×
  • Lajme
  • Pa kategori

    24 orë nga “prishja”, Albin Kurti e Isa Mustafa në heshtje

    Reporteri
    29 Janar 2020 | 20:20

    Mbrëmja e kaluar solli ndarjen më të ashpër të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, pasi të dy liderët përdorën gjuhë jo të zakonshme në të dalë nga takimi.


    Ishte Isa Mustafa ai që tha se LDK-ja qëndron e betonuar në ofertën e saj dhe, siç theksoi ai, nuk do të lëshohet pe ndaj VV-së, shkruan Reporteri.net.

    Kreu i LDK-së u thirr në ofertën e 8 janarit, që parasheh tërheqjen e VV-së nga posti i kryeparlamentarit.

    “Si LDK ne jemi të bindur se zgjidhja që kemi ofruar kohët e fundit, është një zgjidhje që i kontribon nenjë marrëveshjeje të balancuar.Nëse VV, si parti e parë, i pranon kushtet, ne jemi të gatshëm për ta bërë marrëveshjen”, ka thënë Mustafa mbrëmë.

    Pak minuta pas Mustafës, foli Albin Kurti më ashpër se kurrë më parë. Ai tha se nuk ka marrëveshje nëse qasja është “merre ose lëre”.

    “Për marrëveshje nevojitet përafrim i dyanshëm. Nuk mund të ketë përafrim të një anshëm. Ne jemi afruar, mirëpo nga ana tjetër ka insistim vetëm në 8 janar në stilin merre ose lëre. Me qasjen merre ose lëre, nuk mund të arrijmë marrëveshje”, tha në anën tjetër Kurti.

    E kur kanë kaluar 24 orë nga këto fjalë të ashpra, Albin Kurti e Isa Mustafa nuk janë parë as në partitë e tyre e as nuk janë lajmëruar në publik. I vetmi që ka folur rreth situatës, ka qenë njeriu më i përfolur në takimet e të dyja partive, Glauk Konjufca. Ai paralajmëroi krijim të shpejtë të Qeverisë.

    Ndërkohë, nga të dyja partitë nuk është thënë as kur pritet që të ketë takim të radhës, ani pse kanë mbetur edhe pak ditë afat ligjor. Albin Kurti i ka vetëm edhe 7 ditë për ta gjetur zgjidhjen./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!