×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Ish-ushtari i UÇK-së që humbi 13 anëtarët e familjes në luftë: Do të luftojmë sërish nëse është e nevojshme

    Reporteri
    18 Qershor 2019 | 14:26

    “Nuk mendoj se serbët do të na japin ndonjë gjë. Shpresoj që të mos ketë një tjetër luftë, por ne do të luftojmë sërish nëse është e nevojshme. Kemi punë të papërfunduara”, deklaroi Berat Dana i cili po qëndronte së bashku me një grup të ish-bashkëluftëtarëve kur u intervistuan nga “The Indipendent”.


    Ky medium britanik ka shkruar për masakrat që ndodhën në Gjakovë para 20 vitesh, dhe citon Danën të cilit i janë vrarë 13 anëtarë të familjes së tij ndërsa ai po luftonte në radhët e UÇK-së.

    Gazeta përshkruan se si janë vrarë e torturuar njerëz dhe shumë objekte historike janë shkatërruar. Dana kishte arritur të gjente dy policë të cilët ishin të përfshirë në masakrën e 10 majit 1999, ku mbetën të vrarë anëtarët e familjes së tij.

    “Gjeta emrat e dy policëve të cilët ishin të përfshirë në arrestime dhe i kontaktova pas luftës. Dëshiroja të zbuloja se çfarë ndodhi me të zhdukurit. Gjurmova një në Mal të Zi, por më thanë se ishte i sëmurë. Pra, kemi të gjitha këto vrasje dhe nuk është e lehtë të falësh”, tha ai.

    Shkëndije Hoda është pjesë e një grupi që po grumbullon dëshmi për të gjitha ato çfarë ngjanë në Gjakovë, duke i dorëzuar Prokurorisë dhe duke u kujdesur që të mos i mbulojë pluhuri i harresës.

    Vëllai i Shkëndijës, Hekurani, i cili edhe ai ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka rrëfyer se pa ndihmën e NATO-së, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, nuk do të ishte i mundur çlirimi i Kosovës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!