Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim ambasadorin e Hungarisë në vendin tonë, Laszlo Markusz, me të cilin diskutoi për zhvillimet aktuale në Kosovë, bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe parlamenteve respektive.
Në njoftimin për media thuhet se Konjufca vlerësoi lart mbështetjen e deritashme të Hungarisë për Kosovën në shumë fusha, si implementuese e projekteve të Bashkimit Evropian, përfshirë Projektin e BE-së të Binjakëzimit 2016 -2018.
Konjufca theksoi se përvoja e çmuar e raporteve të Kuvendit të Kosovës me Parlamentin e Hungarisë, paraqet modelin e duhur që Kuvendi ynë po e ndërton me shumë parlamente të tjera në botë.
Duke vënë në pah prioritetet e vendit, kryeparlamentari Konjufca tha se mirëpret thellimin e bashkëpunimit në të gjitha nivelet me Hungarinë, si përkrahëse e parezervë e prosperitetit në Kosovë, zhvillimit ekonomik dhe të ardhmes së saj euro-atlantike.
Ambasadori i Hungarisë, Markusz, pasi uroi kryetarin Konjufca për zgjedhjen e tij në krye të Kuvendit të Kosovës, shprehu gatishmërinë e vendit të tij për forcimin e bashkëpunimit të gjithanshëm midis dy shteteve.
Ai siguroi kryetarin e Kuvendit se shteti i tij do të jetë mbështetës i vazhdueshëm i Kosovës për anëtarësimin e saj në institucionet ndërkombëtare, proceset e saj integruese, si dhe zhvillimin ekonomik.
Konjufca ditëve në vijim mund të dorëhiqet nga pozita e kryeaparlamentarit për t’i hapur rrugë një marrëveshjeje me Lidhjen Demokratike të Kosovës e cila me çdo kusht e dëshiron pozitën e kryetarit të Kuvendit.