×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Pas 15 vitesh komuna e Prizrenit e lë pa sallë ansamblin “Lidhja e Prizrenit”

    Reporteri
    25 Qershor 2020 | 19:17

    Rreth 250 anëtarë të ansamblit “Lidhja e Prizrenit” janë në një hall të madh. Salla në të cilën ata për 15 vite me radhë kanë mbajtur ushtrimet e rregullta do të renovohet dhe të shndërrohet në një Mini Teatër. Kjo do të bëjë që anëtarët e këtij ansambli të mbeten pa hapësirën e nevojshme për funksionimin dhe kryerjen e përgatitjeve, ndonëse u ishte premtuar nga kryetari i kësaj komune Mytaher Haskuka se do të gjendet një zgjidhje, duke bërë që karriget të jenë lëvizëse.


    Por, ky ka mbetur vetëm premtim, shkruan Reporteri.net.

    Drejtuesi i këtij ansambli, Jeton Qafleshi ka thënë për Reporteri.net se Ansambli “Lidhja e Prizrenit” nga Prizreni, kanë mbajtur ushtrimet e rregullta me rreth 250 anëtarë nga të gjitha grupmoshat duke përfshirë grupet e valleve, orkestrën popullore folklorike dhe burimore si dhe këngëtarë që nga pas lufta pa ndonjë problem në lokacionin ish-bashkësia lokale në lagjen Ortakoll-Prizren.

    “Gjithmonë aty kanë vepruar grupe artistike dhe shoqëri kulturore artistike nga Komuna e Prizrenit edhe para lufte por edhe pas, dhe është quajtur qendër rinore si e vetme në Prizren, ku partitë politike kanë shkuar e kanë ardhur, neve në atë qendër rinore askush nuk na ka penguar. Ky objekt është pronë shoqërore dhe i takon banorëve të asaj lagje sepse edhe ngjitur me një ndërtesë 7 katëshe por, që është i takon banorëve dhe në bashkëpunim me Komunën, ky objekt as që ka certifikatë dhe listë poseduese që i takon Komunës, dhe për këtë renovim nuk janë pyetur as banorët e lagjes dhe ndërtesës”, ka thënë Qafleshi.

    Sipas tij, Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport në Prizren ka hapur një tender në lidhje me renovimin e kësaj qendre rinore e cila parash që të bllokohen hapësirat për mbarëvajtjen e ushtrimeve për aktivitete kulturore dhe rinore dhe në anën tjetër e kanë në plan që të bëjnë një Mini-Teatër me 100 karriga statike dhe skenë lëvizëse në 120 metra katrorë. “Në atë qendër veprojmë ne si Shoqëri kulturore artistike me 15 vite, një grup Baleti, një klub Karateje dhe një Klub ping-pongu, dhe ajo qendër gjithmonë ka shërbyer për rininë e Prizrenit në mënyrë shumë të kulturuar. Tani që më hapjen e këtij tenderi për Renovim, këto parashikime për t’i bllokuar hapësirat na kanë dëmtuar neve si komunitet artistik, sepse pikërisht nga kjo drejtori e kulturës nuk është marrë as mendimi ynë dhe as i banorëve të lagjes”, tha ai.

    Qafleshi ka treguar për Reporteri.net se ka bërë përpjekje të vazhdueshme që të gjej një zgjidhje.

    “Ne jemi përpjekur disa herë duke komunikuar me zyrtarët e kulturës në Prizren, dhe në këtë drejtori dhe na është thënë që ky projekt do të bëhet pa marrë parasysh ankesat tuaja, sepse në një rast Zyrtari i Kulturës me emrin Sazan Cuka na, po citoj fjalët, ‘sikur me ardhë edhe Albin Kurti nuk mundet me ndryshu këtë projekt’”, ka thënë Qafleshi.

    Qafleshi thotë se janë pajtuar që të renovohet por, karriget të jenë lëvizëse.

    “Ne i tham që ne pajtohemi që ju ta renovoni, por të mos vendosen karriget statike por karriget të jenë lëvizëse dhe ndryshone projektin në mënyrë që ato hapësira të na mundësojnë mbarëvajtjen e ushtrimeve për përgatitje për koncerte e festivale. Ai thotë se aty do të bëhet miniteatër, ku aktivitetin do ta zhvillojnë teatri amator shqiptar dhe teatri turk. Ne u thamë që për vetëm dy apo tri shfaqje në vit që do të mbahen pse të bllokohen hapësirat. Na tha që kjo punë ka mbaruar”, tregon Qafleshi.

    Ai tha se për këtë çështje janë ankuar edhe te kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, i cili u ka premtuar se do të ndryshohet projekti dhe karriget të jenë lëvizëse e jo statike në mënyrë që tu mundësohet ansamblit të zhvillojë punën në rregull.

    “Ne kërkuam takim me kryetarin e Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe ai takim u realizua 3 muaj pas kërkesës tonë. Ne shkuam kryesia e ngushtë zhvilluam takimin shumë të mirë dhe shumë inkurajues. Ne i’a sqaruam kryetarit problematikën duke kërkuar që ato karrige të mos vendosen si statike por lëvizëse, dhe i’a thamë që Zyrtari i Kulturës i cili është në partinë politike VV na ka thënë se edhe sikur me ardh edhe Albin Kurti, ky projekt nuk ka me ndryshu. Ai i buzëqeshur na tha që shkoni thoni Sazan Cukës se Mytaher Haskuka e ka kry. Që i bie se kryetari konform kërkesës tonë na përkrahu, dhe na tha që tani do i’a nisi emailin Drejtorisë së kulturës që karriget të mos vendosën statike por lëvizëse. Ne kuptuam që DKRS-së nuk i kishte dërguar e-mail, që i bie se takimi ynë kishte qenë veç shpresëdhënës dhe për foto”, tha Qafleshi.

    Sipas tij, me datën 2 qershor është shpallur tenderi nga Zyra e Prokurimit me vlerë 200 mijë euro.

    “Gjë që me datën 2 qershor nuk ka ndodhur, por kjo ka ndodhur para 5-6 ditëve me 2 javë vonesë. Këtë tender e ka fituar Operatori Ekonomik “Contra Max“ nga Prizreni e cila parashihet që këtë renovim do ta bëjë në vlerë prej 60 mijë euro, duke e realizuar projektin me vendosjen e karrigeve statike, gjë që bie në kundërshtim me premtimet e Kryetarit Mytaher Haskuka”, shtoi ai.

    Qafleshi është shprehur se ky grup i interesi që e përfaqëson Vetëvendosjen po e dëmton rininë dhe aktivitetet kulturore shqiptare në Prizren, duke synuar që atë qendër ta përvetësojnë për vete dhe për qëllime politike e partiake.

    Ai gjithashtu ka treguar se zyrtari i kulturës në këtë komunë u ka thënë se do t’ua mundësojnë që ushtrimet t’i kryejnë nëpër palestrat e shkollave.

    “Gjatë komunikimit me zyrtarin Sazan Cuka si në gjysmë fjalie na është thënë që ju çojmë nëpër palestra të shkollave, gjë e cila për ne nuk mund të jetë funksionale, pasi që të gjitha palestrat e shkollave në Prizren janë në periferi dhe terminet janë të vështira dhe të pamundura, për shkak të mësimit që nxënësit mbajnë deri në orët e vona. Po ashtu në gjysë fjale apo sa për sy e faqe na është thënë që mund të shkoni në qendrën kulturore boshnjake e cila i takon komunitetit boshnjak. Edhe kjo qendër e cila nuk është e gatshme si objekt për punë, është në periferi dhe është e turpshme se si na ofrohet neve si komunitet shumicë të shkojmë në qendrën boshnjake duke pasur qendrën rinore shqiptare”, tha ai.

    Gazeta Online “Reporteri”, ka provuar të kontaktojë edhe me kryetarin Haskuka, por ai ka qenë i paqasshëm./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!