×
  • Lajme
  • Pa kategori

    AAK-ja s’po koncentrohet: Deputeti tha se u bisedua për të dalë nga koalicioni, nënkryetari thotë jo

    Reporteri
    08 Shtator 2020 | 14:59

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës gjatë ditës ka mbledhur Këshillin Drejtues të kësaj partie.


    Për atë se çka u diskutua në takim ka pasur kundërthënie mes zyrtarëve të kësaj partie.

    Deputeti i AAK-së, Gazmend Syla para takimit ka thënë  se temë diskutimi do të jetë edhe koalicioni qeverisës që kohëve të fundit po ka jo pak mospajtime, shkruan Reporteri.

    Ai madje, e ka porositur kryeministrin Avdullah Hoti se mund të shkarkohet qysh nesër nëse nuk merret parasysh AAK-ja, si partner qeverisës.

    “Mendoj që ishte dashtë me qenë tema e takimit në Uashington, nënshkrimi i marrëveshjes. Do të diskutojmë për koalicionin, i shohim këto fërkime ne, por zoti Hoti duhet të ketë parasyshë se ai ka ardhur me votën tonë kryeministër dhe mund të shkarkohet nesër, siç janë shkarkuar edhe kryeministrat tjerë”, ka thënë ai për mediat.

    Por, të jetë diskutuar për koalicionin qeverisës e ka mohuar nënkryetari i kësaj partie, Ardian Gjini.

    Gjini ka bërë të ditur se në këtë mbledhje është diskutuar lidhur me dialogun dhe marrëveshjet e arritura në Bruksel derisa ka konfirmuar se ka pasur deputetë dhe anëtarë të AAK-së që kanë menduar që nëse dialogu nuk prodhon rezultate, AAK duhet të largohet nga koalicioni.

    “Absolutisht me asnjë fjalë nuk është diskutuar sot kjo temë. Sot kemi diskutuar për dialogun i cili është pika më e ndjeshme në të gjitha këto marrëdhënie”.

    “AAK-ja nuk ka diskutuar sot për dalje nga koalicioni, edhe pse ka pasë deputetë dhe anëtarë që kanë menduar që nëse dialogu nuk prodhon rezultatet që i presim edhe mund të ketë veprime të tilla. Nëse ka diçka që shkakton problem është procesi i dialogut”, ka thënë Gjini para mediave.

    Kujtojmë se vetë kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, mbrëmë në TV Dukagjini, ka shprehur hapur pakënaqësinë me mënyrën si po dialogon kryeministri Avdullah Hoti me Serbinë.

    Ai ka paralajmëruar se do të ndërmarrë masa, duke paralajmëruar në një mënyrë edhe largimin nga Qeveria.

    “Mund të vlerësojmë një ditë që nuk mund të vazhdojmë kështu”, tha Haradinaj.

    Ai deklaroi mbrëmë se Hoti e koordinatori për dialog Skender Hyseni po sillen me vetkënaqësi të tepruar dhe se sjellja e tyre është rrezik për Kosovën. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!