që këtë profesion ta ushtrojnë guidat e huaja të cilat keq-interpretojnë dhe keq-informojnë turistët me informacione që ndërlidhen me trashëgiminë kulturore por edhe atë natyrore” thotë ai.
Ai tregon se janë rreth 50 persona që e ushtrojnë aktualisht këtë profesion në vend, me certifikata nga kurset e trajnimet që kanë ndjekur.
Sipas Hoxhës, pandemia ndikoi që njerëzit të vlerësojnë më shumë natyrën dhe aktivitetet në ajër të pastër, gjë që ka rritur interesin për hiking edhe në Kosovë. Për ta bërë sektorin më të qëndrueshëm, ai kërkon zbatimin e legjislacionit dhe prioritet të turizmit malor në politikat ekonomike.
“Dashuria për malet, jo përfitimi”
Për Gjon Markun, themelues i grupit “Peak Hikers Club”, mungesa e guidave të certifikuara po ndikon në uljen e interesimit për hiking.
Ai organizon ecje që prej tre vjetësh, me 15–40 pjesëmarrës, kryesisht vendas.
“Këtë vit ka pasur gjithnjë e më shumë interesim edhe nga të huajt, por fatkeqësisht s’kam mundur t’u siguroj guidë,” thotë ai.
Sipas tij, shteti duhet të investojë në trajnimin e guidave me standarde ndërkombëtare, sepse pa to nuk mund të ketë turizëm malor të zhvilluar.
Marku shton se aktivitetet i organizon për pasion, jo për fitim.

“Hikingun nuk e bëjmë për përfitim, por nga dashuria për malet dhe për promovimin e vendit.”
Ai bashkëpunon ngushtë me bujtinat dhe komunitetet lokale, të cilat, sipas tij, “po e mbajnë gjallë turizmin me shumë mund dhe pa shumë mbështetje.”
Destinacion “i ëndërruar” deri në 2030
Planet e shtetit janë që deri në vitin 2030, Kosova të shndërrohet në destinacion të qëndrueshëm turistik dhe konkurrent në Ballkanin Perëndimor. Këtë synon ta realizojë me rreth 200 milionë euro, ku gati 50 për qind e kësaj shume do të shkojë për relativizimin e qendrave turistike ekzistuese.
Rritja e kapaciteteve akomoduese dhe përmirësimi i infrastrukturës së tyre është një prej objektivave kryesore që parashihet në Strategjinë e Turizmit të Kosovës 2024-2030, dokument i hartuar nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Theksohet sidomos rritja e kapaciteteve hoteliere me çmim të përballueshëm “budget hotels”, për rritjen e net qëndrimeve. Nëpër zonat malore, Qeveria ka paraparë mbështetjen e bizneseve që të zgjerojnë kapacitetet e tyre si dhe kthimin e shtëpive tradicionale dhe kullave në struktura akomoduese. Buxheti i paraparë të shpenzohet për zbatim të këtij plani është afër 6 milionë euro.

Planifikohet edhe rehabilitimi i rrugëve për në destinacionet malore dhe ngritja e infrastrukturës për mbrojtje të mjedisit. Nëpër malet dhe bjeshkët e Kosovës, do të investohet në krijimin e shtigjeve të reja dhe zgjerimin e atyre ekzistuese. Për ta përmirësuar qasjen turistike, janë paraparë të shpenzohen gjithsej 82 milionë e 461 mijë e 836 euro.
Rreth 6.5 milionë euro tjera parashihen për përmirësimin e ofertës së kulinarisë në zona të përshtatshme për turizëm rural, ashtu që të promovohen ushqimet tradicionale dhe të komercializohen./Reporteri.net
*Artikulli është publikuar në kuadër të bashkëpunimit me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës(AGK)