×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Kandidatët për deputetë në kërkim të votës, fushatë në barnatore, çajtore e çerdhe

    Reporteri
    01 Tetor 2019 | 15:36

    Kandidatët për deputetë nga parti të ndryshme në kërkim të votës për t’u bërë deputet nuk po lënë vend pa shkuar.


    Përveç çerdhës kandidatë të caktuar kanë shkuar për të bërë fushatë edhe në barnatore e ferma të lopëve, por jo vetëm.

    Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka zgjedhur edhe një barnatore që ta kërkojë votën. Në foto që është etiketuar ai shihet teksa shtrëngon duart me punëtoren e barnatores që shihet se është edhe përkrahëse e LDK-së, kurse pranë tij është edhe një person tjetër.

    Zemaj fushatën e bën edhe në rrugë. Në një foto tjetër që ka postuar në Facebook ndërkaq shihet duke i shtrënguar duart me një njeri që është brenda veturës së tij, shkruan Reporteri.net.

    Edhe deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku, poashtu ka bërë fushatë në një vend të veçantë.

    Ajo ka zgjedhur edhe një fermë për ta vizituar disa fermerë, ndërsa ka shkruar në Facebook se “këta fermerë do të trajtohen dinjitetshëm vetëm gjatë mandatit të liderit Kadri Veseli”.


    Kandidati i AKR-së për deputet, Islam Pacolli, nuk ka “kursyer” as fëmijët për të bërë fushatë.

    Ai më 26 shtator ka vizituar një çerdhe të fëmijëve me ç’rast ka dhuruar 16 sete të librave për parafillorët.

    Kurse dy deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli e Driton Tali, më 28 shtator kanë bërë fushatë në një çajtore në Podujevë.

    Pacolli ka shkruar në Facebook se “Çaji i Podujevës dhe kafja e Sabitit… edhe për Llapin po vjen dita. Edhe çaji i Podujevës nuk po ia lëshojka rendin çajit të Vushtrrisë e atij të Kaçanikut”.

    Edhe kandidatja për deputete, Teuta Haxhiu, ka bërë fushatë nga një kafe në Gllogjan.

    “Në Gllogjan 100 %”, ka shkruar ajo, sipër fotos ku shihet duke pirë kafe me disa banorë.


    Dy kandidatët e PDK-së për deputetë, Uran Ismaili e Eliza Hoxha, të hënën kanë bërë paksa fushatë në kryeqytet ku kanë zgjedhur të takojnë një person që pjek shtalba.
    Ai ndër të tjera ka shkruar në Facebook se “nëse kërkoni shtalba të mirë, i gjeni afër shkollës “Faik Konica”. /Reporteri.net/.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!