×
  • Lajme
  • Pa kategori

    A do t’i mbajë Kurti fjalët e forta për reciprocitet, pas kundërshtimit nga SHBA?

    Reporteri
    10 Shkurt 2020 | 18:34

    Albin Kurti është sfiduar sot në kauzën e tij kryesore, të pakten siç e ka thënë vetë ai: Reciprociteti i plotë me Serbinë, ekonomik, politik e tregtar. I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, tha se është kundër masave të reciprocitetit, që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka paralajmëruar kundër Serbisë, shkruan Reporteri.net.


    Një qëndrim i tillë amerikan, ka mjegulluar edhe më shumë situatën rreth dialogut. Tash do të varet nëse kryeministri Kurti do ta thyej zotimin me të cilin fitoi zgjedhjet apo do të veprojë siç i thotë Amerika.

    “Ashtu kemi deklaruar në fushatën zgjedhore sepse ashtu kemi menduar e besuar dhe ne me ato deklarime e qëndrime kemi fituar dhe natyrisht që tash duhet t’i dalim zot qytetarëve për mbështetjen e tyre. Ne duam që tarifën njëqind për qind ta zëvendësojmë, pra të mos kemi situatë në të cilën nuk e kemi as tarifën as reciprocitetin”, është shprehur ndër të tjera Kurti para disa ditëve.

    I pyetur lidhur me një afat kohor kur mund të bëhet kjo, Kurti ka thënë se nuk mund të japë afate. Ama, kryesorja që kishte thënë ishte se reciprociteti do të vendosej fillimisht e më pas do të hiqej taksa.

    “Ne do të përpiqemi sa më shpejt mirëpo unë nuk mund të jap një datë tash pa i filluar mbledhjet e qeverisë, pa e vendosur këtë në kabinetin tim dhe natyrisht pa e takuar edhe komunitetin e biznesit. Unë besoj që kur është vendosur tarifa 100 për qind në vjeshtën e vitit 2018, është bërë gabim që nuk i kanë takuar biznesmenët tanë e posaçërisht prodhuesit, mirëpo jemi ku jemi tash dhe neve na duhet ta shqyrtojmë edhe aspektin ekonomik të kësaj çështje”, ka shtuar Kurti.

    E në anën tjetër, amerikanët jo vetëm që nuk duan reciprocitet, por as pezullim të tkasës. Heqje të terësishme të saj, shkruan Reporteri.net.

    Zëdhënësi i tij, Dick Custin, tha për Radion Evropa e Lirë se Grenell e inkurajon Kosovën që ta heqë taksën 100% ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia, pa reciprocitet. Madje ata janë të prerë edhe sa i përket taksës. Për ta më nuk kryen punë pezullimi.

    “Kosova duhet ta heqë taksën ndaj mallrave të Serbisë, pa reciprocitet. Jo vetëm ta pezullojë taksën, por ta heqë plotësisht atë”, tha Custin. “Ambasadori nuk e mbështet idenë e reciprocitetit”, shtoi ai.

    Kosova u ka vënë taksë 100% prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina në nëntor të vitit 2018. Ambasadori Grenell, si i derguar për dialogun është tejet i interesuar që të ketë marrëveshje të shpejt Kosovë – Serbi. Në këtë frymë, ai nuk po pelqen vendime që pengojnë dialogun.

    Kurti, i cili ka marrë detyrën e kryeministrit javën e kaluar, ka thënë se kjo masë do të zëvendësohet me reciprocitet ndaj Serbisë.

    “Tarifa 100% ndaj mallrave të Serbisë do të zëvendësohet me parimin e reciprocitetit. Tarifa 100% hiqet porsa të vendoset reciprociteti. Shumë shpejt fillojmë t’i përgatisim Doganat e Kosovës për këtë. Si Kryeministër i Republikës së Kosovës e kam shprehur vullnetin që ta heqim tarifën 100%. Pres që Serbia të deklarohet se ka vullnet për ndaljen e fushatës për çnjohjet e pavarësisë së Kosovës”, shkroi para dy dite ai.

    Kundershtime e dyshime për idenë e Kurtit ka edhe nga partneri i koalicionit dhe opozita.
    Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani po ashtu ka shpërfaqur haptazi dallimet në koalicion, qysh në ditën e dytë të punës së tyre. Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani ka shprehur dyshimet se mund të bëhet shpejt reciprociteti, pasi tha se duhet studiuar mirë para se të merret vendimi.

    “Çështja e reciprocitetit në masë të madhe prekë edhe 33 marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë prandaj duhet të studiohet se sa nga këto çështje janë pjesë e marrëveshjes dhe sa do të trajtohen në dialog tash e tutje. Unë nuk mund të jap datë se kur do të ndodh dhe më saktë mund tëthuhet nga qeveria, por kjo kërkon më shumë studim dhe më shumë gjithëpërfshirje. Vendimi politik është, taksa largohet dhe reciprociteti si vendim i marrëdhënieve të mira politike, do të hyjë në fuqi”, shtoi ajo.

    Kryetari i LDK-së shkoi përtej kësaj. Ai paralajmëroi pasoja nëse ka nguti në këtë drejtim, dhe për më tepër dha shenja se nuk dëshiron të përzihet në vendimin e Qeverisë. Nëse taksa hiqet, nenshkrimin do ta japë Kryeministri Kurti. Kjo rezervë e Mustafës për të komentuar, ndoshta mund të shihet si veprim për t’ia lënë ‘pataten e nxehtë’ Kurtit, shkruan Reporteri.net.

    “Në fillim të kësaj jave është zgjedhur Qeveria, e cila para vetes ka shumë punë, përfshirë edhe dialogun por edhe tarifën e vënë nga Qeveria Haradinaj. Në programin qeverisës jemi pajtuar që tarifa të ndërlidhet me reciprocitetin. Kjo tani është çështje e qeverisë dhe unë do të kursehesha që në këtë fazë të them se si duhet të bëhet. Por duhet të them se është shumë komplekse dhe me pasoja shumëdimensionale. Besoj që Qeveria mund ta gjejë rrugën më të mirë, të bashkërendis me partnerët tanë ndërkombëtarë, veçmas me SHBA dhe BE”, ka deklaruar disa ditë më parë, Isa Mustafa për Express.

    Në këtë pikë, pajtueshmeri Kurti nuk ka as me opozitën. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli që në mandatin e tij kishte propozuar reciprocitetin, tha se tash kryeministri i vendit nuk duhet kaq shpejt të dorëzohet para Serbisë.

    “Taksa ndaj importeve serbe ka qenë vendim dinjitoz i shtetit tonë për t’iu kundërvënë sulmeve të njëpasnjëshme që Serbia ka bërë kundër Kosovës. Shpreh shqetësimin për ngutinë e tepruar të kryeministrit të ri për të përmbushur kerkësat e Serbisë dhe për të rehatuar Listën Serbe, e cila u largua nga qeveria e kaluar për shkak të taksës. Një qeveri ka rënë si pasojë e taksës, gjë që ka dobësuar për një kohë Kosovën. Prandaj, nuk duhet të ketë manovrime politike për këtë temë të ndjeshme, e cila rrezikon ta dëmtojë më tej vendin tonë. Qeveria e re duhet të mos të dorëzohet para Serbisë përpara sfidave dhe vendimeve të mëdha që e presin Kosovën”, ka thënë Veseli.

    Në fakt Veseli pati një debat në Twitter me ambasadorin Grenell rreth taksës, Grenell i shkroi atij duke i thënë se duhet ta përkrah heqjen e taksës dhe se Albini ka të drejtë. Veseli ia ktheu se ‘Albini është një genjështar’ dhe se ‘ai për reciprocitetin kishte prezantuar një plan para një viti e të cilin Kurti e kishte kundërshtuar”.

    Nga partia e Ramush Haradinajt, njeriut që e vendosi taksën, po konsiderohet si gabim historik heqja e saj. Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka kërkuar kryeministrit, Albin Kurti, të mos e heqë taksën ndaj mallrave serbe.
    Përmes një letre drejtuar Kurtit, Haradinaj thotë se “në kundërshtim të Serbisë duhet të jemi bashkë deri në njohje reciproke, e jo të jesh për një reciprocitet pa njohje”.

    “Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje me vetëmohim të pashoq të kanë qëndruar besnikë në kauzën tënde. Ne mund të mos pajtohemi për shumë gjëra të politikës ditore, por sakrificën gjithmonë ta kam njohur. Për shkak të kësaj sakrifice dua që personalisht të lutem të mos e largosh taksën ndaj Serbisë”, thuhet në letrën e Haradinajt të cilën e ka postuar edhe në profilin e tij në rrjetin social Facebook.

    Kryeministri Kurti do ta ketë nesër një vizitë në Shqipëri. Me gjasë do të marrë këshilla edhe atje se si të veprojë. Por pyetja kryesore mbetet: A do ta veprojë Kurti për kauzën që e ka votuar edhe populli apo për ato sic i thotë Amerika?/Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!