Ka përfunduar takimi i Përfaqësuesit të lartë të BE-së, Joseph Borrell me përfaqësuesit e partive politike në vend.
Pas takimit kreu i Nismës, Fatmir Limaj ka dhënë detaje lidhur me atë se çka është biseduar me përfaqësuesin e lartë të BE-së. Limaj ka thënë se në takim kanë potencuar se për Kosovën çështja prioritare është ndërmarrja e hapave konkretë në drejtim të liberalizimit të vizave, shkruan Reporteri.net.
“Në takimin me Borrel, patëm rastin që t’i shkëmbejmë mendimet dhe prioritetet e dyanshme. Për neve tema më e rëndësishme është që BE nga fjala të kalojë në vepra. Ne jemi të frustruar e zhgënjyer me sjelljen e vendeve të BE-së për procesin e liberalizimit. Ne presim dhe duam që BE të shkojë me hapa konkret drejt liberalizimit. Temë tjetër ishte edhe çështja e dialogut.
Limaj ka thënë se në takim është diskutuar edhe çështja e dialogut dhe se qëndrimi i tyre mbetet për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që përfshinë njohjen e Kosovë.
“Qëndrimi ynë është që ne duam një marrëveshje gjithëpërfshirëse që në zemër ka njohjen. Pra çdo marrëveshje roli kyç është i SHBA-së”, është shprehur Limaj.
Ndërkaq Besnik Tahiri i cili përfaqësoi AAK-në në takimin me Borrel tha se kanë kërkuar përkushtimin e BE-së që çështja e liberalizimit të vizave të vendoset sa më shpejt në agjendën e Këshillit të Sigurimit. Kurse sa i përket dialogut nga AAK thanë se kanë kërkuar që angazhimi i Berlinit të jetë sa më i madh.
“Sot ishim në takim me përfaqësuesin e lartë të BE. Në takim i bëmë publike qëndrimet tona. Në të njëjtën kohë kërkuam përkushtimin e in BE që sa më shpejtë të vendoset në çështjen e këshillit liberalizimi i vizave. Kjo është një padrejtësi e madhe për shkak se ne kemi përmbushur të gjitha kushtet siç e konfirmoi edhe ai. Sa i përket dialogut kërkuam që angazhimi i Berlinit të jetë sa më i madh. Po ashtu potencuam që njohja reciproke është e vetmja zgjithje. Po ashtu kërkuam që 5-shja e BE-së që nuk e ka njohur Kosovën ta bëjë”, u shpreh ai.
/Reporteri.net