Sot, në ditën e dytë të gjyqit, mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi ka nisur deklaratat hyrëse për rastin e ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Gregory Keohe, avokat i Hashim Thaçit, ka mohuar të gjitha pretendimet e Prokurorisë Speciale në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Avokati mbrojtës ka argumentuar se Thaçi nuk kishte asnjë motiv për të marrë pjesë në krime.
Ai tha se Thaçi kundërshton të gjitha pretendimet se janë kryer krime nga UÇK-ja.
“Nuk folën as për kontekstin e luftës, një luftë që filloi në mënyrë mizore në verën e vitit 1998 dhe vazhdoi deri në shtatorin e vitit 1998. Çfarë i bëri kjo luftës kjo ofensivë strukturës komanduese të UÇK. ZPS-ja dëshiron të besoni se kishte një strukturë komanduese me kontroll efektiv. Kjo është shumë larg së vërtetës. Faktet e asaj që ndodhi në terren duhet t’i vendosim në kontekst. Thaçi një i ri, aktivist student që u kthye në Kosovë menjëherë pas vrasjeve të anëtarëve të familjes Jashari që është dhe pikënisja e kësaj periudhe që mbulohet nga kjo aktakuzë. Motivi është shumë i rëndësishëm. Hashim Thaçi nuk kishte asnjë motiv të merrte pjesë në krime. Si një prej udhëheqësve politikë të UÇK-së, Hashim Thaçi e dinte se suksesi i luftës çlirimtare varet nga mbështetja e vendeve perëndimore, sidomos nga SHBA”, ka thënë ai.
Avokati ka thënë se Hashim Thaçi, nuk kishte asnjë motiv për të marrë pjesë në krime. Ai tutje tha se Thaçi e ka pasur mbështetjen e SHBA-së dhe të bashkësisë ndërkombëtare e s’ka pasur pse të merrte pjesë në krime sepse do ta humbte atë mbështetje
“Thaçi e dinte shumë mirë se Kosova s’mund të arrinte pavarësinë pa ndihmën e SHBA-së e vendeve të tjera perëndimore. Kishte motivin për të mos u angazhuar në krime për të mos humbur këtë mbështetje”, tha ai. /Reporteri.net/