×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Sami Lushtaku: Albin Kurti dhe Vetëvendosje nuk mund t’i mbrojnë vlerat e UÇK-së

    Reporteri
    27 Shtator 2020 | 19:32

    Kryetari i Degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku ka goditur kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, pasi ky i fundit tha sot se nuk mund të ndalet Gjykata Speciale dhe se fajësoi PDK-në e LDK-në për themelimin e kësaj gjykate.


    Lushtaku përmes një shkrimi në Facebook thotë se Albin Kurti dhe VV nuk mund t’i mbrojnë vlerat e UÇK-së, pasi sipas tij për ta bërë këtë atë vlerë duhet ta kesh tënden ose së paku të dëshmohesh se sadopak e ndjen atë, e sipas tij Kurti nuk e posedon, shkruan Reporteri.net.

    Ai thotë se UÇK-ja është e popullit dhe jo e partive politike të cilat mbrojtjen e vlerave të UÇK-së e kanë për konsum e përfitime politike dhe se të tillët duhet të turpërohen nga UÇK-ja, nga të rënët dhe familjet e dëshmorëve.

    Postimi i Lushtakut:

    Për ta mbrojtur një vlerë, atë vlerë duhet ta kesh tënden ose së paku të dëshmohesh se sadopak e ndjen atë, e kjo i mungon Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

    Të gjithë ata që prej nga paslufta e deri sot, me akuzat e tyre ia vendosën themelet çdo gjykate që synonte të njolloste UÇK-në, tani përnjëherë po na prezantohen si gardianët e luftës dhe luftëtarëve. „Mbrojtja“ e tyre nuk është asgjë tjetër përveçse një kor kopallash e demagogjishë neveritëse.

    UÇK-ja as nuk ishte dhe as nuk është ekskluzivitet i askujt në veçanti. UÇK-ja është vlerë sublime, simbol i përhershëm, histori e pashlyeshme dhe amanet i të rënëve për liri.

    Sot, ata që na sulmuan dhe tentuan ta relativizonin e minonin UÇK-në si themel të shtetit të Kosovës, befas po na dalin si mbrojtës, e të tillët janë të njëjtit që sulmuan edhe shtetin e Kosovës, janë të njejtit që nuk besuan as në liri e as në pavarësi.

    Mençuria pas kuvendit e trimëria pas beteje nuk kanë asnjë vlerë, përveç për demagogët dhe frikacakët. Ne të gjithë duhet ta ruajmë UÇK-në nga pretendimet monstruoze të gjykatave dhe njëkohësisht nga këta “gardianët” që zhurmën e tyre nuk e kanë të sinqertë.

    UÇK-ja është e popullit dhe jo e partive politike të cilat mbrojtjen e vlerave të UÇK-së e kanë për konsum e përfitime politike. Të tillët duhet të turpërohen nga UÇK-ja, nga të rënët dhe familjet e dëshmorëve. SL

    https://www.facebook.com/SamiLushtaku/posts/1799371136878347

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!