OAK kërkon nga Qeveria mbrojtjen e bizneseve dhe punëtorëve

Përmes një shkrese drejtuar KEDS, Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Zyrës së Rregullatorit për Energji si dhe Ministrave përkatës, Oda e Afarizmit të Kosovës shprehu shqetësimin e lartë të bizneseve lidhur me problemet që po hasin si rrjedhojë e ndërprerjeve të vazhdueshme të energjisë elektrike, me të cilat po ballafaqohen periudhën e fundit.

Si rezultat i gjendjes aktuale, bizneset përveç që po ballafaqohen me ndërprerje të energjisë elektrike, në shumicën e rasteve në momentin kur nuk ka ndërprerje, atëherë nuk punon sistemi tre fazor, e që i njejti pamundëson punën e makinerive.

Në shkresën drejtuar përfaqësuesve të Institucioneve vendore OAK informoi që një ditë më parë vizitoi biznese të veprimtarive të ndryshme siç janë ato prodhuese, tregtare e shërbyese dhe të gjitha unanimisht theksuan që sistemi tre fazor aktualisht nuk po funksionon. Mos funksionimi i rregullt i sistemit tre fazor, ka ndikuar që bizneseve të u pamundësohet kryerja e punëve, pasi që makineritë që ato përdorin kërkojnë energji stabile.

OAK theksoi që për të evituar këtë, bizneset po obligohen të sigurojnë energji elektrike në forma të tjera, siç është kalimi në gjenerator, sidomos në 48 orët e fundit dhe kërkoi që mos të ketë ndërprerje të tilla të energjisë elektrike të cilat po pamundësojnë funksionimin e rregullt të bizneseve.

OAK kërkoi nga Institucionet vendore që të evitohen me urgjencë ndalesat e sistemit tre fazore dhe reduktime minimale me paralajmërime javore për kufizimet e mundëshme.